“Unë kam rrahur gruan shqiptare, jo një zvicerane.”
Ai mendim tingëllon trishtues në lexim të parë, por krejtësisht i zakonshëm, normal në lexim të dytë. Ai mendim vetëm përkufizon mendësinë patriarkale, rurale të shumë familjeve. I dënuari me shtatë vite burg në Zvicër, nuk ka thënë asgjë të jashtëzakonshme, por ka shërbyer vetëm si zëzmadhues i edukatës primitive, që merret në shtëpi. Thjesht ai ka thënë atë që ka mësuar: gruas shqiptare nuk i pranohet dinjiteti: ajo nëpërkëmbet, rrihet, shkelet, izolohet, trajtohet si objekt seksual, vritet me revole, me kazmë apo me thikë. .
Nëse shkruhet në google shqiptari rrahu apo vrau gruan, atëherë shfaqen qindra artikuj me raportime të tilla. Kjo ndodh edhe kur shkruhet në italisht, gjermanisht, frëngjisht apo anglisht, e pastaj, çfarë tregojnë gratë e huaja të martuar me shqiptarë, nëpër forume, i vejnë kapakun përfundimtar burrit shqiptar: xheloz, agresiv, gënjeshtar, tradhtar, dyfytyrësh e shumë cilësorë tjerë! Viti 2017, që për nga sjelljet mund të thuhej, njeri i vitit 117!
Ku dëshirojmë të shkojmë ne? Vendin e parë për nga pjesëmarrësit në terrorizmin islamik! Vendin e parë për nga tregtia me narkotikë. Vendin e parë me rrahjen dhe keqtrajtimin e grave! Ku dëshiron të integrohet një shoqëri e tillë, e cila ka edhe vendin e parë me politikanë injorantë, me mjekë të korruptuar, me gjykatës të korruptuar, me profesorë që shesin nota e që kanë blerë tituj shkencorë dhe me nëpunës që shesin dokumente? Ku dëshirojmë të shkojmë me të ashtuquajtur intelektualë, që janë armiqtë kryesor të shtetit dhe kombit? Ku dëshirojmë të shkojmë me këta politikanë, që kanë shumë dëshirë, por gati aspak dije?!
A nuk shihni se ju brenda dhe ne jashtë, po dëmtojmë interesat nacionale me pasion më të madh, sesa kishte mundur ta bëjë Serbia e Millosheviqit apo e Rankoviqit? Gratë e sotshme, që sot ndiejnë dhembje për ato ndodhi të shpeshta, mbajnë përgjegjësinë kryesore për anomalitë barbare në shoqëri. Ato duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë, se me edukatë primitive, antikushtetuese, po shkatërrojnë familjen dhe hedhin në burg bijtë e vet. Çdo keqtrajtim, çdo rrahje, çdo kërcënim, çdo shantazh duhet kallëzuar në polici.
Burrat primitivë nuk janë vetëm rezultat i edukatës rurale, por edhe i inteligjencës shqiptare. Rrallë apo kurrë, shkrimtarë të mëdhenj apo poetë të mëdhenj, nuk kanë tematizuar, nuk kanë prekur ato perversione dhe nuk kanë luftuar ato çrregullime sociale, që përçohen si nder, si traditë, si edukatë. Çdo shqiptar jashtë, është edhe ambasador i imazhit nacional. Çdo vepër e tij shërben në grupe të caktuar për të krijuar opinion negativ për të gjithë. Pastaj habitemi pse nuk pezullohen vizat, pastaj shtiremi se jemi të mirë, edhe pse Europa ka prova të qarta për radikalizmin fetar, për krimin, për korrupsionin, për politikanët kriminelë, për milionerët në vende, ku paga mesatare nuk kalon as 300 Euro!
Ai që rrah, ai që vret, ai që keqtrajton, ai është psikopat dhe ka nevojë për kurim mjekësor! Ai njeri nuk duhet të martohet para shërimit! Kopshtet e Fëmijëve, shkollat, fakultetet duhet të flasin për ato epidemi (gjinofobinë, mizogjinë, krimin, për të korruptuarit, për titujt shkencorë, nëpunësitë, gjykatësit e prokurorët e korruptuar) dhe të flitet me përbuzje për ata armiq të kombit dhe shtetit. Fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, u duhen shembuj për të kuptuar pasojat e edukatës primitive, që merret në shtëpi dhe shoqëri.
Në kohën e Rugovës na trajtonin me empati dhe si popull i pafuqishëm, që kishte nevojë për ndihmë. Në kohën e Thaçit shihen të gjithë si kriminel dhe ia kanë mbyllur Kosovës derën nga jashtë! E kush? Ata që na çliruan dhe kanë ushtritë e veta brenda Kosovës! Në kohën e Enver Hoxhës na shihnin si frutat ekzotike dhe kureshtje.
Sot na shohin si shtet me administratë mafioze dhe një Europë e madhe ndihet e rrezikuar! Nëse Qeveritë shqiptare dëshirojnë të përmirësojnë imazhin e vendit, ata që punojnë në administratë, qeveri, ministri, polici, gjykata, prokurori, universitete, spitale dhe shkelin rregulloret dhe ligjet, t’u anulohet e drejta e ushtrimit të profesionit për tërë jetën, por edhe e pasaportës. Ata duhet trajtuar si armiq të vendit. E vrasësit e grave? Vrasësit dhe rrahësit e grave duhet të tridhen!
Në Çeki bëhet me kriminelët seksual, nëse dëshirojnë të evitojnë burgun! Kemi shumë fobi, por fobitë tjera janë sporadike, mjekohen dhe të parëndësishme në krahasim me këtë epidemi që na shoqëron si popull, si shoqëri. Për gjendjen tonë flasin shumë edhe komentet e lexuesve. Pastaj tregues të mëdhenj janë edhe replikat private, nga gra dhe burra.
Në komente e replika kam ardhur në përfundim se shqiptari ka shumë frikë nga gruaja: irracionale! Burra që bëjnë apel për ruajtjen e dominimit, sado të vogël, por të ruhet, sepse sipas tyre, vetëm morali i gruas është me rëndësi dhe gratë që aty këtu tregojnë për burra të tredhur në mënyrë psikologjike, ku burri nuk ka ç'të thotë më në shtëpi. Në Gjermani në çdo qytet, gjendet një Shtëpi e Grave, por në krejt Gjermaninë, vetëm një Shtëpi e Burrave në Berlin, ku strehohen burrat e keqtrajtuar nga gratë.
E pastaj, gratë edhe nuk rrahin, por ua derdhin kafen, çajin në fytyrë, ua përdredhin gishtin apo e gjuajnë me këpucë pas... Gjinofobë janë ata që në aspektin psikologjik nënshtrojnë deri edhe në mbajtje në arrest shtëpiak. E bëjnë nga frika. Në rrethin e dytë ata që herë pas herë asaj trysnie psikologjike i bashkëngjisni edhe grushtet dhe shqelmat dhe i treti, i treti është rrethi i atyre, që merret edhe me likuidimin fizik të grave. Gjatë sundimit të Berishës në Shqipëri, janë vrarë diku 30 deri në 40 gra në vit.
Mund të pritet se ky numër do të bjerë shumë, sepse mizogjininë ndizte kryeministri duke sharë gratë e kolegëve të vet, apo duke quajtur gratë e huaja dhe motrat si „putane bulevardi.“ Një helmim të tillë të shoqërisë, njohin sociologët dhe psikologët. Në Kumanovë një shqiptar rrahë gruan në qendër të qytetit, për masakrimin e tjetrës në Tiranë, informon gazeta ''Dita.'' Sa herë lexon njeriu për tragjedi të tilla, shtrohet vetvetiu pyetja: pse këta burra, që kanë një frikë të pashpjegueshme nga gratë nuk martohen me burra? Sot kjo është e mundur dhe e pranueshme. Pse këta burra, që këmbëngulin në abortimin e embrioneve femërorë martohen sipas dëshirave të huaja, e jo sipas ndjenjave të veta?
Një burrë që rrah, që nënshtron dhe që vret, tregon simptomat e tija pikë së pari: pasigurinë, tutën irracionale, frikën patologjike, impotencën, mungesën e edukatës, qytetërimit dhe pamundësinë për përdorje të trurit për t'u dalluar nga kafshët. Radioja publike gjermane “DLF” pat bërë të ditur se në Çeki, pedofilët mund t'i ikin burgut, nëse pranojnë tredhjen. Disa prej tyre pranojnë burgun, disa tredhjen, mirëpo ata edhe pas burgut, mund të bëjnë krime të njëjta, sepse janë në pyetje hormonet. Me këtë kanë mirëpo probleme ata që merren me liritë dhe të drejtat e njeriut.
Ata e kundërshtojnë! Revista gjermane “Focus” njoftonte për një studim në Kore për dinastinë Jozeon 1392 ‒ 1897. Eunukët tridheshin dhe jetonin mesatarisht 70 vite, pjesëtarët e dinastisë 40 deri në 50. Me tredhjen paska zbritur shumë pasqyra e testosteronit, konstatojnë shkencëtarët në atë studim. Testosteroni pra, ndikon në shkurtimin e jetës. Problemin e testosteronit duhet ta kemi dhe ne në nivel të lartë, aq sa nuk na duhet, por dëmton edhe njerëzit për rreth. Me rënien e atij hormoni, bie edhe numri i viktimave.
Jo për tallje, por duhet marrë seriozisht një mundësi të tillë që gjinofobët t'i nënshtrohen një praktike të tillë dhe pas dy apo tri tredhjeve, mund të merret me mend se shqiptari nuk do ta rrahë më gruan nga krenaria mashkullore, nuk do ta shtyp nga obligimi kulturor apo fetar, nuk do ta mbyllë në shtëpi dhe nuk do ta vrasë më.
Shqiptari krenohet se mund të jetojë edhe pa bukë, por shqiptari pa bole, nuk do të dilte më në rrugë dhe nuk do të dëmtonte njeri. Këtë fakt e gjejmë edhe tek “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Rexhep Qosjes. Për gruan shqiptare ndryshimi i rendeve nuk sjell edhe diçka të re. Ikin të vjetrit, vijnë të rinjtë, rrëzohen dhe shkruhen kushtetuta, por lirinë që i jep kushtetuta grave, e ndalon burri, si gruas, si bijës, si motrës. Vetëm plakat mund të jenë të barabarta.
Ne nuk jemi popull kushtetues, shtetformues, por antikushtetues, antishtet dhe kushtetutën e kemi si libër në raft, që nuk e lexon njeri. Neve nuk na intereson çfarë thotë kushtetuta për barazinë gjinore, ne jemi ata që pezullojmë atë dhe pranojmë vetëm të mirat që na sjellë neve burrave. Për dobinë vetjake shfrytëzojmë ligjet e reja, për ta shtypur gruan, kushtetuta pengon, prandaj i kthehemi herë religjioneve, herë kanunit dhe kështu anulojmë frymën e kohës: cajtgajstin. Pse? Sepse ne vuajmë nga një gjinofobi patologjike, e tmerrshme.
Shqiptari mund të jetë edhe intelektual i madh, por gruan ta mbajë në arrest dhe trajtojë si të mitur duke i bashkangjitur përcjellës pas, fakt për të cilin në Perëndim, do të burgosej. Shkrimtarja e shquar Bessa Myftiu thoshte në një intervistë se „tek ne quheshin kurva ato që ishin të virgjëra.“ Ky konstatim i madh, flet për gjendjen tonë të sëmurë. Në shkollat shqiptare duhet mësuar liritë dhe të drejtat e njeriut përmendsh, barazinë gjinore.
Në trojet shqiptare si lekturë shkollore e detyrueshme duhet bërë libri i Simone Beauvoir, “Gjinia e dytë”, 1949, që ka pasur një sukses të madh në botë dhe ndikuar shumë në kulturën perëndimore. Nëse e bëjmë, pas dy dekadave, do ta kemi brezin e parë të shëndoshë dhe ekuilibruar, që në shtëpi jeton me dashuri dhe respekt dhe nuk ka arsye të frikësohet aq shumë nga gruaja dhe pastaj nga tuta, ta nënshtrojë deri në depersonalizim dhe burgosje. (11.11.2017)
Imazhi i gjeneruar me ideogram
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen