20.12.2024

Kur dashuria përfundon

E vetmja gjë më e shtrenjtë dhe më e kufizuar që kemi në jetë është koha. Kur një dashuri përfundon, do të ishte logjike ta falënderojmë tjetrin për kohën që na ka dhuruar. Koha që kemi kaluar bashkë është një dhuratë e çmuar. Një përvojë. Një mësim!

Asgjë më shumë, thjesht falënderim, mirëkuptim dhe mirënjohje, pa urrejtje apo drama të tjera. Kjo është mënyra më e shëndetshme për të mbyllur një kapitull dhe për të ecur përpara.
Por, kur dikë e konsiderojmë pronë tonën, shpesh e lëndojmë qëllimisht, ne burrat, duke u përpjekur ta dëmtojmë dhe ta traumatizojmë sa më shumë, për ta bërë sa më të paaftë për jetën e mëtejshme. Ky është një abuzim që dëmton jo vetëm tjetrin, por edhe vetveten.
Burrat që e bëjnë këtë besojnë se rifitojnë nderin e humbur pas ndarjes. Sa më shtazarakë të jenë, aq më shumë mendojnë se janë “burrërorë”. Shpesh veprojnë nën trysninë e pritshmërive të rrethit të tyre social, që beson se e pret prej tyre këtë “burrëri”. Ky është një iluzion i rrezikshëm që nuk mbështetet në respektin për vetveten ose për të tjerët.
Në një shoqëri patriarkale, licenca morale për të dëmtuar – madje edhe për të vrarë – shpesh merret brenda familjes.
Kur përfundon një dashuri, zakonisht burrat (përjashtime bëjnë pak prej tyre) kërkojnë dhe shpejt gjejnë zëvendësime, duke filluar lidhje me gra të tjera. Arsyeja është se ata besojnë se rikrijojnë sedrën, që mendojnë se u është dëmtuar me humbjen e dashurisë së mëparshme. E përjetojnë si rënie burrërie.

(Ata nuk i besojnë dinjitetit të njeriut, por për ta ka burra dhe gra. Shpesh vuajnë për nënat e tyre duke shkaktuar vuajtje tek nënat e fëmijëve të tyre.)
Ndërsa gratë, shumica, natyrisht, edhe këtu ka përjashtime, presin të krijojnë një lidhje të re vetëm pasi të shërohen nga drama që kanë përjetuar dhe të kenë qartësi se çfarë dëshirojnë nga një marrëdhënie tjetër. Ato nuk janë të prira të kalojnë në një lidhje tjetër për t’u ndier më mirë, por për të gjetur diçka që do t’i plotësojë dhe do t’i bëjë më të forta.
MOS ia mëso fëmijës xhelozinë! Do t’i kursesh shumë telashe nesër.
Dashuria është emocion, jo pronë. As nuk është gjësend, që mund futet në xhep apo të mbyllet në sirtar. Ajo është një ndjenjë që ndihet ose jo. Ajo nuk është detyrim, por vullnet vetjak. Shfaqje.
Nga njeriu i mirë nuk ndahet askush, por nga i ligu dëshiron çdokush.

Imazhet chaGPT

Keine Kommentare: