Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, nuk është Hashim Thaçi i Hagës. Ata të dy kanë të njëjtin emër e mbiemër, të njëjtën fytyrë, madje edhe të njëjtat sjellje, por në fakt janë dy njerëz krejtësisht të ndryshëm.
I pari ka qenë me pushkë në dorë që nga dita e parë e kryengritjes; i dyti, përkundrazi, është pacifist i madh që nga dita e parë. Shëmbëlltyrat e këtij të dytit ishin Ibrahim Rugova dhe Mahatma Gandi.
Ai i Hagës është sozi, dytëshor i Hashimit, sepse Thaçi i vërtetë i ka ikur arrestimit. Ndërsa origjinali jeton i fshehur diku në Kosovë dhe drejton PDK-në. Disa burime anonime thonë se është strehuar në një ujdhesë të largët, ku jeton i papenguar, i pazbuluar, i lumtur dhe nuk merret më me politikë.
Mirëpo ky Thaçi i Hagës e tregon një të vërtetë tjetër: Adem Demaçi dhe Albin Kurti kanë qenë shefa të tij. Ndërsa origjinali ka qenë vetë shef i shtabit dhe ka firmosur në Rambuje.
Shërbime sekrete mendojnë ndryshe: për ta, i vërteti është pikërisht në Hagë, ndërsa i rremi gjendet në Kosovë. Dy teori, dy botë, dy Thaçë.
Nga ana tjetër, në Kosovë disa besojnë se Thaçi i vërtetë gjendet në burg dhe protestojnë në Hagë. Disa prej tyre kanë qenë dëshmitarë të fshehtë dhe sot besojnë se e lajnë fytyrën e vet të pafytyrë, duke shpresuar se me protestë fitojnë breroren e patriotit.
Pikërisht disa prej tyre edhe kanë kërkuar dhe kanë kontribuuar që të shkojë në Hagë Thaçi origjinal – pa e marrë vesh se i vërteti i mashtroi dhe e dërgoi atje një tjetër që i ngjan atij.
Pra, mendohet se në Hagë gjendet vetëm një kopje, të cilin Thaçi e ka paguar për ta mbajtur burgun në vend të tij – me 5.200 euro në muaj. Ky, sidoqoftë, duhet nxjerrë jashtë, se po kushton shumë. Prandaj tani duhen protesta. Nuk përfundon këtu.
Thaçi i vërtetë i paska premtuar se burgu do të zgjaste vetëm disa muaj, por ky që po fiton nuk ka ndërmend të dalë. Nuk do. Dëshiron të mbetet edhe disa vite. I duhen më shumë lekë dhe burgun e përjeton si pushim “all inclusive”. Aty kursyeka shumë. Këtu qëndron problemi.
E kush e di cila është e vërteta? Askush. As dreqi nuk i bie në fije. Cili Thaç është pacifisti dhe cili ishte shefi i shtabit me plot autoritet? Problem është ngjashmëria e madhe mes atyre dyve. Duket. Së paku duket ashtu.
Dhe tani kemi një ngërç të madh mendor: nuk dihet lirimin e cilit Thaç e kërkojnë Isa Mustafa dhe Edi Rama – atë të vërtetin, të cilit vetë ia patën mbushur mendjen të themelonte Prokurorinë, Gjykatën dhe burgun për vetveten, apo atë të rremë që gjendet në Hagë, por që disa besojnë se është origjinali?
Atë Thaç që themelimin e Gjykatës së Posaçme e konsideronte akt patriotik, kurse Mustafa e quante larje e shpërlaje, ose ekzorcizëm – kundër së cilit do të kishte protestuar sikur ta kishte shëndetin.
Ndërkaq, për të bindur Thaçin origjinal që ta themelonte Gjykatën për Thaçin, Edi Rama pat ardhur në vitin 2015 nga Tirana me helikopter. Ndoshta për të rrejmshin kishte menduar Rama atëherë. Mendohet si i njeh që të dy.
Mirëpo, natyrisht, Rama nuk ka faj. Fajet i ka Kosova, që nuk nxjerr një rezolutë kundër kontributit të Thaçit, Mustafës, Ramës dhe Kuvendit, të cilët themeluan atë institucion për nevoja private të një Thaçi. Nuk dihet për cilin Thaç.
Mua, në fund, më janë turbulluar idetë dhe nuk kuptoj më botën: më lind dyshimi se mund të ketë edhe një Hashim Thaç tjetër, i treti, i cili shtiret herë si origjinali, herë si kopja – dhe që të tre përfitojnë nga emri i madh i dikurshëm i Hashim Thaçit origjinal, me të cilin liria kishte vetëm emër…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen