Jo për dhimbjen që mund të na shkaktojë largimi, por për kohën që ndamë, për kohën që na ka dhuruar, për kujtimet që mbeten, për gjithçka që mësuam gjatë rrugës së përbashkët.
Sepse ndarja, apo përfundimi i një martese të palumtur, është në vetvete një dhuratë e madhe — një çlirim. Nga ai çast kur ndarja bëhet realitet, fillon të shfaqet një dashuri e re, një kapitull i ri në jetën tonë. Kjo risi nuk është kurrë dënim, por gjithmonë një shpërblim.
Sepse bashkëjetesa pa dashuri mund të shkaktojë trauma të rënda emocionale tek të dy partnerët, të cilët ndihen të detyruar të qëndrojnë së bashku. Njëri ose të dy mund të përballen me pasojat, me një apo disa sëmundje.
Pas divorcit, ose përfundimit të një lidhjeje dashurie, kemi në fakt dy arsye për të festuar: Për kohën, përvojën, përkujdesjen dhe dashurinë që kemi marrë nga ish-partneri apo ish-partnerja jonë.
Për mundësinë që na jepet për të gjetur një dashuri të re — ndoshta më të thellë, më të drejtë, më të sinqertë dhe më të ndërsjellë.
Jo dhimbje, por mirënjohje për kujtimet. Jo peng në të kaluarën, por shikim përpara. Liri dhe horizonte të reja. Është e drejtë dhe thellësisht njerëzore të kërkojmë lumturinë — jo të nënshtrohemi në një bashkëjetesë ku vetëm njëri jep dhe tjetri merr, por të jetojmë një jetë që i shërben dy vetave.
A mund të sillemi ashtu?
Pak e vështirë. Ose shumë e vështirë. E vështirë, sepse jemi mësuar, si viktima, të vuajmë, të kultivojmë dhembjen — dhe në edukatën tonë themelore jemi stërvitur të urrejmë njeriun që na braktis, jo të tregohemi mirënjohës për dashurinë dhe kohën e dhuruar...
P.S. Një divorc, apo një ndarje si ajo, mund të bëhet kur dy veta nuk kanë komplekse vogëlsie dhe kur ndihen të sigurt në vetvete...
Imazhi i realizuar me disegner microsoft
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen