Ishim mbi dhjetë përkthyes në zyrë për pushim dreke. Kolegu gjerman, Michael, i cili përkthente nga frëngjishtja dhe anglishtja, nxori nga çanta një kuti me një bukëz, së cilës i varej proshuta jashtë. Të gjithë i dëshiruan oreks të mirë njëri pas tjetrit, pos meje.
- Pse nuk më tha edhe ti, mu drejtua me një dashamirësi thumbuese?
- Ah, më fal të lutem, isha duke menduar pikërisht për këtë. “Guten Appetit” po e shqyrtoja në shqip vet me vete. Ne e shprehim atë dëshirë ndryshe…
- Oh, nuk e dija. Në shumë gjuhë thuhet: “Oreks, ose apetit të mirë, “Bon appétit”, e tha duke kthyer shikimin nga kolegët. Sikur kërkonte pajtimin e tyre. Dhjetë veta aty i flisnim më shumë se dyzetë gjuhë.
- Po, e di, edhe italisht thuhet “Buon appetito”, por mendoj se dëshira e shprehur në shqip, është më e drejtë.
- Arsyeja?
- “Oreks të mirë” domethënë ha ose ngrënç sa më shumë. Nëse ke vetëm një bukëz me vete, si ti tani, atëherë nëse të dëshiroj unë shumë oreks, tingëllon si ironi. Nëse e ke tavolinën të mbushur, atëherë “Guten Appetit” do t’ishte urim i drejtë.
- Dhe si thuhet në shqip?
- Ne themi “Të bëftë mirë!” Domethënë të bëftë mirë ajo që je duke ngrënë, qoftë pak, qoftë shumë, qoftë e mirë, qoftë jo shumë e mirë, ajo që ke, qoftë haje e lirë, qoftë shumë e shtrenjtë.
- Ah, interesant, tha Michael dhe ngriti pak buzët.
- E përdorni edhe “Guten Hunger!” “Uri të mirë”, apo jo? D.m.th. llapsh sa më shumë!
- Po, tha ai, e vërtetë dhe u qesh.
Maria (Carvalho Lurdes de López Martínez), kolegia, përkthyese nga spanjishtja, portugalishtja dhe anglishtja, diku 34 vjeçare, e pa atë me huti dhe pasi uli vështrimin ndërhyri në bisedën tonë:
- Michael, mos më keqkupto të lutem! E dua lirinë e njeriut, por nuk mund të kuptoj si mund të masakrohet kafsha, të futet në senduiç dhe të hahet?! Ty nuk mund të kuptoj…
Të gjithë u shikuam në mes vete. Ajo nuk ishte vegjetariane, por vegane. Akoma më radikale se vegjetarianët. Këtë e dinim, por kurrë nuk qe shprehur, edhe pse gati çdo ditë dikush nga ne kishte ngrënë diçka si Michaeli sot. Kjo ishte hera e parë që po reagonte. Veganët jo se nuk hanë mishin e kafshëve, por as produktet e tyre: qumështin, djathin, vezët, mjaltin etj.
- Është proshutë derri!, tha i pashqetësuar. “Prej derrit!” e përsëriti edhe një herë. Derri nuk është mëkat, është derr i ndyrë, ndoshta mendoi.
- Derri nuk paska të drejtë të jetojë?!, pyeti ajo
- Nuk e ha të qengjit, ndiej mëshirë për ta!, tha ai, gjersa përtypte dhe shfletonte gazetën para vetes.
- Ndoshta duhet të hash mish pule, i thashë unë. Janë më të vogla, trurin e kanë më të vogël, ndoshta edhe shpirtin…Ndoshta vetëm dy a tre kilobit. Disa më panë me buzëqeshje. Maria ngriti vetullat dhe solli kokën.
- Ti po tallesh, tha ajo duke u kthyer djathtas me krejt karrigen nga unë.
- Jo, thashë, të kuptoj shumë mirë Maria, por ne shqiptarët edhe pse i hamë kafshët, ne nuk i masakrojmë si popujt tjerë. Ne i trajtojmë në mënyrë shumë humane, jo animale, si popujt tjerë…
- Haha, ekzistuaka mënyrë humane e vrasjes !? Çfarë nuk dëgjon njeriu sot!? Më thuaj të lutem, si e mbytni ju shqiptarët pulën me humanizëm? Vërtetë jam kureshtare ta di! Maria, Maria thashë vet me vete. Unë po flisja për humor, ajo po e merrte krejt seriozisht.
- Nuk e masakrojmë! Jo, kurrë, thashë me gjithë mend.
- Tregoji të lutem sesi ia prisni kokën me dashuri, ndërhyri, Artîn, kolegu kurd.
- Nuk ia presim…
- Ia hani edhe kokën, pyeti Li, kolegu vietnamez?
- Jo, e varim në mur, si trofe! Sjell fat, dhe nga ajo ditë, njeriu zgjohet sapo të këndojë gjeli i parë diku, por edhe nëse vetë nuk ke gjel. Koka e pulës ushtron ndikim magjik, besëtytnor. Dërgon disi mesazhe zgjimi…
- O zot i madh!, psherëtiu Maria.
- Nuk e sheh se po tallet!, tha Michael.
- Më lejoni ju lutem të ju tregoj!
Ok, thanë disa prej tyre, të tjerët herë dëgjonin, herë shikonin në celularë.
- Ne shqiptarët nuk e mbysim pulën. Nga respekti. Nga mirënjohja sepse ka bërë vezë tërë jetën. Ka kokorisur bukur. Dhe, më besoni, sa herë t’i marrim vezët, përsiasim disa minuta: i shkoqim së rrahuri mendimet në shtëpi për të ndriçuar se cila ishte e para: Pula apo veza!? Debatojmë derisa gabimin tonë të mos e luaj topi! Këtu i plasën gazi të gjithë, pos Marisë.
- Dëgjoni ju lutem: kur nëna ime përgatiste për shembull një supë me mish pule, atëherë nuk i duhej krejt pula, por një kaçik mjaftonte. Ishte barbare të ekzekutohej pula për një kofshë, prandaj, unë e mbaja pulën,- edhe në qytet kishim kotec e pula-, dhe im atë ia printe vetëm kofshën e majtë me një thikë të mprehtë si zhilet.
Maria tundi kokën dhe iu mërdhezën faqet. Gati të gjithë i lanë celularët anash dhe përcillnin ligjërimin tim.
- Pse të majtën të parën nuk e di. Ndoshta pse nëna besonte se në krahun e djathë gjendej i strukur engjëlli, kurse në të majtin dreqi. Prandaj në banjë përdorej vetëm dora e dreqit…
- Po tallesh, tha Maria dhe tundi kokën e trishtuar. E tmerruar! E skuqur si spec i kuq!
Jo, unë vetëm po tregoj se si veprohet te ne.
- Dhe pula mbetet invalide?, pyeti Li me buzëqeshje.
- Jo!
- Po nuk mund më të ecë?, shtoi Michael.
- Natyrisht se mundet. Im atë pasi ia jepte nënës kofshën, merrte një shtagë të vogël mu sa këmba e pulës, madje e maste me pedantizëm dhe me tela ia qepte në trup. Pastaj ia lidhte me një fashë. Kështu ajo nuk rrëzohej dhe ajo patericë, e ndihmonte të zvarritej para, por edhe të mos rrëzohej.
- O zot i madh, çfarë barbarie!, bërtiti Maria, kroi kokën dhe u tërhoq ca prapa me karrige.
- Jo, si këtu, vazhdova unë. Këtu i vrasim në mënyrë industriale. Te ne mbijeton pula. Jeton më gjatë. Jeta mesatare e pulave te ne është shumë më e gjatë se këtu.
- E pastaj?, pyeti Miachel-i, edhe ky me buzëqeshje.
- Pas disa ditëve, vazhdova shumë serioz, ndoshta nënës i tekej të bënte përsëri një gjellë dhe nëse i duhej kofsha tjetër, ia prinim dhe ia qepnim edhe një patericë tjetër. Ndoshta pas disa ditëve krahët, por nuk ia merrnim shpirtin, se nuk kemi të drejtë, si te popujt tjerë. Pula jetonte më gjatë, por e kuptonte edhe jetën më mirë: me këmbë të veta dhe pa to. Kultura dhe popuj Maria. Koncepte, etikë njerëzore. Mos u çudit. Përvojë e re për pulën.
Pa i humbur këmbët, gjallesa kurrë nuk e kupton çfarë domethënë me pasë këmbë. Më kupton? Kur ia prisnim kokën, pas disa muajve sigurisht, ia nduknim puplat me dashuri e kujdes të madh, jo duke e keqtrajtuar nëpër turbina të industrisë. Si te ju! Pa respekt, pa e prekur e përkëdhelur me duart e atij, që e ka ushqyer me plot dashuri dhe që e ka kënaqur duke e trashur me misër sa më shumë…
- E bën edhe këtu, më ndërpreu kolegu nga Ginea Mobutu Se Ku Ku Ha Ha Hi.
- Jo, këtu nuk kam pula të gjalla. Për fat të keq, por këtu e përgadis “Pulën pa gajle…”
- Si bëhet kjo?, pyeti Mobutu.
- Pula përgatitet me aq shumë dashuri, sa sikur ta dinin pulat tjera, do të futeshin vetë në furrë. Vullnetarisht. Maria u ngrit e acaruar dhe doli jashtë. Të tjerët u qeshën dhe e përcollën me shikim. Maria kishte bërë hapa drejt radikalizmit…
- Mobutu, dëgjo të lutem: e lëshon pulën me plot respekt në një tavë. Pak kripë, pak piper të zi dhe të kuq. Një gotë verë të bardhë, një gotë ujë dhe krip. Pastaj i bën masazh pulës me vaj ulliri. I pëlqen shumë. Sigurisht falënderohet shpirti i saj. Dy patate të mëdha për njeri, të paqëruara, dy karota për njeri, që pastaj shërbejnë si haje anësore dhe i fut në furrë për katër orë. Ndize në 90 gradë. Falënderoje pulën që iu flijua për ty dhe mbylle të mos dal jashtë. Ngadalë, me respekt. Kështu mund të veprosh edhe me patën, gjelin e detit, etj.
Njeriu shkon në kinema me bashkëshorten ose për të ngrënë një akullore, apo thjeshtë del jashtë në natyrë dhe pas katër orëve, darka do të jetë gati. E padjegur, por e pjekur me dashuri. Mishi derdhet nga eshtrat me goditje të lehtë. Haje, dhe falënderoje pulën edhe një herë. Thuaj se e kishte pasur mishin e mirë. Do t’i pëlqejnë komplimentet. Domethënë, me ekzistencën e saj, u kënaq dikush. Ne, jo vetëm bakteret, më kupton!?
Në këtë çast Maria hyri përsëri në zyrë dhe e nxori celularin. Përpiqej të na shpërfillte, por nuk ia dilte mirë. Kjo lexohej në fytyrën e saj të ngërdheshur.
- E derrin?, pyeti Michael-i, ia preni këmbët edhe atij?
- Derrin e masakrojmë si ju, sepse është derr. Atë e varim në një pemë në oborr derisa të pikojë pika e fundit e gjakut. Është derr, pis derr, më kupton! Këtu Maria nxori një psherëtimë plot dhembje… E pastaj, derri me tri këmbë bëhet shumë nervozë, Michael, acarohet si invalid. Nuk i pëlqen. Mund të sulmojë edhe njerëzit, sepse nuk pajtohet të jetojë me paterica. Jo si pula. Kjo nuk ankohet. Ajo e pranon fatin e vet ashtu, sigurisht edhe lopa e viçi nuk do të acaroheshin…
- A nuk paska të drejtë ta jetojë jetën e vet edhe derri të lutem?, ndërhyri përsëri Maria.
- Po Maria e dashur, po, natyrisht që ka shumë të drejtë, por jo sa të dojë ai. As ne nuk mund të jetojmë sa duam. Maria, në këtë planet çdo gjallesë është ushqim i dikujt. Dhe ti, meqenëse nuk ha mish, ndihmon shumë që çmimi të jetë më i lirë, dhe ne pastaj hamë mish në shpesh, më shumë, me ndihmën e juve veganëve dhe vegjetarianëve. Më kupton? Ajo tundi kokën herë majtas herë djathtas dhe heshti.
Unë e di Maria, e di dhe më beso, çmoj shumë dashurinë tënde ndaj kafshëve, por në këtë botë, hahen edhe njerëzit Maria. E di, një ditë i teket dikujt dhe vjen me avion dhe të hedh bomba mbi kulm. Ai vendos sesa jeton ti ose unë ose tjetri. Një shtet fqinj, ndoshta edhe jo fqinj, organizon një grup terrorist, që ai e quan armatë dhe i dërgon ata për të vrarë ku i pëlqen të vrasë. Motivin e sajon. I duhet formalisht. Mund ta besojë vetëm ai.
Sikur të mos kishte qenë ajo armatë terroriste e organizuar nga shteti serb, unë nuk do të kisha qenë kurrë këtu për të ligjëruar mbi trajtimin human të pulave. Nuk do të ishim njohur kurrë Maria dhe, mijëra veta nuk do t’ishin vrarë, e as nuk do t’ishin dhunuar diku 20.000 gra shqiptare. Se mijëra veta duhej të vdisnin, kishte vendosur shteti serb me Millosheviqin Maria. Madje janë vrarë edhe diku 1300 fëmijë…
Duhet të luftojmë më shumë urrejtjen ndaj njerëzve që nuk janë si i forti Maria. Ndoshta kjo na sjell paqe më shumë. Bota është e bukur pikërisht pse nuk jemi njëlloj…Pa llojllojshmëri zhduket jeta në Tokë.
Maria, ju keni zbuluar si t’i ruani kafshët dhe vazhdoni ju lutem, ne të tjerët duhet të zbulojmë si mos t’i hanë shtetet njerëzit. Sidoqoftë, të kërkoj ndjesë Maria për keqtrajtimin barabar, imagjinar të pulës, që ishte vetëm shpikje e çastit, sa për humor…
Maria mori frymë thellë. Pushimi mbaroi, ne u ngritëm për të vazhduar punën...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen