07.07.2024

Bëhu burri më i mirë

Gatuaj për fëmijët dhe për bashkëshorten. Ajo do të mburret kudo me ty. Nëse një ditë dëshiron të ndahet, lëre të shkojë.* 

Domethënë dashuria ka përfunduar, por mos u brengos. Publiciteti i saj do të tregojë efekte. Për të ngushëlluar ty, do të vijnë nesër gra tjera, edhe shoqet e saj. Ndoshta njëra të pëlqen. Nëse jo, pusho pak dhe përpiqu të kuptosh motivet e ndarjes. Falënderoje për vitet që t'i ka dhuruar. Ji mirënjohës.

Gratë nuk kanë frikë të krenohen me burrin e mirë; ne burrat po, kisha edhe unë. Shumë.

Jeta sociale nis në shtëpi. Bëjini punët e shtëpisë së bashku. Fëmija nuk mëson aq shumë nga fjalimet, sa nga ajo që sheh brenda familjes! Solidariteti mësohet aty. Nëse ti respekton nënën e tyre, të duan ata ty nesër.

Nëse i mëson se i forti ka të drejtë të nënshtrojë më pak të fuqishmin, do t’i mësosh ata t’u nënshtrohen të fortëve të padrejtë jashtë dhe nuk do t’i luftojnë ata, nuk do të revoltohen kundër tyre, por do të çaraveshen pse dikush nuk flijohet për ta.

Në pleqëri i dobëti do të jesh ti. Ata do të jenë të fuqishëm. Nëse ua ke nënshtruar nënën, do të shpërfillin ty. Sepse i ke mësuar se i fuqishmi duhet të shkel të dobëtin. Atëherë ti do të jesh ndoshta i shtrirë! Horizontalisht! Apo edhe më keq: me trup vertikalisht, por pa sedër. Padrejtësitë e shkaktuara dikur do të thërrmojnë shpirtin.

Gruas


Mos e kritiko burrin nëse nuk i bën punët e shtëpisë mirë! Ki durim. Ai mëson. Shpërbleje dhe motivoje! Puthe, falënderoje! Familja rritet dhe ndërthur rrënjë të përbashkëta vetëm me dashuri.


Ligjet themelore për të shpëtuar familjen:


Neni 1. Bashkëshortja është nëna e fëmijëve tu, jo e jotja! Rritu!

Neni 2. Ndalohet rreptësisht cenimi i dinjitetit të njeriut.

Neni 3. Ndalohet kategorikisht dhuna verbale dhe fizike.

Neni 4. Ndalohet rreptësisht përdorimi i celularit në praninë e dy apo më shumë vetave.

Neni 5. Aftësia e gatimit  dhe ndihma në shtëpi të bën burrë të shkëlqyeshëm dhe baba të mrekullueshëm: të rritur, të pavarur. Guxo!


Unë po dal tani jashtë për t'i bërë nja 10 kilometra, sepse lakrori, me aq shumë kalori, e kërkon taksën natyrore...

Ps. Para këtij i kam gatuar nja 20 jo të mirë, ose jo sa duhet të mirë...

Neni 6. Nga gabimet mësohet në jetë. Mëso!  Mos u tut!


Mos e gjyko veten pse gabove, sepse aty mësove! Jeta është përvojë. Nga përvoja fitohet urtësia. Kam mësuar shumë nga gabimet e mia, por edhe nga gabimet e të tjerëve.


Neni 7. Kërko ndjesë pas çdo gabimi dhe falënderohu për çdo vepër të mirë ndaj teje.

Neni 8. Nëse dikush të thotë se ndihma në shtëpi të zhburrnon, nxirrej jashtë me falënderime. Ai dëshiron që ti trajtosh keq të dashurit tu. Ai ka cenuar dinjitetin e familjes.


Mos e merr për të mirëqenë dashurinë dhe përkushtimin e të tjerëve; përkundrazi, shpreh mirënjohje dhe falënderim. Një familje e lumtur është ajo që bashkëpunon dhe ndihmon njëri-tjetrin në çdo situatë. 


*  ”Mos u kap pas dikujt që po largohet, përndryshe nuk do të jetë e mundur të takohesh me atë që është duke ardhur." Carl Gustav Jung

Keine Kommentare: