14.10.2018

Identiteti dhe sharjet


1. Shumicës,  kur na lexohen emrat dhe mbiemrat, askujt në botë, nuk do t’i shkonte mendja, se jemi ata, që ne mendojmë se jemi: shqiptarë. Emra të huaj ka edhe te kombet tjera, por tepër rrallë, mbiemra. Mbiemri flet për origjinën. Emri për botëkuptimin dhe nivelin e dijes së prindërve në një kohë të caktuar, por më vonë, për identitetin! Para se të zbulojmë ndikimet e shqipes në gjuhë të huaja, ose krahas atyre përkushtimeve, të zbulojmë vetveten, kush jemi, por mbi të gjitha, kush dëshirojmë të dukemi. Identiteti i njeriut nuk përcaktohet vetëm nga gjaku, por kryesisht nga identiteti kulturor dhe veprimtaria. Nëse një njeri i madh me origjinë shqiptare, ka dhënë kontribut për një vend tjetër dhe me angazhimin e tij, ka bërë emër, por në anën tjetër ka shpërfillur identitetin e vet kulturor  - ishte e drejtë e tij, të bëhet siç i pëlqente-, ne, nuk kemi asnjë motiv të shëndoshë, asnjë të drejtë morale, të krekosemi me veprimtarinë e tij. Sepse, gjersa ne mburremi me suksesin e tij, në të njëjtën kohë, duartrokasim dezertimin e tij nacional .
Do t ‘ishte shumë më vetëdijësuese, më iluministe, më rilindëse, sikur të zbulonim vetveten: Shumica e emrave dhe mbiemrave tanë, nuk dëftojnë përkatësinë tonë etnike, por dëshmojnë, kryesisht,  koloni e kujt ishim! Natyrisht, edhe këtu vlen autonomia vetjake, liria e individit, për të qenë ai, që mendon se duhet të jetë, por, për t’u bërë ata që dëshirojmë, duhet bashkuar dhe ndërlidhur, elementët përbërës, që ndërtojnë identitetin e njeriut!

2. Quajnë Perëndimin të degjeneruar, pse garanton me ligj të drejtat dhe liritë e individit. Pra, shajnë atë sferë kulturore dhe politike, ku një politikan hajdut dhe i pamoralshëm, popujt e „degjeneruar“, e rrëzojnë brenda orëve, ose ditës. Në anën tjetër, ata që besojnë se janë pjesë e një populli me moral të lartë, (besojnë, nuk d.m.th. se janë, por njeriu beson atë që i pëlqen, atë që nuk kërkon shumë përpjekje mendore, jo atë që është e vërtetë), durojnë të udhëhiqen nga njerëz hajdutë, vulgarë, të panjerëzishëm dhe tej për tej mashtrues. Kush është i pamoralshëm këtu? Ai që duron të udhëhiqet nga imoraliteti dhe krimi apo ai që i rrëzon? Kush është i degjeneruar? Ai që mbron Kushtetutën e vendit apo ai që e shpërfill dhe lufton liritë dhe të drejtat e njeriut? Ai që pranon lirinë e tjetrit apo ai që i ka vënë vetes detyrë mbi detyra, të bëjë botën mu si i pëlqen atij? Ky njeri ka vërtetë një problem të madh: me vetveten! Me praninë e shumëllojshmërisë në jetë dhe me pranimin e tyre!

3. „Pse e bllokove për sharje, e nuk e shave edhe ti... ai është intelektual?“
Ai më cenoi dinjitetin dhe duke më sharë, tregoi se vetë, nuk kishte dinjitet! Si ta shajë, ku ta shajë dhe a mund të shahet një njeri, për diçka që nuk ka, vlera morale. Për diçka që nuk posedon, sedër! Për diçka që nuk njeh, dinjitetin?! Po të veproja, si ai, atëherë ai do të vlerësonte sjelljen e tij, si normale. Sharjen do ta kishte marrë si kompliment, sepse zhvillohet në ambienti e tij, ku ndihet në shtëpi dhe kur t‘isha sjellë si ai, do të kishte të drejtë të supozonte, se e konsideroja të ndërgjegjshëm në përmasat e tij. Me fjalë, ai dëshmoi se kishte tru pasiv, që shërbehet me klishe dhe se i mungonte edukata themelore, ndoshta pa fajin e tij, por të prindërve, ose të shkollës, e unë nuk dija, kush e kishte dëmtuar aq rëndë dhe kush meritonte kritikë, sepse ai kishte mbaruar studimet, por nuk kishte mësuar kurrë!
Çdo mendim mund të vihet në dyshim, por jo të ofendohet njeriu, pse nuk mendon, si na pëlqen neve! Fundi i fundit, fshirja i hedh në boshësi, ku nuk duhet as ndërgjeshmëria, as dinjiteti, kurse bllokimi, e hedh në mosqenie dhe çfarë nuk ekziston, nuk mund as të qortohet, as të shahet! Kjo ishte arsyeja pse nuk e shava, si priste ai, dhe, mosimitimi, ishte dënimi më i madh, që mund t’i bëhet rrugaçit me diplomë fakulteti, sepse, kur na lehin qentë pas, nuk ndalemi për të lehur, por pas shpërfilljes, qeni ulë bishtin, qetësohet, ndërkaq, me bllokimin, ai intelektual i vetëquajtur, kthehet në mosekzistencë, aty ku ishte, para se të shfaqej dhe ku duhet të mbetet përgjithmonë!

4. Ata që nuk i duan vlerat morale të Europës, le të dalin në rrugë dhe kundërshtojnë këtë qytetërim të "degjeneruar" dhe le të kërkojnë nga qeveria, të anulojë të gjitha ligjet, që bien në kundërshtim me bindjet e tyre. Le të kërkojnë nga qeveria të distancohet nga synimet për të hequr vizat, ose për aderim në BE, sepse ne, nuk duam të bëhemi të pamoralshëm si ata! Homoseksualët kërkuan tolerancë, le të dalin tani homofobët dhe le të mbrojnë moralin e madh autokton! Le të protestojnë kundër Amerikës dhe kundër Europës, sepse po dëshirojnë të shkatërrojnë moralin e madh shqiptar! Bëhuni burra dhe tregoni qëndrimet, siç e bënë homoseksualët. Nëse nuk e bëni, jeni më pak burra se ata!
------
Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, mund të porositen këta libra:

Keine Kommentare: