Hibridizimi realizohet kur te kafshët, ose
te bimët, kryqëzohet një lloj a një racë me një lloj a me një racë tjetër, për
të krijuar një racë me veti dhe tipare të reja. Kur aftësitë politike,
kryqëzohen me zotësitë kriminale, atëherë prodhohen politikanë të hibridizuar,
që ndërtojnë një tallava - sistem, të cilit as dreqi nuk i bie në fije!
Demokraci hibride është edhe kur një shoqëri jeton me mendësi
fisnore, por ka kushtetutë moderne. Ato dyja njësohen në një tërësi, e cila shpien
në eksod masiv! Aty respektimi i ligjit quhet shtirje, ose qëndrim banal, kurse
shkelja e tij, vepër normale, ose atdhetare!
Gjykatat në demokracitë hibride shërbejnë për të
dënuar njerëz pa ndërveprim me pushtetin, (kriminelët e pavarur) si dhe për të shpallur
ligjërisht të pafajshëm politikanët hibridë!
Nëse arrin të bindësh popullin, se
je duke mbushur arkën, pikërisht në çastin gjersa je duke e zbrazur, atëherë quhesh
politikan i aftë në Kosovë, por edhe në Ballkan.
Nëse arrin të bindësh të tjerët, se
je duke shkulur kanabisin, pikërisht në çastin kur je duke e mbjellë para syve
të policisë, quhesh shtet në Shqipëri, por edhe në Ballkan!
Aq sa m shumë vjedh politikani në
Ballkan, aq më shumë ka nder. Aq më shumë nder, aq më shumë ndikim në shoqëri.
Aq sa më shumë ndikim që ka, aq më shumë dërgon para jashtë vendit dhe aq më
shumë ka frikë prej tij prokuroria dhe gjykata! Madje, këto dy institucionet e
fundit, kriminelët e mëdhenj, i nderojnë dhe respektojnë si pjesëtarë gjenial të
Akademisë së Arteve dhe të Shkencave Humane! Gjykatësit dhe prokurorët më shumë
do të dëshironin të dinin prej tyre, se si vidhet me sukses, por jo si mund të
burgosen me sukses.
Në Ballkani nuk çuditen nëse vjedh
politikani, por nëse ai nuk vjedh! Nëse hajni vjedh shumë, fiton respekt, nëse vjedh pak, burgoset!
Politikë kanceroze kemi në një shoqëri, kur njerëzit e
zgjedhur për ta udhëhequr, dëmtojnë ekonominë e popullit, nga i cili paguhen.
Ashtu si qelizat e kancerit, që shkatërrojnë indet dhe organet në trupin në të
cilin jetojnë, politika kanceroze tubon rreth vete të etur për pushtet dhe të
nënshtrueshmit, zhvatësit, sepse ata krijojnë metastazat për ta rraskapitur dhe
trullosur një popull të tërë!
Dëbimi i shqiptarëve nga atdheu
ishte traditë greke dhe serbe, tanimë edhe shqiptare, që i mbush mendjen
popullit, se jeta, ka kuptim, vetëm nëse jetohet jashtë vendit!
----------------------------------------------
----------------------------------------------
Më shumë nga Lis Bukuroca:
Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore
Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen