Sidoqoftë në parajsë s’kishte vuajtje, sëmundje apo vdekje. Njerëzit dhe kafshët jetonin në harmoni të përsosur, dhe, njeriu fliste vetëm njerëzisht, kurse kafshët flisni kafshërisht dhe njerëzisht. Proto-pellazgjishten. Gjuhën e zotit. Edhe Eva dhe Adami.
Gjuha e kafshëve, kafshërishtja, i ngjante një dialekti të shqiptuar keq, ndonëse i thjeshtë dhe i pa stil. Kishte shumë pasthirrma dhe fjalë me shumë zanore. Gjarpri llafoste gjarpërisht dhe proto-pellazgjisht. Gomari i Balaamit fliste e pëlliste gomarishten. Gjuha e tij ishte me shumë zanore “I” dhe “A”, por aty këtu edhe një bashkëtingëllore si “H” për shembull. Nuk i duheshin më shumë, por njerëzishten e fliste bukur. Buburreci fliste një dialekt të milingonishtes, kali llafoste kalërisht dhe shpesh keqkuptohej nga kushërira tij, gomarica.
Nën një kaçube të dendur, gjarpri dremiste i heshtur dhe i zhytur në mendime. Deri në atë çast, ai ishte krijesa më e zgjuar në parajsë. Nuk arrinte të kuptojë përse Adami dhe Eva, nuk posedonin as dije, as vetëdije. Ata dy i dukeshin të mangët, një mister në një botë të përsosur. Ai përsiati gjatë, për orë të tëra, deri në perëndimin e diellit. Pastaj, si të kishte zbuluar një sekret të madh, mërmëriti me zë të ulët: „E gjeta!“ – tha ai, dhe lëvizi bishtin përpjetë nga krenaria e papërmbajtur.
Disa çaste më vonë, me lëvizje të shpejta, rrëshqiti drejt Evës, për t’i shpallur mendimin më gjenial që ndonjëherë kishte pasur një kafshë, një shpend apo një gjësend në Tokë.
Ishte viti zero. Muaji i parë, ‚kallnueruti’ quhej atëherë. Gjithçka ishte ende e re, e papërvojë dhe e pa histori. Ende nuk kishte marrë formë përfundimtare shtrirja e kohës, dhe çdo moment ishte një hap drejt diçkaje të panjohur, ku çdo gjë ishte në ndryshim e sipër.
(Teksti që do të lexoni është i gjetur në një pllakë guri në Tomor, ku kishte nisur edhe jeta, sipas Ton Gërrgurrës, një berber i papunë, por që në kohë të lirë merret me arkeologji online, duke zbuluar artefakte parahistorike nëpër portale dhe duke i shqipëruar ato. Ose, i kap bustet antike gafil me plis në kokë.
Ai beson se është specialist i Zanafillës, Epokës së Gurit të Vjetër, Gurit të Mesëm dhe Gurit të Ri, por edhe i Ardhmërisë. Ai u ndihmua edhe nga kolegu i tij, instaluese i ngrohjeve qendrore në Gjermani, albanologu i famshëm në kohë të lirë, Arsim Dudi. Biri i Dudijes dhe Mamutit.)
Sot, në profilin e tij në Facebook, ai ka publikuar pllakën e gurit ku është ngurtësuar dialogu i parë mes gjarprit dhe Evës. I vjetër 6-7 milionë vite. Pason teksti, i bërë publik nga Gërrgurra, Shqipëri dhe Dudi, Gjermani, ose nga berberi dhe instaluesi i ngrohjeve qendrore. Origjinali:
„Eva, a ju ka dhonët Krye-Imperëndëniata: 'Mos hangrit prej krejt bemvet t'oborrutit?" bieti xharpniti, tue dredhun bishtinori nkadal-nkadalet.
"Jo, s’e baske kuptutu mirën," ia bërkthen Eva me nja zanoru qaty sum t'butët. "Na mujna me hongërit prej krejt çëtynevet bemvet, veç çeti asaj këtyne bemëse qatyi yo, se shpër-përndryshed, thotë Krye-Zouseti, dekim nevet tanë. Na shkulit spiritin e sentë. Rrappi-tappit."
"Jo, jo," ia stërkkthen xhaarpniti me ni bozë-keshje t’sterholluemet. "Nuk munit me dekëvet! Ju çelosen kto katërt sytënë. Ty dhe A-Dhamit. Muni me u bâmën me dituniet si imperëndëniata vetunë! Si snuk kenit ken kurrëdikur. Kenit me dituno çka âshton e mirëu e çka âshton e keqqet, mu si vetunë Ai qi ju nreçiti nga lloçutiplehun.“
„Do të shkarokojëm vetëditunijet“, përmendoijke Eva e gotidunë knga tundimoriti. „Ah, nuk e ditun uneh sopse duhet me jetuom uneë si majmunitisi.“
E nxituritun nga ajo njohuritene, e sterzgati dorënë dhe e përmori frutënë e stërnaluome nga Krye-Imperëndëniata
„Krye-Zeusitu nuk embjellon paraa hundëtës çatë pemëtë qatu-ktu, me dhaashtun me stërnaluom sikur“, tha me zanorut të vockëlimat.”
“Pasi e kaçiti frutënë, meti si e mbiballaist nga lezetiti. I mbani disa hapa n’parajsërore kah A-Dhami dhe aty çaty e moriti veshët se aj ish ken cipridanos cullakis. U përmenua pak grima (minuta s’kish hende) me bae dhe herifin t’vetëdijtun apo me lanësh kafshët, duduk me vetëditunit sa t’majmunitit. A-Dhami nuk ken pasë ditun se ish lakuriqito. Njeri sum i trashëtë atje përnga mensmendja. Pas shumë stërmenimeve, ia lëshoi në dorë frutën A-dhamit.
“Merret mare!”- Ai nuk e shikoi, as nuk pyeti se çfarë ishte. E kafshoi. Pastaj e përtypi. Uli kokën dhe bërtiti i trishtuar:
„Evaaaa, Evaaaa, misht i mishitënë teme, kocit i kockiivet dhe eshtanvet të mia, tem, tika (atëherë quhej Toka) të lëshoftënë n’fundi! Pese emos me pasun ti marrete mori…“ rrospitun“ deshi të thotë, por nuk e tha.
Eva, e trishtuar nga agresiviteti i parë, i papritur që kishte ndier nga Adami, vrapoi drejt fikut. Aty, ajo zgjodhi një gjeth të madh, të gjerë dhe të gjelbër, dhe e vuri para duke e lidhur rreth belit me fije të gjata bari.
Nga ana tjetër, Adami qëndronte ende në tronditjen e momentit, me specin e varur, i ngjashëm me ata të vargut të specave të vjeshtës: i tharë, kokulur. Megjithatë, ai pa me vëmendje veprimin e Evës dhe e kuptoi se ajo kishte zbuluar diçka të re. Ai mori një grusht kashtë, e vuri para dhe e lidhi me dy thupra të holla ndërmjet mollaqeve. Më pas, e shikoi Evën me buzëqeshje. Në hiçvitin, brekët e vogla ishin zbulimi i parë i homo sapiensit: tangat. Fjala TANGA është pellazge, që shpjegohet vetëm me gjuhën shqipe: “TAN NGAT," që do të thotë „krejt ngat“, domethënë afër vitheve“.
Ai zbulim ishte një shenjë e parë distancimit nga majmunët, dhe një hap i parë drejt civilizimit dhe Inteligjencës Origjinale. Nga ky çast, ata e kuptuan se ishin të ndryshëm dhe filluan ta quajnë veten „Njeri“. Nga numri NJË.
Kjo ka ndodhur në malet e Tomorit, ku, sipas teorisë së Arsim Dudës, filloi një nga momentet më të rëndësishme të historisë së njerëzimit. Sipas interpretimit të tij, A-dhami dhe Eva, të cilët flisnin gjuhën e zotit – proto-pellazgjishten – ishin ata që lanë pas majmunërinë dhe shënuan ndarjen e thellë nga paraardhësit e tyre, shimpanzetë.
Arsim Dudi, një albanolog i njohur në kohë të lirë, i dha një shpjegim të veçantë etimologjisë së fjalës "EDEN." Ai zbuloi se kjo fjalë vjen nga proto-pellazgjishtja „E DINË,” që do të thotë „Aty ku dihet,” duke i dhënë një kuptim të thellë dhe mistik kësaj parajse ku Adami dhe Eva patën jetuar pa dije dhe pa vetëdije.
Gjuha që përdornin Adami dhe Eva, proto-pellazgjishtja, ishte një formë e përsosur e gjuhës hyjnore. Ndërsa, pas tyre, Abeli, emër nga fjala shqipe „ABETARE,” dhe Kaini, nga fjalët „KA JINI,” kaluan në një dialekt të rëndë, që më vonë do të ndikonte në krijimin e grupeve gjuhësore të indo-evropianeve, duke përfshirë greqishten, keltishten, koptishten dhe dhe të gjitha gjuhët tjera që i llafos sot njerizimi përditë. Pa pushim.
Shpjegime shtesë nga (AP) Akademia e Portaleve: Eva në fillim nuk quhej EVË, por LEVENDE: „Shtathedhur, e shkathët e zhdërvjellët; e fuqishëm e trime.“, prandaj e kishte shijuar mollën e ndaluar. Më vonë disa germave nuk u rrihej brenda emrit të saj dhe ranë, kurse A-dhami e quante EVË me përkëdheli.
Për prejardhjen e emrit Adam, Akademia jonë mendon se ai emër mund të shpjegohet vetëm me gjuhën e zotit, shqipen. Meqenëse zoti e dënoi Evën me lindje plot dhembje, Adamit ia theu një dhëmbë dhe kur e pa në tokë, bërtiti: „Asht dhami jem“. Asht-dhami, Adhami, Adami. „H“-ja kishte rrëshqitur nga emri se shumë popuj nuk dinin ta shqiptonin germën „dhë.“
Akademitë serbe dhe ruse po heshtin. Edhe ajo shqiptare. Madje kjo e jona e kundërshton zbulimin dhe faktet se zoti ka llafosur pellazgjisht, domethënë shqip. Edhe pse pllaka me mbishkrimin ekziston…
Imazhi inteligjenca Artificiale ideogram
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen