12.07.2024

Ismail Kadare: Ndërthurja e letërsisë dhe politikës në kulturën shqiptare

Kritikuesit e adhurojnë  Ismail Kadarenë. Ata jo vetëm se e adhurojnë, por e konsiderojnë të gjithëfuqishëm dhe më të pushtetshëm se krejt Partia e Punës dhe Qeveria së bashku. Për të dëshmuar këtë konstatim, do të sillen argumente më poshtë.

Para disa javësh, po dëgjoja disa video të profesor Ilir Yzeirit në YouTube. Isha në makinë dhe dëshiroja të mësoja qëndrimin e shkrimtarit dhe gjuhëtarit Ardian Vehbiu për patriotët e ‘shkencëruar’, apo turboalbanologët, siç i quante ai në revistën akademike "Peizazhet e Fjalës".

Profesori moderonte një program intelektual shumë serioz. Ishte ndër përjashtimet e rralla në gjeografinë tonë mediale, jo vetëm për mënyrën e udhëheqjes së programit, por edhe për nivelin, seriozitetin, artikulimin dhe kulturën. Aty nuk kishte tendenca manipulimi për klikime si "Clickbait-gazetarët” dhe “Clickbait-moderatorët", me provokime dhe ndërzime emocionale, ku pastaj shtiren se duan të qetësojnë debatin, por mezi presin të shpërthejë konflikti. 


Ai ishte sovran, bindës dhe shumë kompetent. Ardian Vehbiun e konsideroj një autoritet serioz intelektual dhe sa herë dëshiroj të mësoj diçka nga albanologjia apo linguistika, konsultoj shkrimet në revistën e tij. Disa javë më vonë, u kontaktuam me profesorin që drejton programin ADN (Art, Demokraci, Natyrë). Patëm një shkëmbim mendimesh për shumë fenomene në shoqëri. Ishte një njohje shumë miqësore dhe më la përshtypje me qëndrimin dinjitoz, intelektual dhe të sinqertë. Me profesorin folëm edhe për nevojën e reformës së arsimit, për korrupsionin, për migrimin etj. 


Pak ditë para se të bëhej regjistrimi ku do të isha i ftuar unë, na braktisi Kadare. Diku dy orë pas lajmit, më njoftoi vëllai. Pas dy minutash, gjersa nuk po shkëputesha nga puna ime, shkrova vetëm një fjali në Facebook, ku rekomandova të mbahen dy a tri ditë pikëllimi. Ky ishte statusi im: “Kadare paska shkuar. Ai nuk vdes kurrë…, duhen 2-3 ditë DITË ZIE!”. Ishte ora 10:09 minuta.  Atë mendim e postova edhe te Edi Rama, Albin Kurti e Donika Gërvalla. Dola pak jashtë.


Sapo u ktheva në zyrë, më mori në telefon profesori Ilir Yzeiri dhe e kuptova se po ndiente dhembje, trishtim dhe tronditje. Ishte duke pirë një gotë në një bar. Ai, në mes të dënesave, më njoftoi se duhet ndryshuar programi dhe gjendjen e tij e krahasoi me atë të Lekë Dukagjinit kur kishte përjetuar çjetimin e Skënderbeut. “Ndoshta po e teproj me krahasimin,” shtoi në fund.“
Jo, në çaste të tilla është shumë i logjikshëm ai krahasim,” shtova unë.

Ai më njoftoi, ndër të tjera, se ishte duke përfunduar një libër për Kadarenë, por ende nuk i kishte treguar atij. Kishte pasur ndërmend ta bëjë kur botohej libri, këtë shtator nëse nuk gabohem. Folëm shumë për ‘monumentin’, ‘gjigantin’, ‘pasurinë kombëtare’, dhe ‘gjeniun’, siç e cilësonin mediat perëndimore Kadarenë. E idealizuam edhe ne shumë, por në ato çaste pikëllimi dhe zemërate, çdo krahasim vlerësues e pohues ishte një pasojë logjike mirënjohjeje.

Mua m’u ngatërruan keq shumë koncepte të jetës: motivi i ekzistencës, ecuria dhe fundi. Njeriu vjen, vepron dhe shkon. Kaq, thashë me vete. Pak mbeten këtu, shumica ikim.

Profesori Yzeiri po dëneste në telefon tërë kohën. E dëgjoja me vëmendje dhe përpiqesha ta ngushëlloja. Ishte një njohje e sinqertë në çaste pikëllimi. Dy netë kam fjetur nga disa orë, gjumë episodik. Ai e njihte Kadarenë edhe nga afër. Më pat ardhur keq edhe kur pat vdekur Umberto Eco, këngëtari Franco Battiato etj., dhe pata konstatuar këtë: “Njerëzit që më kishin zbukuruar dhe ndriçuar këtë jetë, po iknin...”

Me largimin e tyre pata kuptuar se unë nuk isha vetëm vetja ime, por edhe një tërësi fragmentesh të të tjerëve, që kishin lënë gjurmë në ndërtimin dhe konfigurimin tim shpirtëror. Nga prindërit, rrethi, deri te dijetarët e mëdhenj. Secili në mënyrën e vet dhe secili me kontributin e vet.


Kisha në kujtesë, në shpyrtin tim, jo shpirtin, jo “Seele”, gjer., “anima”, it., “âme”, fr., “soul”, angl. por në ‘shpyrtin’ tim në kuptimin e “Geist” gjer., “spirito” it., “esprit” fr., “duh” kro., shumë këngëtarë, shkrimtarë, filozofë e dijetarë të tjerë që më kishin lehtësuar këtë ekzistencë, por edhe ndonjë politikan që ma kishin nxirë apo vështirësuar gjallimin. Ky soj ishte i paktë, por pasojat e tyre qenë dramatike. Megjithatë, me ndihmën e njerëzve të dashur dhe dijetarëve të mëdhenj, kapërceja barrierat e atij anti-njeriu, të mizantropisë, më lehtë.

Profesori im i Letërsisë Frënge, Ymer Jaka, në librin e tij "Lidhjet Shqiptaro-Frënge" citon Alain Bosquet, i cili kishte thënë, parafrazim: “Po të hapej zemra e Kadaresë, aty do të shihej Shqipëria.” Unë do të thosha, aty do të shihej kombi shqiptar.

Mirëpo pse kritikuesit e adhuronin Kadarenë? Sepse ata e imagjinonin si më të fuqishëm se çdo Qesar me dhjetëra batalione. Ata ishin të bindur se Kadare kishte mundur të shembte diktaturën dhe shpëtonte kombin, por nuk kishte dashur ta bëjë.

Ata e konsideronin Kadarenë më zot se zoti. Arsyeja? Enveri kishte pasur guxim t’ia ndalonte zotit hyrjen në Shqipëri, apo më saktë, e kishte dëbuar nga Shqipëria, mu si dëbohen refugjatët. Ai nuk kishte deportuar vetëm një zot, por së paku tre. Por ai Enver i guximshëm dhe i gjithëfuqishëm, nuk kishte pasur guxim të arrestonte Ismail Kadarenë.

Këtu krijohet krejt drama e dy Goliatëve, sipas tyre. Ose Kadare si Goliat dhe Enveri si David: Shoku Enver pati guxim të mënjanojë zotat, por jo Kadarenë! Ata e shajnë Kadarenë pse ai nuk kishte përdorur pushtetin dhe fuqinë e vet për t’ua hequr qafe atyre diktaturën. Nuk na duhej neve letërsia, nuk na nevojitej një shkrimtar i madh, i nivelit planetar, por na duhej një varr më shumë ose së paku, një i burgosur më shumë.

Kryesisht varri, se ne shqiptarët jemi Mic Sokola: ne nuk duhet të luftojmë për të fituar, por të flijohemi për të humbur, duke e ditur se humbim. E konsiderojmë vepër heroike vdekjen, por jo mbijetesën. Jeta është turp, por e huaja. Të mos keqkuptohemi. Ne nuk e konsiderojmë flijimin tonë vepër heroike, por vetëm të dikujt tjetër. E pse?

Sepse ne pastaj shkojmë te varri apo përmendorja e tij dhe fotografohemi aty. Aty e tregojmë trimërinë tonë. E ku të fotografohemi tani? Ne jemi të edukuar në atë mënyrë që të mburremi me flijimin e huaj, por kemi mësuar në qindra mënyra të arsyetojmë tutën tonë. Edhe oportunizmin. Për ta dëshmuar këtë mjafton të thërrasim në kujtesë se sa veta patën ndihmuar Adem Jasharin dhe sa veta sot fotografojnë tutën e vet pranë përmendores së tij. Unë do ta kisha fotografuar atë, por kurrë vetveten me të, nga droja se do të bëja sakrilegj.

Përbuzësit e dinin çfarë duhej të bënte Kadare, por nuk e dinin çfarë duhej të bënin vetë. Ata refuzojnë të kuptojnë se Kadare dëshironte të ishte dhe të mbetej vetëm shkrimtar, mu sikur ata që parapëlqenin të mbeten dikush në jetë. Apo si shumica, askush.


Sipas kritikuesve ishte detyrë e Kadaresë të eliminonte diktatorin, nëse jo, thjeshtë ta kishte nxjerrë nga zyra të kapur për jake. Të nesërmen do t’ishte dashur të deklaronte këtë në televizion:  “Shqiptarë, ja ku e keni demokracinë, merreni, ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht bënte mot i lig!” Ose edhe më mirë: “Shqiptarë demokracinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu, mu në mesin tuaj!”  


Ky do të kishte qenë një mendim i mrekullueshëm, që do të kishte heroizuar pritshmëritë e tyre. Dhe, do të kishte përligjur frikën e tyre.


Përfundim

Kështu, për ne, Kadare u bë një lloj projektimi i gjithë fajësisë kolektive dhe personale. Në fakt, ne kishim nevojë për një fajtor, për ta pasur më të lehtë me veten tonë. Për të shfajësuar veten. Për ta zvogëluar Kadarenë dhe për të zmadhuar vetveten. Nga ana tjetër, kritika ndaj Kadaresë ishte dhe një reflektim i mungesës së kuptimit të rolit të shkrimtarit në një shoqëri. Në vend që ta shihnim si krijues të madh që solli një dimension të ri në kulturën shqiptare dhe botërore, e shihnim si një protagonist politik, që duhet të kishte luajtur rol tjetër në histori. Në atë rol ku pat dështuar Rexhep Qosja.

Kadare ishte dhe mbetet një figurë komplekse. Ai krijoi një trashëgimi të pasur letrare, por njëkohësisht, ekzistenca dhe veprat e tij publicistike shkaktuan dhe do të shkaktojnë përherë diskutime. Megjithatë ai mbetet i domosdoshëm për ne si timonier i sigurt i anijes shqiptare. 
Një shkrimtar gjenial mund të jetë edhe një pasqyrë e komplekseve dhe aspiratave të kombit, por edhe një dëshmi e faktit se letërsia dhe arti kanë fuqinë të mbijetojnë dhe të ndikojnë, pavarësisht konteksteve politike dhe shoqërore.

Edhe një zbërthim, ndriçim në fund që ka lidhje me Rexhep Qosjen: Enveri nëse e burgoste Kadarenë, do të kishte dëshmuar se kishte frikë prej tij. Duke e lënë jashtë, tregoi guxim. Mirëpo, nuk duhet të krijojmë asociacione të gabueshme se ‘hyjnor’ ishte vetëm i burgosuri. As Rexhep Qosja nuk është burgosur në Jugosllavi. Nuk është vlerësuar si armik i shtetit jugosllav, por Adem Demaçi, po. Në anën tjetër, Ukshin Hoti u ekzekutua. Edhe Fehmi Agani.


Për të fituar lirinë e shkrimit në diktaturë ishte normale t’i shkruheshin elozhe diktatorit. E ka bërë Kadare, e ka bërë Qosja dhe shumë të tjerë. 


Unë i gëzohem faktit se ata kanë ditur të mbijetojnë dhe të na dhurojnë vepra madhështore: më mirë një Kadare dhe një Qosje sesa edhe dy Demaça tjerë, apo një Ukshin Hoti më shumë dhe një tjetër Fehmi Agani.


Kadare nuk ishte vetëm një shkrimtar; ai ishte një mbrojtës i identitetit, edhe për këtë meriton të kujtohet dhe të nderohet. Ai përfaqësonte atë që ishte më e mira, më fisnikja në kulturën shqiptare. 


Ishte një autor që kishte mbijetuar dhe triumfuar në një kohë të errët, duke mbajtur gjallë shpresën dhe identitetin kombëtar.


Ai nuk ishte një revolucionar politik, por një revolucionar i fjalës dhe mendimit. Duke e gjykuar nga ky këndvështrim, është e padrejtë të pritet nga ai të bënte atë që shumica nuk guxonin të bënin.


Në vend që ta kritikojmë për atë që nuk bëri, duhet ta falënderojmë dhe të vlerësojmë atë që bëri.



Keine Kommentare: