16.07.2024

Donald Gjon Trumpi dhe Ameriko Veshkuqi

Shkruan Dr. Piskat Shkëmbi, doktor i oologjisë

1. Emri Donald është një fjalë e përbërë nga folja "dua" në vetën e tretë, (ai do) dhe ndajfolja e gegërishtes "nalt". DO-NALT. Në Epokën e Sa Zan, (në standard, Sa Zëri) Gurit thuhej "NALD", pastaj "d" ndryshoi në "t".

(Si te fjala shqipe tingullimituese "Dang", që shënon zhurmën nga vjen edhe fjala “Tango", sepse pa zhurmë nuk mund të ketë tango. Edhe “Valceri” vjen nga fjala “Valle”.) Nejse. Të vazhdojmë tutje. DONALD = Do nalt, domethënë ai që dëshiron të ngjitet në maje. "Do me shkue nalt…”

Mbiemri TRUMP është vazhdimësi logjike, simetrike dhe linguistike e emrit. Meqenëse "tru me pasë" zgjaste tepër shumë mbiemrin, atëherë një pjesëtar i fisit ardian nga Viçi Doli e shkurtoi dhe rrap-tap i mori vetëm dy shkronjat nismëtare "m" dhe "p" dhe ia shtoi "trurit" prapa. Kështu u krijua mbiemri TRU-MP, që domethënë Trumepasë.

Pra, për t‘u ngjitur lart, duhet edhe "tru", por jo për të zbritur, sepse njeriu nga ajo familje e lashtë ardiane, vdes nalt, por nuk zbret kurrë vullnetarisht poshtë. Ai i beson vetëm ligjeve të gravitacionit, jo të njeriut.

Nga shqipja është edhe emri Boll Gjata (Bill Gates) dhe Elan Maska (Elon Musk). “E lan me ujë maskën”, kur bëhet surrati i ndytë.

Autor i këtij studimi është Piskat Shkëmbi, doktor i oologjisë*, që merret merret me studimin e vezëve, por është i njohur si albanolog i madh alternativ. 

Doktor Shkëmbi u bën apel të gjithë shqiptarëve të merren me albanologji dhe histori. Për këto dy fusha nuk duhen studime, as specializime, madje nuk duhet as shkollë fillore, mjafton njeriu të jetë dhe të ndihet shqiptar. Pse? Sepse vetëm ai ka në gjene, më saktë në telomere, informatat e para mijëra vjetëve, që tani i kujtohen dhe i publikon në internet. Ai nuk shpik, nuk sajon, atij vetëm i kujtohen të dhënat e memorizuara para 10.000 - 20.000 vjetëve. Ndonjërit i kujtohen fakte edhe pas ndarjes nga shimpanzeja, para 5-7 milionë viteve. Fuqia e memorjes.

Doktor Piskat Shkëmbi së shpejti do të botojë librin “Vezët tona dhe Akademia”. Aty ai do të dokumentojë pse vezët janë më të vjetra se akademia.

Origjina e emrit GJON ende nuk është sqaruar përfundimisht. Dardanët e Kosovës mendojnë se vjen nga fjala “GJON”, nga shpendi grabitqar me pendë të murrme, pak më i vogël se kukuvajka, që këndon natën në verë. Kurse dijetarët e Iliridës thonë se vjen nga fjala “GJONTH” m. zool. “Morri i pemëve. Gjethe me gjontha.” E di Rama po hesht ende.

2.

Amerigo Vespucci, në fakt emër shqiptar nga: "Ai merr (dhe) ik" = Amerikë. 

Ishte nga familja fisnike shqiptare Veshkuqi, por akademikë tanë  e shqiptuan gabimisht, si Vespuçi. Ata paguhen mirë për të dëmtuar Veshkuqin. 

Edhe pse edhe emri VESPUÇI është emër i lashtë  pellazgo-ilir. Këtë nuk e di Akademia jonë, sepse ajo paguhet për të ditur pak.

Ja shpjegimi: 

VES - zakon i keq 

PUÇI nga PUÇ II m. 1. Maja e kokës. 

Në puç të kokës. I dhemb puçi i kokës.

2. Maja e vezës. I përplasnin vezët nga puçi.


VES-PUÇI, domethënë zakon i keq deri në maje të kokës. Ose zakon i keq deri në maje të vezëve! 

Merre si të duash, rrotulloje si të duash, 

nga para e prapa, fjala nuk mund të shpjegohet me një gjuhë tjetër pos me shqipen.

Sidoqoftë Amerik Veshkuqi, që zbuloi Amerikën, 

ishte me origjinë nga Vithkuqi i Korçës, jo nga VES PUÇI...

Në VESPUÇI janë njerzit shumë të pamoralshëm...Seksin e kanë ves dhe e bëjnë ku t’u teket…



*Oologjia është degë e zoologjisë që merret me studimin e vezëve, veçanërisht të shpezëve. Kjo përfshin analizimin e formës, madhësisë, strukturës dhe ngjyrës së vezëve, si dhe studimin e sjelljes së shpendëve në lidhje me vezët e tyre…


Imazhi, ideogram, pseudo shkencëtarët, mediokritetet, mashtruesit

Keine Kommentare: