30.08.2024

Po shkruajnë të gjithë

Ishte dikur një kohë kur tërë lagjja apo  krejt fshati nuk kishin një laps. Pasoi koha e arsimit të detyrueshëm dhe pastaj në çdo shtëpi ndryshoi gjendja. 

Gradualisht librat gjetën vendin e tyre, zakonisht në një raft të improvizuar me një dërrasë. Kush kishte disa, konsiderohej intelektual.

Klerikët patën kundërshtuar ardhjen e lapsit dhe fletores. Dëshira e tyre kategorike ishte dominimi i gruas dhe trajtimi i saj si fajtore.  Qysh nga molla e famshme. Kështu, duke i ndihmuar burrat për t'i shtypur gratë e veta, ata fitonin nga injoranca e burrave pa punuar fare. E patën kundërshtuar ardhjen e lapsit, si dikur shtypshkronjën e Gutenbergut. 

Lapsi dhe fletorja mund të provokonin të menduarit, të shkruarit, vizatimin etj. dhe të dobësonin besimin. E luftuan sa mundën. Tani janë dorëzuar. 

Pak më vonë u zbuluan makinat: pas tyre edhe autobusët, dhe përveç shoferit, nga rreth 50 udhëtarë, askush tjetër nuk kishte patentë shoferi. As nuk i duhej.


Kaloi edhe pak kohë dhe në autobus ngjiteshin vetëm ata që nuk kishin patentë dhe makinë. Shoferët e autobusëve nuk u alarmuan pse të gjithë po bëheshin edhe shoferë.

Në atë kohë, familja lahej e shpëlahej, krihej e ngjyhej dhe shkonte te fotografi për t’u fotografuar. Madje, i vinin duart mbi bark për të treguar orën e dorës. Burrat, edhe analfabetët, mbanin një laps në xhepin e palltos, gjysmën përjashta.

Sot të gjithë fotografojnë dhe kanë mijëra foto në celular, por nuk kam dëgjuar ende që fotografët të zemërohen pse po fotografon çdo njeri. Çdo fëmijë.


U shfaqën kompjuterët, interneti. Me to erdhën “YouTube”, “TikTok”, “Facebook”, portalet, blogjet etj.

Dhe, çdokush mund të bëhet protagonist: të lexojë lajme, të shfaqet si moderator, të këndojë, të bëjë humor,  të interpretojë dhe të shfaqet diku online, ku mund të shihet. 

Sa më pak lodhet truri i shikuesit, aq më shumë shikohet. Sa më seksi është imazhi pranë, aq më shumë pëlqehet. Sa më shumë provokon emocionet titulli i lajmit, aq më shumë klikohet.

A mund të kritikohet ajo masë njerëzish që klikon dhe pëlqen shkrime apo video që për pakicën nuk kanë vlera? Po, mundet, por nuk mund të pengohet dhe nuk duhet.  Çdokush ka të drejtë të shkruajë apo të lexojë çfarë i pëlqen.

Pastaj, në Facebook, njerëzit filluan të shkruajnë poezi, tregime, mbi gjuhën, mbi historinë dhe secili në temën që i interesonte. A mund të ndalohet? Jo. A duhet të ndalohet? Jo.

Askush nuk duhet të frikësohet nga shkrimet e të tjerëve, siç nuk u frikësuan as fotografët apo shoferët e autobusëve nga patentat e të tjerëve.

Nuk duhet të përbuzen ata që shkruajnë, edhe nëse shkruajnë keq, sepse nëse Ti shkruan mirë, ai nuk të lexon. Jo pse nuk do, por sepse është i një niveli tjetër. Nëse i sulmon ata atëherë bën mu si ata, që dikur sulmonin lapsin dhe fletoren. 

Shkrimet dhe idetë, edhe ato të gabueshmet, krijojnë një dialog dhe mundësi për mësim dhe zhvillim të mëtejshëm shoqëror. Por, në klasën e tyre. Secili në të veten.

Arti i vërtetë do të gjejë rrugën dhe ecën përpara. Ndoshta jo sot, jo nesër, por një ditë fashitet ky turr virtual dhe normalizohet jeta. Ndoshta. Te ne, as shpërblimet nuk janë gjithmonë tregues të vlerës dhe artit të vërtetë.

Çdo brez ka pasur frikë nga ndryshimet e mëdha, të cilat më vonë janë bërë normë. Sot çdo njeri ka qasje ndaj dijes, pavarësisht nëse është intelektual apo jo. Edhe nëse nuk ka asnjë libër në shtëpi.


Dikur shumica dëgjonte dhe pakica mendonte, sot mendon edhe Inteligjenca Artificiale. Po vizaton. Po pikturon. Po këndon.


Me artin e vërtetë nuk është marrë kur shumica, mirëpo ekzistenca e një elitarizmi intelektual do të vazhdojë të ruajë vlerat. Ajo nuk mund kurrë të rrezikohet.

Kuintesenca e këtij reflektimi është kjo: nuk duhet pasur frikë kur të gjithë shkruajnë, por kur e bëjnë pak veta ose askush.

Imazhet e gjeneruar me idiogram

Keine Kommentare: