Që nga shpallja e
pavarësisë, Kosova është sjellë ndaj Serbisë si fajtore, thua se u kishim
pushtuar territore. Negociatat ndihmuan atë të kthehet në arenën ndërkombëtare,
të larë dhe shpëlarë. Ajo, jo vetëm se pengon njohjet, por lufton edhe për çnjohje. Megjithëkëtë, kryetari i Kosovës, ka pranuar dështimet, me
lehtësi më të madhe, se sa përjetohen humbjet në ndeshjet sportive. Edhe tani, ai
shprehu dëshirën e tij për të vazhduar me negociatat, thua se nuk kishte ndodhur
gjë. Ai shkon dhe shëtit, udhëton dhe fotografohet, por humbjet që ia shkakton
Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe që i financon Kosova, i konsideron sukses
dhe ngulë këmbë të vazhdohet tutje me të vjetrën! Me kërkesën e tij për të
vazhduar bisedimet, dëshiron të paraqitet pacifist, të shfaqë veten si të pa
alternativë para Perëndimit dhe kështu, të inkasoj imunitetin e përjetshëm.
Nejse, të lëmë (H)hashimin anash, por
çfarë duhet të bëni tani Ju? Ju duhet të ndaloni turrin e kryetarit dhe
vazhdimin e negociatave, pa u kthyer mbetjet e më shumë se tremijë vetave, që
janë varrosur nëpër Serbi. Jo vetëm kthimin, por edhe mbikëqyrjen e
zhvarrimeve nga ekspert kosovarë dhe perëndimorë, për të parë se në çfarë
gjendje janë varrosur dhe, a janë djegur, ose gjymtuar.
Zoti Kryeministër, nuk gjenden nëpër Serbi nëpër gropa të përbashkëta mbi
tremijë lepuj, por mbi tremijë qytetarë të Kosovës, të afërmit e të cilëve,
Serbia i konsideron ligjërisht akoma të vetët. Pas zhvarrimit, nëse nuk mundet
jashtë, atëherë me avokat ndërkombëtarë, të hidhet shteti serb në Gjykatën për
Krime të Rënda në Beograd. Pse mu aty? Sepse ajo konsideron Kosovën akoma
territor të vetin. Ajo mund të arsyetohet për vrasjen e njerëzve të armatosur,
por le të përgjigjet për masakrimin e fëmijëve dhe civilëve.
Paralelisht me kthimin e mbetjeve, le të vazhdojnë negociatat. Çdo familje
e dëmtuar, ka të drejtën themelore, humane, të varrosë me dinjitet të afërmit e
vet. Serbisë nuk duhet lejuar të mbajë si sekret shtetëror varret e atij
populli, të cilin e urren. Kjo urrejtje, mund të lexohet sot nëpër mediat
serbe, por edhe tek artikulimet e politikanëve serb! Shpërfillja e asaj zezone
dhe shëlbimi i Serbisë, jo vetëm se dëmton sedrën dhe dinjitetin kolektiv
shqiptar, por rehabiliton nxënësit e Millosheviqit, që kanë pushtetin në Serbi
dhe që po luftojnë për të rifituar atë që ka humbur ai.
E dyta: nëse nuk mundet jashtë, të hidhet në Gjykatën për Krime të Rënda në
Beograd shteti serb për dhunimin e njëzetmijë grave shqiptare. Negociata le të
vazhdojnë paralelisht, por gjatë kësaj kohe, do të këndellet edhe opinioni
publik serb duke parë veprat e shtetit të vet. Ashtu si u përball Gjermania me
krimet e Hitlerit, duhet të përballet edhe Serbia me tragjeditë e shkaktuar nga
shteti i Millosheviqit.
Asnjë shtet mik, nuk mund të thërrasë për vazhdimin e negociatave, duke kërkuar
të hiqet dorë nga kthimi i mbetjeve, që si kufoma, i ka kidnapuar shteti i Millosevqit,
por si eshtra, i sekuestron shteti i Vuçiqit dhe Daçiqit. Ky i fundit pa dyshim
një ish shqiptar me mbiemrin e dikurshëm Daci, si edhe gjeli tjetër mbi pleh,
që rrah gjoks, Lajçi, Lajiçi,!
Ai shtet pra, të hidhet në gjykatë, jo vetëm për vrasje, por edhe
kidnapimin e të vdekurve! Kjo është vepër çnjerëzore, makabre!
Nga Serbia të kërkohet dëmshpërblim edhe për 100.000 shtëpi të djegura, të
rrënuara dhe për më shumë se 13.000 të vrarë.
Se kryetari nuk po bën negociata për interesa nacionale, tregon edhe gjuha
ofenduese pas taksave në mediat serbe. Te b92, që vlerësohet si më e moderuar,
Qeveria e Kosovës, quhet e ashtuquajtura Qeveri e Përkohshme. Kjo flet qartë
për projektet serbe dhe për iluzionet e (H)hashimit.
Zoti Kryeministër, tani keni mundësinë historike të riktheni nderin e
Kosovës dhe të ringritni shtetin, që gjendet përdhe. Kryetari i Kuvendit njeh
njerëzit e korruptuar prandaj urdhëroni bastisjen e shtëpive të tyre
dhe kushdo që nuk është në gjendje të arsyetojë pasurinë, t ’i sekuestrohet.
Këta janë kolona e pestë, që punojnë në favor të Serbisë, sepse me pasion
rrënojnë interesat nacionale. Urdhëroni bastisjen e shtëpive të të gjithë
politikanëve dhe le të sekuestrohen kartelat bankare, sepse në bazë të tyre, do
të mësojë prokuroria, ku do të kërkojnë ata nesër azil. Nëse Prokuroria
Speciale nuk e bën, atëherë shtetit nuk i duhet! Shpërbëjeni atë dhe të gjitha
prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë, sepse ato po shërbejnë, për të shfajësuar
kriminelë të të gjitha llojeve.
Meqenëse populli tundohej nga çmimet, atëherë një leksion i nevojitet edhe
diasporës: kushdo që kthehet në Kosovë nëpër Serbi, të paguajë 1.000 euro në
arkën e shtetit të Kosovës.
Nëse Serbia dëshiron të integrohet në BE, atëherë duhet të kthejë mbetjet e
njerëzve që i ka vrarë. Nuk është trup të kërkohen me këmbëngulje. Ne nuk kemi
urrejtje ndaj popullit serb, por shteti serb urren popullin shqiptar!
Ne kërkojmë ndihmë për t’i shpëtuar trysnisë dhe projekteve ruso-serbe. Nëse Serbia synon
të përmirësojë raportet me Kosovën, atëherë duhet të përgjigjet për krimet e
veta! Marrëdhëniet nuk ndërtohen duke përbuzur fqinjin. Me mosdorëzimin e
eshtrave, Serbia tallet me kombin shqiptar. Dhe, nuk duhet bërë asnjë lëshim
ndaj Europës, derisa nuk ka anuluar vizat, që i pat premtuar se do ta bënte pas
marrëveshjes me Malin e Zi!
Në histori hyhet ose vertikalisht, ose horizontalisht. Ose me dinjitet, ose
pa të!
**************************
Më shumë nga Lis Bukuroca:
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen