15.11.2025

Dashuria është e përkohshme, familja e përjetshme

Në Kinë gjendet një bashkësi kulturore e veçantë me rreth 30.000 banorë. Ata kanë traditë tjetër, jo si shumica kineze. Quhen Mosuo dhe jetojnë pranë Liqenit Lugu, në provincat Junan–Siçuan.

Kultura e tyre ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe ka ndikuar në rritjen e turizmit në atë zonë. 

Ata nuk njohin martesën tradicionale, prandaj nuk kanë konflikte, zhgënjime, dëshpërime apo divorcet nëpër gjykata. Kanë një sistem familjar i cili quhet matrilinear. Aty dashuria konsiderohet një ndjenjë e përkohshme, kurse familja një strukturë e qëndrueshme dhe e përhershme. Në dokumentarin e televizionit ARTE u përmend shkurt jeta e tyre, por në internet ka shumë shkrime për ta.

Gruaja gëzon lirinë e plotë për të zgjedhur partnerin. Jo një, por sa i pëlqejnë asaj gjatë jetës. Në të shumtën e rasteve, vëllezërit dhe motrat nuk kanë të atin e njëjtë. Në anglisht kjo martesë e lirë quhet “walking marriage” (tisese, në kinezisht). Në shqip, në përkthim të lirë, mund të quhet „martesë vajtje-ardhje“, „hyrje-dalje“ ose „bashkëshortësi vizitore“. Megjithëse, më duket e pakuptimtë të quhet martesë. As fejesë, jo. Dashuri e lirë, po.

Sidoqoftë, burri viziton gruan vetëm gjatë natës dhe në mëngjes kthehet në shtëpinë e vet. Fëmija që lind i takon vetëm familjes së nënës dhe rritet nga gjyshja, nëna, motrat dhe vëllezërit e saj. Gjyshi nuk ekziston.

Pasuria kalon nga nëna, te fëmija. Filozofia e jetës së tyre: dashuri e lirë, familje e përhershme, paqe në komunitet duke parandaluar që çifti të rrënojë strukturën familjare. 

Mosuo-t e kanë zgjedhur këtë formë të “dashurisë me ardhje-vajtje”, sepse besojnë se bashkëjetesa e një çifti sjell konflikte, keqkuptime, probleme familjare, si edhe çështje të ndërlikuara ekonomike. Babai nuk ka asnjë obligim ndaj fëmijës. Ai i takon nënës. Duke e rritur fëmijën vetëm brenda familjes së nënës, ata synojnë të garantojnë një mjedis më të qetë emocional, pa tensionet që mund të lindin nga bashkëjetesa bashkëshortore. Gjatë kohës së Mao Ce Dunit, partia kishte tentuar t’i detyronte të martoheshin, por kultura e tyre kishte mbijetuar.

Duke kërkuar në internet më shumë informata për atë kulturë, gjeta edhe një tjetër në Kinë. Në Guangxi ekziston një traditë e flokëve te gratë: ato mbajnë flokë shumë të gjatë, shpesh mbi 1.5 metra, dhe kjo dërgon një mesazh. Nëse gruaja i ka flokët e mbuluar, është e pamartuar. Nëse i ka të mbledhur, është e martuar. Nëse i ka të lidhur rreth kokës, ka fëmijë.

T’i kthehemi temës së parë, e cila duket ekzotike, dhe ta analizojmë pak. Të themi se burri vizitor është një tregtar që shet grurë. Një bujke (korrektori ma nënvizon me të kuqe emrin bujke, sepse gjuha patriarkale nuk njeh nocion femëror të bujkut) blen disa kilogramë dhe e mbjell një arë. Ajo kujdeset për arën, për ujitjen, korrjen dhe bluarjen. I kujt është gruri dhe buka tani? I atij që e ka shitur apo i asaj që e ka kultivuar? Përgjigja logjike: e bujkës.

Këtu mund të kuptohet roli i burrit në një raport me një grua dhe arsyeja pse babai aty nuk ka asnjë obligim. Ai përjeton kënaqësinë e vet dhe kthehet nga erdhi. Në vend të tij, një ditë tjetër shfaqet tjetri.

Meqenëse gjithnjë e më shumë nëna rrisin fëmijët pa baba, duket se evolucioni po na dërgon drejt Liqenit Lugu. Te dashuria e tyre të drejtë pronës mbi gruan nuk ka as burrë, as grua. Ti je e imja apo i imi nuk mund të ekzistojë. Dhe, përderisa ato gra vendosin, nuk mund të imagjinohet t’u thonë djemve të vet: shkoni, vrisni fqinjët dhe vidhni çfarë të mundni. Nënat nuk e bëjnë këtë. Por burrat egërsira? Ata përdorin fëmijët e huaj për t’u bërë hero të lavdisë, ndërsa fëmijët e vet i lënë të qetë. Pushtues, imperatorë, qesarë, carë, quhen kriminelët që vrasin njerëz në shtëpi të vet dhe shkatërrojnë familjet e të tjerëve. Edhe jetën e vrasësit…

Kur të kemi të paktën 50% gra në vendet udhëheqëse, do të kemi shumë më pak mjerim, maskara dhe gjenocide. Dhe shumë më shumë lumturi...

Imazhi me Copilot



Keine Kommentare: