06.01.2023

Dhjetë mendime

1.

Shumë shqiptarë për të treguar nivelin e vet patriotik, mburren me veprat e huaja. Askush nuk bën vepra për t'u mburrur ai që nuk ka bërë asgjë, por i ka bërë për vete dhe për të qenë shëmbëlltyrë. Nëse vazhdimisht
mburremi me vepra të huaja, nuk prodhojmë kurrë tonat, sepse paaftësinë tonë, mendojmë se arsyetojmë me suksesin e huaj.  Çdo vepër e mirë duhet të shërbejë si pikënisje, si frymëzim, si motivim për vepra tjera, por jo për përrallisje dhe jo për mburrje me sakrificën e huaj duke menduar se madhërohet vetja…


2.

Mos u nervozoni me shacat, që çojnë miliona euro në Kosovë. Ata herë pas here nuk gjejnë në shtëpi njerëzit që ndihmojnë. Ndoshta kanë shkuar në Durrës...

Njëri më tregoi se ia kishin zaptuar shtëpinë. I ati kishte urdhëruar të vendoset djali më i ri, i papunë, me familje, natyrisht pa pyetur shacin. I kishte thënë ti mund ta ndërtosh një tjetër!  Mos u nervozoni as kur i ngasin makinat shpejtë. Ndoshta e kanë përzënë shacin nga shtëpia e vet…


3.

“Unë do ta kisha zhbërë vdekjen… Askush nuk do të duhej të vdiste, shkruan në vitin 1951 Elias Canetti. Vdekja nuk ka qenë gjithmonë e natyrshme si këtyre 2000 vitet e fundit...dikur, çdo vdekje ishte e barabartë me një mort… 

Sikur të ishte e mundur – e di se kjo nuk bëhet - do ta kisha zhbërë vdekjen. Meqenëse kjo nuk është e mundur, së paku do të dëshiroja t'i kem parasysh të gjitha efektet e këqija, që ka vdekja në jetën e njeriut dhe të mendoj, se si mund të veprohet kundër gjërave të tilla të liga.” 


Elias Canetti është shkrimtari që më së shumti ka urryer vdekjen dhe trishtuar pfrej saj.  Tërë jetën kishte mbajtur shënime lidhur me vdekjen. Shënimet e nobelistit i publikoi e bija e tij me titullin:  "Das Buch gegen den Tod“,(Libri kundër vdekjes…)


4

Sa për dijeni: NATO dhe Perandoria OSMANE nuk mund të krahasohen me njëra tjetrën: kundër Perandorisë ka pasur rezistencë dhjetëra vjeçare dhe kështjellat shqiptare qenë sulmuar deri në pushtim. 

NATO nuk na ka vrarë neve për të na çliruar nga Serbia, por ka bombarduar Serbinë për të na çliruar neve. Perandoria ka vrarë stërgjyshërit tanë pasi Serbia kishte kapitulluar. Ajo ishte pushtuar tashmë nga osmanët, kur ata thyen rezistencën e kështjellave shqiptare si të Krujës, Shkodrës, Lezhës, Himarës...diku pas viteve 1470…d.m.th. pas rezistencës së suksesshme të Skënderbeut. Populli shqiptar nuk kishte nevojë të çlirohet nga vetvetja dhe Perandoria Osmane nuk na duhej...


Sidoqoftë një pjesë do të besojë siç i pëlqen, një pjesë të vërtetës…Edhe kjo çudi do të kalojë. Një ditë kleri, jo vetëm i joni, por edhe ai i Ballkanit, do të detyrohet të merret me punët e veta, jo me politikë, me shkencë e histori, por do të afrojë njerëzit dhe kulturat, jo t' i përçajë siç bën sot...


5

Urrejtja është shfaqje episodike në shoqërinë njerëzore dhe nuk mund kurrë të ngadhënjejë. Megjithatë popujt kanë interesa nacionale dhe nuk duhet me të kaluarën, të dëmtojnë interesat e sotshme të shteteve…

Për të qenë një popull kryesisht i lumtur, atëherë duhen njerëz me të drejta kryesisht të barabarta. Aty ku liria e njërit, ndërtohet mbi kufizimin e lirisë së tjetrit, nuk ka njerëz të lumtur, por njerëz që shtiren se janë të lumtur. Madje, aty shtiren si të lumtura edhe ato që janë të mbyllura në shtëpi…


Nga politikani duhet të përfitojë populli, jo e kundërta! Me besimin e patundshëm ndaj një politikani, atë e hyjnizojmë dhe e shndërrojmë në tutor. Duke i dorëzuar atij aftësinë vetjake, autonominë e të menduarit, nuk përdoret më koka, por vetëm duart për duartrokitje! Pse i duhet truri një njeriu në këtë gjendje?


Nuk ndryshoj mendimin për një politikan, pse unë dua, por pse më detyron ai. Nuk i konsideroj perëndi, prandaj bindja ime për ta ndryshon, sa herë të ndërrojnë ata surratin!


6.

Serbia dhe Greqia kanë terrorizuar shqiptarët gjithmonë në bashkëveprim me kishën ortodokse serbe dhe greke. Kjo nuk ka qenë rastësi, por program. Qëllimi tyre ishte të imponohej urrejtje ndaj krishterimit dhe shqiptari të mos të ndiejë mosdurim, neveri ndaj serbit apo grekut, por ndaj religjionit të krishterë në tërësi. Kjo do të na bënte edhe më antieuropian dhe ato dy shtete, do ta fitonin lirinë dhe licencën për të na masakruar dhe dëbuar.


7

Kur Kosova të aprovojë në ligj se shteti sekuestron pasurinë, që nuk i njihet burimi. 

Kur Kosova të marrë seriozisht doktoraturat dhe të zëvendësojë plagjiatorët me profesorë të vërtetë. 

Kur Kosova të arrestojë gjykatësitë dhe prokurorët që sillen si kadi.

Kur Kosova t'i riedukojë apo arrestojë mantelbardhët fytyrëzi, që pasurohen me dhembjet e qytetarit, atëherë dhe vetëm atëherë mund të thuhet se Kosova po ndërton ardhmërinë, 

shtetin ligjor, e jo fisnor.


Tani për tani po shtiremi se po bëjmë shtet. Shtet me ligje që nuk obligojnë njeri. Tani për tani është improvizim tragji-komik i shtetit.


Sikur të kishim respektuar ligjet e Kosovës më shumë se të Jugosllavisë apo sa të Jugosllavisë së paku. 

Sikur ta kishim vjedhur Kosovën së paku si në kohën e Fadil Hoxhës. 

Sikur gjyqtarët të ishin së paku po aq të korruptuar sa ata në kohën e Ali Shukrisë. 

Sikur mjekët të mos kishin vjedhur më shumë se në kohën e Sinan Hasanit, 

atëherë, 

vetëm atëherë do të kishim pasur arsye të themi: megjithatë po ecim ngadalë para...


Mirëpo, jo.

Në shumë sfera po e dëmtojmë ardhmërinë e Kosovës me duart tona, siç do ta kishte bërë edhe një armik. 

Një njeri që adhuron Kosovën, nuk toleron as vjedhje të parasë publike, 

as gjykatës të korruptuar, 

as profesorë me doktoratura të blera (këtu rrënohet ardhmëria), 

e as veterinarë të njerëzve...


8.

Demokracia është madhështore, sepse çdo njeriu i jep të drejtën ta shprehë mendimin e tij për çdo gjë, që nga makro kozmosi deri tek mikro kozmozi. Bartësi i idesë gjithmonë është i bindur se ideja tij, është më e drejta dhe më e sakta. Këto janë bindje vetjake, që krijojnë dallime në mes nesh. Pa këto bindje, debati do t' ishte i pamundur, si edhe demokracia. Aq sa më shumë mbrohet apo idealizohet teokracia, aq më shumë dobësohet demokracia dhe punohet në ndërtimin e totalitarizmit. 


Teokracia kërkon NE-BINDJE, NE QËNDRIME, RRESHTIME, PËR TË KRIJUAR NJËSI, GRUPE, që shkëputen nga koha jonë dhe përgatiten për ta urryer dhe refuzuar jo vetëm kohën, por edhe LIRINË dhe të ndryshmen…

Europa është vend ku bashkohen diverseitetet, jo ku përçahen njerëzit dhe përgatitet urrejtja. Ne jemi popull shumë i vogël me ndikim periferik dhe kemi vetëm dy mundësi: ose i bashkëngjitemi trenit europian diku në krye, ose do të jemi të detyruar të braktisim vendin e t'i bashkangjitemi në bisht, duke e paguar nesër me asimilim…


9.

Demokracia ka një problem të madh me religjionet: në një anë garanton mendimin e lirë dhe ndalon përhapjen e urrejtjes, në anën tjetër toleron klerin që bën apele martesat të bëhen vetëm brenda bindjeve të njëjta fetare. Pra pranon ndalimin e dashurisë, në një shtëpi kulti, që ata e quajnë shtëpi e zotit.


Në një anë pranon diversitetet, në anën tjetër toleron ndërtimin e enklavave psikike.

Në një anë ndalon përhapjen e urrejtjes racore, nacionale, gjinore, në anën tjetër, toleron predikimin e tyre.

Në një anën pranon orientimin seksual, në anën tjetër toleron stigmatizimin e tij nëpër objekte kulti.


Religjioni ka probleme me gjetjen e vendit të vet në këtë epokë të përparimit shkencor. Nëse deri dje mjaftonte të thoshte se breshëri ra, rrënoi e shkatërroi, pse zoti deshi ashtu, sot dija i tregon se kur bie ai, pse bie dhe si mund të shpëtohen njerëzit. 


Nëse dikur ai ishte autoritet i vetëm që shpjegonte të gjitha fenomenet në natyrë, sot nuk mund të shpjegojë asnjë dhe asgjë me prova! Kjo shqetëson religjionin dhe për t'u dëgjuar, i duhet përhapja e urrejtjes, sepse vetëm kështu, mund t'i grahin tufës drejtë e në humnerë.


Për t'u mundësuar paqja dhe harmonia në mes popujve, çfarë synon Europa, atëherë duhet ndaluar në ato shtëpi të zotit (por pa zot brenda) ligjërimet që bien ndesh me liritë dhe të drejtat e njeriut!


10

Duket se neve demokracia nuk na mbush mend. Ne kemi probleme me lirinë. Ne jemi në gjendje ta humbim atë, duke menduar se po e jetojmë. Liria kërkon përgjegjësi të madhe. Emancipim. Dije, Iluminizëm. Më shumë sesa diktatura! Demokracia kërkon të bëhesh autor i jetës, jo vetëm subjekt i saj. 

Jemi mësuar me llos pas shpine.dhe kemi respekt vetëm ndaj tij! Nëse shtetet tona edhe 20 vite mbeten të tilla, atëherë nuk jemi popull i ngritur, nuk jemi të vetëdijesuar, nuk lexojmë, nuk mësojmë, nuk kuptojmë as demokracinë, as liritë dhe të drejta e njeriut, as nuk do të respektojmë ligje, sepse ne kemi kushtetuta private në shtëpi, që rrëzojnë atë publike sipas nevojës!  

...

Ju falënderohem për librat që po i bleni. E shoh nga cili vend janë porositur, por jo kush i ka blerë. Ju falënderohem edhe për vlerësimet, që po m’i dërgoni si mesazhe privatisht…


Librat mund të porositen tek: amazon, libreriauniversitaria.it, lulu, barnes and noble com, thalia de, bookdepository com, orellfuessli ch, goodreads, ebook de, AbeBooks de etj.


Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


Keine Kommentare: