Në shoqëritë patriarkale, ekziston një bindje fikse që e konsideron të moralshme krenarinë e burrave me historitë e tyre të mëparshme dashurore, ndërsa gratë poshtërohen dhe gjykohen për të njëjtat përvoja. Ose, i detyrojnë të heshtin. Pra, për kënaqësitë që përjetohen me gratë, burri çmohet, për kënaqësitë që përjeton gruaja me burrat, poshtërohet tërë jetën.
E njëjta vepër: shpërblim dhe dënim. Nuk shqyrtohet etika e aktit, por për moral dhe amoralitet vendosin organet gjenitale. Vetëm bolet!
Në jetë kam dëgjuar gra duke thënë se burrat e tyre kanë pasur shumë të dashura para tyre, por shumica nuk e gjykonin të kaluarën e tij. Kanë vetëdije të lartë dhe sedër. Sigurisht mendojnë se e kaluar nuk ndryshohet dhe nuk do të jetë as treguese, as vizatuese e ardhmërisë. Por ende nuk kam dëgjuar një burrë që të thotë: “Gruaja ime ka pasur disa të dashur para meje.”
Mungon besimi në vetvete dhe sinqeriteti, dhe kjo na mësohet që në shtëpi. Sharjet dhe poshtërimet që na bëhen gjatë fëmijërisë, i besojmë vetë kur rritemi dhe mendojmë se çdo djalë tjetër është më i mirë se ne, më i denjë, më burrë. Kjo na bën xhelozë dhe do të na merrej fytyra nëse dikush di për të kaluarën e bashkëshortes, prandaj edhe nëse ajo ka pasur ndonjë, do të përpiqemi t’ia fshimë nga mendja. Te e kaluara e gruas burri i prishur me edukatë patriarkale, lexon shkatërrimin e ardhmërisë. Të familjes.
Do të përpiqet ta ndryshojë të kaluarën e saj, por nuk ia del kurrë. Përfundimisht, e tregon vetëm vogëlsinë dhe komplekset e veta, dhe për këtë shkak ka shumë sukses në shkatërrimin e së tashmes dhe të ardhmërisë. Shpesh edhe të fëmijëve. Për të shkuarën që nuk zhbëhet. Që nuk korrigjohet më. Atë gjykim, atë trishtim, atë turp, e predikon patriarkalizmi dhe ai duke mos guxuar ta jetojë jetën e vet, por atë që e pret rrethi prej tij, mendon se i rritet burrëria nëse gruan e dënon për periudhën kur ai nuk ekzistonte në jetën e saj.
Nëse nuk ka barazi gjinore, nuk ka as drejtësi njerëzore! Nuk ka dashuri, por vetëm dominim dhe zhvleftësim të njeriut. Në një sistem kaq primitiv, edhe kafshët trajtohen më mirë se gratë. Ai standard i dyfishtë buron nga një sistem i pabarabartë, i padrejtë vlerash, ku e njëjta përvojë njerëzore penalizon gruan, ndërsa burrin e shpërblen – për të njëjtin akt.
(Ishte viti 1985 dhe po kthehesha nga puna. Punoja në arsim. Në rrugën pranë shkollës, pashë një vajzë të bukur që më tërhoqi menjëherë vëmendjen. Isha me një të afërm dhe e pyeta nëse e njihte. Ai më tha se burri e „ka lëshu" natën e martesës, sepse nuk kishte qenë „çikë“, pra nuk kishte qenë e virgjër. Po djali, a ka pasur të dashura?, pyeta unë. Sigurisht, tha ai.
Në atë bisedë na ndërpreu një shok tjetër. Të nesërmen shkova tek i afërmi dhe i kërkova informata për atë zonjë, por ai nuk dinte asgjë. U përpoqëm të merrnim më shumë informacion, por nuk e gjetëm kurrë.)
Ai burrë e pat dënuar vajzën pse nuk ishte e virgjër. I pat dëmtuar dinjitetin publikisht, por pas saj, qe martuar me një vejushe, i ati i së cilës punonte në Zvicër. Meqenëse nuk u nda prej saj natën e parë, ajo sigurisht kishte qenë „çikë!“ Për këtë martesë të tij, pata dëgjuar disa vite më vonë. Pas vejushës së virgjër, ai i ndreqi letrat në Zvicër. Sipas normave amorale të patriarkalizmit, ai burrë kishte vepruar drejtë.
Në shoqëri pa barazi gjinore ka shumë dyfytyrësi që imponohet me dhunë. Si vlerë. Si moral. Aty jetohet nën hijen dhe nën pushtetin e boleve. Aty njerëzit gënjejnë njëri-tjetrin dhe mburren me rrenat e veta.
Kjo hipokrizi kolektive nuk është vetëm çështje e një morali të deformuar, por një burim stresi, zhgënjimi, i cili prodhon konflikte në familje, që shtyjnë shumë njerëz për të emigruar, për t’u larguar nga një realitet i tillë, në kërkim të një jete ku dinjiteti, integriteti, barazia gjinore, drejtësia dhe privatësia janë normale, jo përjashtime. Ku jeta i takon individit, jo familjes.
Aty ku vendimet i marrin kryesisht poseduesit e boleve, jo të mençurisë, ka shumë korrupsion, shumë padrejtësi dhe fare pak lumturi. Aty konsiderohet „shkencëtarë“ jo eksperti i fushës, por çdo njeri që dëshiron të bëhet dhe turma e duartroket, sepse është më e padijshme sesa mediokritetet, të cilëve u beson.
Kur gratë të kenë të drejta të barabarta me burrat dhe morali shoqëror të shihet si i njëjtë për të dy gjinitë, atëherë intensiteti i padrejtësive, i korrupsionit dhe kurvërisë së karaktereve të burrave, do të binte ndjeshëm.
Nuk do të ekzistonin më Qendrat e Masazhit, së paku jo sa tani, sepse kur ta përvetësonin atë të drejtë amorale edhe gratë, burrat nuk nuk do ta financoni atë veprimtari dhe nuk vdisnin në tryezë masazhi. Në mënyrë heroike! Plot nder. Si veteran. Problemi nuk është te vdekja e tij, por te pranimi social i veprës.
Në anën tjetër, shumë gra kanë përfunduar jetën pa përjetuar ditë të lumtur! As pa kuptuar pse jetuan! Duke shërbyer ditë e natë.
Ps.
Ju lutem kur jepni mendimin Tuaj për gratë, kini parasysh faktin se nënat tona ishin gra.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen