Mes personaliteteve me qëndrime aversive (armiqësore, të pavorshme ) për shoqërinë,
që janë përmendur nga Kowalski (2001), tre janë, që kanë tërhequr vëmendjen e
dijetarëve:
1) Makiavelizmi: Nocioni është përdorur në
vitin 1970 nga Richard Christie, duk e u bazuar në shkrimet e Machiavellit
(Christie & Geis, 1970) dhe tregon për një personalitet manipulues, të
ftohtë dhe të kontrolluar, me pak vetëdije morale, egoist dhe njeri i prirë për
mashtrim;
2) Narcizmi: Konstrukt i narcizmit
subklinik apo normal, u propozua nga Raskin dhe Hall (1979) gjatë një përpjekjeje
për të përcaktuar një version të çrregullimit narcisistik të personalitetit të
listuara në DSM, ku qenë përfshinë disa tregues të përdorur në diagnozën fillestare,
si madhështia, ndjenja e të pasurit të drejtë, dominimi dhe epërsia. Ekzistenca
e formës subklinike të narcizmit, është
mbështetur me një hulumtim të madh shkencor nga Morf & Rhodewalt, 2001.
3) Psikopatia: Përshtatja e termit psikopat
në fushën subklinike, daton nga studimet e Hare-së (1985) dhe Lilienfeld &
Andrews (1996). Aspektet qendrore të konstruktit përfshijnë mospërmbajtjen (impulsivitetin)
e madhe, shoqëruar me kërkimin e emocioneve të fuqishme, empatinë e mangët, praninë e pakët të ankthit dhe brerjes
së ndërgjegjes. (Duket se psikopatët kanë një dëmtim te funksionimi i
strukturave të trurit, që merren me përpunimin e frikës).
Në vitin 1998, në një studim të tyre,
McHoskey J. W .; Worzel W .; Szyarto C. pohonin se narcizmi, psikopatia dhe makiavelizmi,
ishin terme pak a shumë të këmbyeshëm në mes vete, që shërbyen në një mostër
jo-klinike të individëve, për të treguar disa aspekte të personalitetit, që kishin
një tipar të përbashkët të quajtur "PAKËNDSHMËRI".
Ndërsa, në
vazhdim, Paulhus dhe Williams, në studimin e tyre të vitit 2002, gjetën të
dhëna të mjaftueshme për të treguar se të tre dimensionet, ndërlidheshin pjesërisht
me njeri tjetrin, por duhej të merreshin parasysh veç e veç. Në këtë studim,
autorët vërejnë se në literaturën shkencore, janë sjellë tipologji të
personalitetit të çrregulluar, por jo ende dukshëm patologjikë, edhe pse shpesh
karakterizohen me praninë e njëkohshme të tre tipareve patologjike:
Makiavelizmit, narcizmit dhe psikopatisë; këto të fundit, të pranishëm
kryesisht në një formë subklinike.
Këto tri dimensione bëjnë përvijimin e asaj që përkufizohet
si "Triada e errët" e personalitetit
Autorët udhëhoqën një studim me një
kampion prej 245 studentëve dhe matën tri dimensionet me mjete të ndryshme të
vlerësimit (pyetësorë të standardizuar, mjete të auto-raportimit (self-raport)
dhe vlerësimet laboratorike). Rezultatet dëftojnë se të tre ndërtuesit e
personalitetit, edhe pse tregojnë disa ndërlidhje - duke ndarë disa aspekte dhe
manifestime - mbeten ende tipare të dallueshme dhe jo aspekte të barasvlershme.
Sasia që duket se kanë të përbashkët, pa fije dyshimi, është dimensioni i "PAKËNDSHMËRISË"
të matur nëpërmjet “Big Five Questionnaire (McCrae e Costa).”
Aspektet që bashkojnë në mes tyre të tre dimensionet,
të makiavelizmit, të narcizmit (subklinik) dhe të psikopatisë (subklinike) janë
këto:
1) Psikopatia subklinike dallohet për nga niveli i ulët i neuroticizmit (një
tregues që mat prirjen për përjetimin e ankthit, pesimizmit, stresit, zemërimit,
frikës dhe të mungesës së qëndrueshmërisë emocionale)
2) Makiavelizmi dhe psikopatia tregojnë një nivel të ulët të ndërgjeshmërisë
dhe moralit
3) Narcizmi ndërlidhet pozitivisht me praninë e aftësive të larta kognitive
4) Narcistët - dhe në një mënyrë të zvogëluar psikopatët– kanë të përbashkët qëndrime të vetëndezjes,
(auto-ekzaltimit, vet-entuziazmizmit) dhe ndjenjën e epërsisë "grandeur”.
Autorët
përfundojnë se "Triada e errët" e personalitetit, tregon konstrukte,
që pjesërisht mund të ndërlidhen me njëri tjetrin, por megjithatë, janë të ndryshëm
në mes vete.
Sidoqoftë, mbetet një tendencë e fortë
konceptuale dhe empirike për shkallëzimin në mes tre konstrukteve të triadës së
errët; për shembull, disa studiues kanë vërejtur se të tre tiparet e triadës kanë
të përbashkët këto tipare:
• Mungesën e empatisë (Jones, D.N., Paulhus, D.L., 2011)
• Rivalitetin ndër njerëzor (Lynam, D.R., Gaughan, E.T., 2011)
• Agresivitetin ndër njerëzor (Egan, V., McCorkindale, C., 2007).
SI MANIFESTOHET TRIADA E ERRËT?
Individët me tipare nga triada e errët tregojnë, siç pamë më lartë, disa veçori
të dallueshme, që rrjedhin nga format subklinike të narcizmit, psikopatisë dhe
nga tiparet e makiavelizmit, si:
• Manipulimi
• Instrumentalizimi (vegëlzimi i tjetrit, përdorimi si vegël i tjetrit)
• Prirja për mashtrim
• Ftohtësia emocionale
• Mungesa e empatisë dhe vetëdijes morale
• Mungesa e brerjes së ndërgjegjes dhe mungesa e frikës
• Kërkimi i emocioneve të mëdha
• Impulsiv, (zemërim i shpejtë, mospërmbajtje e vetvetes, vrull)
• Ndjenja e madhështisë dhe ndjenja e të qenit i veçantë
• Ndjenja se ka të drejtë
• Etja për pushtet dhe dominim
• Vëmendja e tepruar për pamjen fizike
• Inteligjenca akute
• Prirja për agresivitet dhe armiqësim
Këta njerëz lëvizin nëpër botë pak a shumë
pa u ndëshkuar dhe nuk është aspak e vështirë, të gjenden në rrjet (internet) si
pengues, si rrënues (trolls), në ambientin e punës, por mbi të gjitha, brenda
klasës udhëheqëse, ose edhe në mesin e njerëzve me të cilët kanë hyrje-dalje.
Në fakt, tregues të shumë tipareve të triadës
së errët, pa asnjë dyshim, janë mashtruesit
e famshëm të dikurshëm të grave,
ose "dashnorët serikë" të
sotëm, që karakterizohen me:
• Ftohtësi emocionale dhe mosinteresim
• Qëndrim shfrytëzues ndaj partnerit
• Kërkim të bujës (sensacioneve) së madhe
• Prirje për të ndryshuar shpesh partnerët
• Bëjnë çdo gjë të mundur për të pushtuar prenë, e cila pastaj, përdoret dhe "hidhet"
pa brerje
të
ndërgjegjes
• Kërkim të aventura seksuale dhe përvojave deri ku mund të arrijnë
• Abuzim me drogë dhe / ose alkool
• Paaftësi për të bërë të qëndrueshme një marrëdhënie intime
• Mungesa e vetëdijes (sensit) morale
• Mashtrim dhe gënjeshtra
• Manipulim
Hulumtimet kanë ndriçuar efektin potencial
shkatërrues, që kanë këta individë për rrethin dhe për partnerët e tyre.
Dr. Annalisa Barbier, hulumtuese e
neuropsikologjisë, docente universiteti
Nga italishtja Lis Bukuroca
Shpjegim i nocioneve:
Subklinik, psikologji: I çdo
fenomeni patologjik, që nuk shfaqet me shenja ose simptoma objektive, ... sepse
i ikën ekzaminimit klinik dhe mund të zbulohet me hulumtime laboratorike ose
instrumentale.)
DSM: Doracak Diagnostik dhe statistikor
mbi çrregullimet mendore
Impulsivitet: zemërimi i nxitueshëm,
mospërmbajtje, shpërthim vrull i pakontrolluar
Emapti, empatik: gatishmëri dhe
aftësi për të ndjerë qëndrimet e njerëzve të tjerë
Kampion: gjedhe, mostër
Instrumentalizimi: vegëlzim nuk
ekziston në fjalor e gjuhës shqipe, por kuptohet
Dy fjalë për
përkthimin: Shkrimi ka kryesisht nocione shkencore nga psikologjia, por për ta
bërë të kuptueshëm pa përdorim të fjalorit, u bënë përpjekje, pas përkthimit,
për ta shqipëruar edeh një herë, në një gjuhë më kapshme për shumicën. U mënjanua fjalësi shkencor,
sa herë mund të zëvendësohej me fjalë shqipe, pa dëmtuar synimin e autores, si:
korrelacion, interpersonal, konfiguracion, tendencë, dimension, sens dhe ndonjë
fjalë tjetër, që është shpjeguar në kllapa.
Herën tjetër: Triada e errët në vendin e punës, triada e errët në rrjet dhe triada e errët në raport me gjininë tjetër.
Libra nga Lis Bukuroca
Kuptimi i jetës te amazon *, Kuptimi jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon
Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu
Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore,
Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore,
Shtatë parimet e dashurisë, Hijedritat e jetës, Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen