16.06.2024

Ku gjendet lumturia?

Duke synuar një lumturi që e imagjinojmë, shpesh e humbim dhe nuk e përkapim atë që e kemi. Lumturia nuk mund të jetë e përditshme, por e çastit, e paqëndrueshme gjatë, d.m.th., e përkohshme!  Ajo nuk mbulon jetën, por fragmente të vogla të saj, mirëpo mund të jetë relativisht lineare. Deri diku. Kur jemi të vetëdijshëm për të.

Lumturi është ajo që ne e kuptojmë, e përjetojmë në një çast të caktuar dhe e ndiejmë si të tillë.  Jo ajo që në fakt është, por çfarë e vlerëson njeriu si të atillë. Njeriu shpesh kupton çfarë ishte lumturia, por rrallë herë çfarë është ajo.

Në fakt lumturi konkrete është të jesh lindur njeri: tok me aftësinë për të menduar, për të folur, për të parë, për të ndier, me aftësinë për të dëgjuar, për të prekur, për të ecur. Lumturi është aftësia për të mësuar: për të lexuar, për të ngrënë, për të përtypur, për të pirë, për të njohur, për të dashuruar. 

Lumturi është liria për të zgjedhur profesionin, burrin apo gruan. Lumturi është liria për të qenë vetvetja. Lumturi është nëse ndahet gruaja apo burri që nuk na do. 

Lumturi është rritja e fëmijëve me dashuri, pavarësia e tyre. Lumturi është liria e tyre për ta jetuar veten si dëshirojnë ata. Lumturi është të ketë njeriu një familje dhe të çmojë ata që ai ka, para se të ketë humbur ndonjërin: të ketë gjyshër që e duan, prindër që e duan, fëmijë që i do, apo partner/e jete që e do. Lumturi është t’u kërkohet të falur fëmijëve për gabimet eventuale, apo fëmija prindërve.

Lumturi është të ketë njeriu miq të mirë: aftësinë për të menduar drejt dhe saktë; lirinë për të gabuar dhe guximin për t’u penduar. Lumturi është lufta për drejtësi, për barazi gjinore. Aftësia për të falur, mundësia për të dhuruar.

Lumturi është të kuptosh sa e bukur apo i bukur je sot, jo sa e apo i bukur ishe kur sheh veten në fotografi pas 20 viteve. 

Lumturi nuk është të kesh, por të jesh njeri!  

Lumturi është mungesa e dëshirës për të paragjykuar, për të urryer dhe për të lakmuar të huajën. Lumturi është mungesa e dëshirës për t’u shquar si racist, mizogjinë, homofob, ksenofob, nacionalist dhe shovinist. 

Lumturi është të mos jetë njeriu i shtrirë në spital me një sëmundje, që nuk ka shërim. Lumturi është diagnoza e një sëmundjeje të shërueshme. Lumturi është shëndeti mendor dhe trupor: mençuria për të shpërfillur provokimin, injorancën, tërbimin, ofendimin. Pavarësia dhe liria për të ndërtuar jetën, për të zgjedhur vendin e punës, vendin e jetës. 

Lumturia nuk ekziston si ekstazë e përhershme, por si fragment, si çast jete, dhe sapo të arrihet ajo e imagjinuara, humb vlerën dhe kërkohet tjetra. Lumturia e përgjithmonshme nuk është njerëzore. Nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë. 

Lumturi është të jesh lindur njeri, të vdesësh si njeri dhe të kujtohesh prej familjes apo shoqërisë për vepra të mira. Lumturi është të ndikosh në përparimin e fëmijëve, familjes, shoqërisë. Lumturi është t’u lejohet fëmijëve liria për ta jetuar jetën si të duan dhe ku të duan.

Lumturi është ruajtja e miqve të mirë dhe largimi nga të ligët. Lumturi është aftësia për të dalluar të mirën nga e liga; mundësia për të udhëtuar, apo qëndrimi në shtëpi me të dashurit që i do. Lumturi është ngritja pas rrëzimit.

Lumturi është sepse nuk je lindur lepur, gomar, kërmill apo mikrob, por njeri i cili mund të mësojë, të ndryshojë jetën dhe të ndërtojë lumturinë për vete dhe për të tjerët. Sepse lumturi konkrete është toleranca, paqja në familje, në lagje, në qytet, në vend dhe në botë. 

Lumturi është respektimi i dinjitetit të njeriut. Sepse lumturi është jeta si njeri, lumturi është vdekja si njeri.  

Çdo ditë kemi dhjetëra arsye lumturie në rrethin tonë. Mjaftojnë të hapim dritaren dhe t’u hedhim një vështrim të njëmendtë…

Shpjegim shtesë

Vetëdija dhe pranimi: Lumturia është të jesh i vetëdijshëm për të tashmen dhe të pranosh dhe të kuptosh atë që ke. Shpesh, ne kërkojmë lumturi në të ardhmen ose e kujtojmë lumturinë në të  kaluarën. Vetëdija për të tashmen na lejon të përjetojmë plotësisht ngjarjet e vogla të lumturisë që ndodhin çdo ditë.

Mirënjohja: Lumturi është të ndihesh mirënjohës për gjithçka që ke, qoftë e madhe apo e vogël. Shpesh harrojmë të vlerësojmë gjërat e thjeshta si një buzëqeshje, një kafe, ose një bisedë me dikë. Mirënjohja na ndihmon të fokusohemi në aspektet pozitive të jetës sonë dhe të vlerësojmë ato që kemi.

Të qenit në shërbim të të tjerëve: Lumturi është të japësh dhe të shërbesh të tjerëve. Të ndihmosh të tjerët, qoftë me një akt të vogël mirësie apo me një kontribut të madh.

Ndjekja e pasioneve: Lumturi është të ndjekësh pasionet dhe interesat e tua. Kur jemi të angazhuar në aktivitete që na pëlqejnë, përjetojmë një ndjenjë të thellë të kënaqësisë dhe përmbushjes.

Balanca dhe harmonia: Lumturi është të gjesh një balancë mes punës dhe jetës personale. Balanca na lejon të kujdesemi për veten dhe për të tjerët në mënyrën më të mirë të mundshme. Fali kohë vetes çdo ditë...

Imazhet janë gjeneruar me ideogram

Kuptimi i jetës  te amazon 

Kuptimi  jetës te lulu 

Keine Kommentare: