30.11.2019

Tri sitat e Sokratit?


Një ditë një njeri erdhi te Sokrati dhe ishte plot emocione.
"Hej, Sokrat, a ke dëgjuar çfarë ka bërë shoku yt? Po të tregoj menjëherë!"
"Prit pak", e ndërpreu i urti. "A keni situr atë që doni të më thoni nëpërmjet tri sitave?"
"Tri sitave?", e pyeti ai plot habi.
"Po, i dashur, tri sitave. Le të shohim a do të kalojë ajo që duhet të më rrëfesh nëpër tri sitat. Sitë e parë është sita vërtetësisë. A ke shqyrtuar gjithçka që do të më tregosh se a është e vërtetë?"
"Jo, e dëgjova diku dhe ..."
„Ëhë, por me siguri ke bërë një provë me sitën e dytë. Ajo është sita e mirësisë. A është ajo çfarë ti dëshiron të më tregosh – meqenëse akoma nuk është vërtetuar si e vërtetë -  të paktën e mirë? "
Me ngurrim, tjetri tha: "Jo, e mirë jo, përkundrazi ..."
"Aha!" e ndërpreu Sokrati. "Pra, le të përdorim atëherë sitën e tretë dhe le të shqyrtojmë nëse është e nevojshme të më tregosh atë që të ka emocionuar?"
"E nevojshme tani, jo edhe aq..."
"Epo," buzëqeshi i urti, "nëse ajo që dëshiron të më rrëfesh nuk është e vërtetë e dëshmuar, as e mirë, as e domosdoshme, le të varroset dhe të mos më rëndo as mua e as veten!“
Nga gjermanishtja lis Bukuroca (në foto busti i Platonit)

E krahasova edhe me gjuhë tjera. Ai dialog nuk duket të jetë i Sokratit.

Në italisht: Një ditë dikush erdhi ta shihte (Sokratin) dhe tha: 
"A din se çfarë sapo dëgjova për mikun tënd?" 
Frëngjisht: Një ditë, filozofit të madh iu afrua një nga të njohurit i cili vrapoi drejt tij krejtësisht i ngazëllyer.
- Sokrat, dëgjo ato që sapo mësova për nxënësin tënd Platonin!
Shqip: Një ditë, i vjetri i mençur, Sokrat, po ecte në rrugë, kur befas një i huaj i afrohet, duke i thënë:- Sokrat, a e di ç'kam dëgjuar për studentin tënd të ri? Dua të të tregoj...
Shqip: Një thashethemexhi shkoi tek Sokrati duke i thënë: - Mësues, kam për t’ju treguar se një miku juaj…. 
Anglisht:  Një ditë, Sokrati i vjetër i mençur ecën nëpër rrugë, kur papritmas një njeri shkon drejt tij "Sokrat unë duhet të të tregoj diçka për mikun tënd që ..." 

Në librin që e kam gjermanisht me të gjitha dialogët e Platonit, „tri sitat“ nuk më kujtohen. Në internet në gjuhët që përmenda më lart, askund nuk përmendet se në cilin libër të Platonit gjendet ai dialog. Dihet se nga Sokrati nuk gjendet asgjë e shkruar. Ajo që dimë për Sokratin, si për filozofinë e tij, gjendet kryesisht në dialogët e Platonit dhe Ksenofonit. „Tri sitat“ , duket se i janë atribuuar atij, si shumë gazmore Nasradinit.

Këtu anglisht pa autor :"Në „Miku i fëmijës“ vëllimi III Londër William Lister viti 1867 faqe 45 "Tri sitat" është një këshillë që i bëhet Blanche së vogël nga nëna e saj zonja Martin. As aty autori nuk përmendet.