Në vitin 1789 u shpallën Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, në fakt të Burrave, sepse ato nuk vlenin për gratë. Për këtë arsye, Olympe de Gouges, emri i vërtetë Marie Gouze, shkroi Deklaratën e të Drejtave të Gruas dhe të Qytetares.
Edhe në epokën e iluminizmit dhe të revolucionit, burrat vazhdonin të besonin se gratë ishin krijuar vetëm për të shërbyer burra dhe familjen. Ato nuk kishin të drejtë vote, nuk mund të arsimoheshin dhe as të zgjidhnin burrin e tyre. Fëmijët e lindur jashtë martese quheshin "bastardë" në Francë, ndërsa kopilë te ne. Në familje, burrat ishin policë privatë të moralit.
Olympe de Gouges u martua kundër dëshirës së saj, kur ishte vetëm 17 vjeç. Vendimin e mori vëllai i madh. Me pajën që solli në shtëpinë e burrit, ai hapi një restorant.
Pak më vonë, burri i vdiq dhe ajo mbeti me djalin e saj dhe nuk u martua më. Ishte analfabete, por mësoi vetë në shtëpi. Me vullnet e pasion, ajo u bë shkrimtare dhe revolucionare. U dallua si autore dramash, romanesh dhe shkrimesh politike.
Të gjithë e quajnë feministe, dhe me të drejtë, por unë e konsideroj luftën e saj si një luftë për të drejtat e njeriut, sepse njeri nuk është vetëm burri. Për fat të mirë. Edhe pse me fakte, më së paku njeri ishte burri mijëra vjetët e fundit. Madje edhe sot shihet kafshëria e tij. Ai vret, keqtrajton dhe nënshtron bashkëshorten, çfarë nuk ndodhë te asnjë kafshë.
Ajo kërkoi barazi. Aty ku nuk ka, nuk ka drejtësi, nuk ka dashuri, por posedim dhe nënshtrim. Burrat ruanin për vete dominimin: pushtetin mbi gratë e veta, sepse u pëlqente të ishin despotë në shtëpi, ndërsa gratë e tyre, skllave.
Olympe de Gouges luftoi gjithashtu kundër skllavërimit të afrikanëve dhe kërkoi ndihmë nga shteti për njerëzit që mbeteshin pa punë. Ajo kërkoi të drejtën e shkurorëzimit. Përveç të drejtave sociale, ajo luftoi edhe për të drejta politike dhe juridike. Në kohën kur Franca po bëhej Monarki Kushtetuese, ajo shkroi Deklaratën për të Drejtat e Gruas dhe të Qytetares, e cila kundërshtonte privilegjet e burrave.
Para 232 viteve iu pre koka.
Deklarata u publikua në vitin 1791, dy vite pas asaj të burrave, me titullin “Të Drejtat e Gruas, Letër Mbretëreshës…”
Përkthim nga frëngjishtja:
(…)
Teksti hapet me një thirrje drejtuar Marie-Antoinette-s, mbretëreshës, ku e fton t’i bashkohet luftës së grave për barazi.
Nenet i ka shkruar duke e bazuar në modelin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit të miratuar në vitin 1789.
Olympe de Gouges kërkoi për gratë të drejtën e votës, barazinë në punësim dhe të drejtën e pronës private. Ajo e dëshironte barazinë ligjore mes burrit dhe gruas: lirinë e mendimit, bashkimin martesor të lirë dhe krijimin e materniteteve. Neni 10 profetizon: "Një grua ka të drejtë të ngjitet në skelë të gijotinës, ajo duhet të ketë gjithashtu të drejtë për t’u të ngjitur në tribunë.“
Duke filluar nga vera e vitit 1792, Olympe de Gouges mori qëndrim kundër dhunës së tepruar të Revolucionit. Ajo u bë një nga viktimat e terrorit dhe u ekzekutua me gijotinë më 6 nëntor 1793. Arsyetimi zyrtar ishte, veprimtaria kundër revolucionit, por në fakt ajo u dënua sepse sfidoi pushtetin mashkullor dhe politikën zyrtare të kohës.
Deklaratë e të Drejtave të Gruas dhe Qytetares (1791) për t’u dekretuar nga Asambleja Kombëtare në seancat e saj të fundit ose në legjislaturën e ardhshme.
Preambulë
Burrë, a je i aftë të jesh i drejtë? Është një grua që të bën shtron këtë pyetje; së paku këtë të drejtë nuk do t’ia mohosh.
Më thuaj, kush të ka dhënë pushtetin sovran për të shtypur gjininë time? Forca jote? Talentet e tua? Vështro Krijuesin në urtësinë e tij; përshko natyrën në gjithë madhështinë e saj, të cilës duket se dëshiron t’i afrohesh, dhe më jep, nëse guxon, shembullin e këtij sundimi tiranik.
Kthehu te kafshët, këshillohu me elementet, studio bimët, dhe më në fund hidh një vështrim mbi të gjitha ndryshimet e materies së organizuar; dhe prano të vërtetën kur të ofroj mjetet për ta parë; kërko, hulumto dhe dalloi, nëse mundesh, gjinitë në administrimin e natyrës. Kudo do t’i gjesh të ndërthurura, kudo bashkëpunojnë në harmoni për këtë kryevepër të pavdekshme.
Vetëm burri shpiku një parim duke e kthyer përjashtimin në rregull. I çuditshëm, i verbër, i mbushur me shkencë dhe i degjeneruar, në këtë shekull iluminizmi dhe mençurie, në injorancën më të ligë, ai dëshiron të sundojë si despot mbi një seks që ka marrë të gjitha aftësitë intelektuale; që pretendon se gëzon revolucionin dhe kërkon të drejtat e saj për barazi, për të mos thënë asgjë më shumë.
Ne, nëna, bija, motra, përfaqësuese të kombit, kërkojmë të pranohemi në Asamblenë Kombëtare. Duke pasur parasysh se injoranca, harresa ose mosrespektimi i të drejtave të grave janë shkaqet e vetme të mjerimit publik dhe korrupsionit qeveritar, kemi vendosur të shpallim solemnisht të drejtat natyrore, të patjetërsueshme dhe të shenjta të grave, në mënyrë që kjo deklaratë të jetë vazhdimisht para syve të të gjithë anëtarëve të shoqërisë, duke u kujtuar vazhdimisht atyre të drejtat dhe detyrat e tyre.
Në mënyrë që ushtrimi i pushtetit nga gratë, ashtu si ai i burrave, të mund të matet në çdo kohë kundrejt qëllimit të institucionit politik dhe kështu të respektohet më shumë; në mënyrë që ankesat e qytetareve, të mbështetura tashmë në parime të thjeshta dhe të pakundërshtueshme, të sillen gjithmonë rreth ruajtjes së kushtetutës, të moralit të mirë dhe të lumturisë së të gjithëve.
Si pasojë, gjinia sipërore në bukuri, ashtu si në kurajën e vuajtjeve amësore, njeh dhe shpall, në praninë dhe nën kujdesin e Qenies Sipërore, të drejtat e mëposhtme të gruas dhe qytetares.
Nenet
ARTIKULLI I
Gruaja lind e lirë dhe mbetet e barabartë me burrin në të drejta. Ndryshimet shoqërore mund të bazohen vetëm mbi dobinë e përbashkët.
II
Qëllimi i çdo shoqërie politike është ruajtja e të drejtave natyrore dhe të pacënueshme të gruas dhe burrit: këto të drejta janë liria, prona, siguria, dhe mbi të gjitha rezistenca ndaj shtypjes.
III
Parimi i çdo sovraniteti qëndron thelbësisht tek kombi, i cili nuk është gjë tjetër veçse bashkimi i gruas dhe burrit: asnjë institucion, asnjë individ, nuk mund të ushtrojë autoritet që nuk buron qartë prej tij.
IV
Liria dhe drejtësia qëndrojnë në kthimin e gjithçkaje që i përket të tjerëve; kështu, ushtrimi i të drejtave natyrore të gruas ka kufij vetëm nga tirania e përhershme që burri i kundërshton; këta kufij duhet të riformohen nga ligjet e natyrës dhe të arsyes.
V
Ligjet e natyrës dhe të arsyes ndalojnë çdo veprim të dëmshëm për shoqërinë: gjithçka që nuk ndalohet nga këto ligje të urta dhe hyjnore, nuk mund të pengohet, dhe askush nuk mund të detyrohet të bëjë atë që ato nuk urdhërojnë.
VI
Ligji duhet të jetë shprehja e vullnetit të përgjithshëm; të gjitha qytetaret dhe qytetarët duhet të kontribuojnë personalisht, ose përmes përfaqësuesve të tyre, në krijimin e tij; ai duhet të jetë i njëjtë për të gjithë: të gjitha qytetaret dhe qytetarët, të barabartë në sy të tij, duhet të jenë të pranueshëm në të gjitha dinjitetet, pozitat dhe detyrat publike, sipas aftësive të tyre, dhe pa asnjë dallim tjetër përveç virtyteve dhe talenteve të tyre.
VII
Asnjë grua nuk përjashtohet; ajo akuzohet, arrestohet dhe mbahen në rastet e përcaktuara nga ligji. Gratë i nënshtrohen si burrat këtij ligji rigoroz.
VIII
Ligji duhet të vendosë vetëm dënime strikt dhe qartë të nevojshme, dhe askush nuk mund të ndëshkohet përveç në bazë të një ligji të vendosur dhe të shpallur më parë për veprën dhe të aplikuar ligjërisht për gratë.
IX
Sa herë që një grua shpallet fajtore, ligji zbatohet ndaj saj në mënyrë rigoroze.
X
Askush nuk duhet shqetësuar për opinionet e tij, edhe ato themelore; gruaja ka të drejtë të ngjitet në skele gijotine, duhet të ketë po ashtu të drejtën të ngjitet në tribunë. (...)
XI
Komunikimi i lirë i mendimeve dhe opinionet është një nga të drejtat më të çmuara të gruas, pasi kjo liri siguron legjitimitetin e babait ndaj fëmijëve. Çdo qytetare mund të thotë lirshëm: “Jam nënë e një fëmije që i takon juve”, pa u detyruar nga paragjykime barbare të fshehë të vërtetën; përveç rasteve të abuzimit me këtë liri të përcaktuara nga ligji.
XII
Garantimi i të drejtave të gruas dhe qytetares kërkon një dobi të madhe; ky garantim duhet të krijohet për përfitimin e të gjithëve, jo vetëm për dobinë e veçantë të atyre që i besohet.
XIII
Për mirëmbajtjen e rendit publik dhe për shpenzimet administrative, kontributet e gruas dhe burrit janë të barabarta; ajo merr pjesë në të gjitha punët, në të gjitha detyrat e rënda; ajo duhet të ketë po ashtu pjesëmarrje të barabartë në shpërndarjen e pozicioneve, punëve, detyrave, dinjitetit dhe industrisë.
XIV
XVI
Çdo shoqëri në të cilën garancia e të drejtave nuk është e siguruar, dhe ndarja e pushteteve nuk është përcaktuar, nuk ka kushtetutë; kushtetuta është e pavlefshme nëse shumica e individëve që përbëjnë kombin nuk ka kontribuar në hartimin e saj.
XVII
Pronat i takojnë të dy gjinive, qoftë së bashku, qoftë të ndarë; ato janë të drejta të pacënueshme dhe të shenjta për secilin. Askush nuk mund të privohen prej tyre si pasuri e vërtetë e natyrës, përveç kur nevoja publike, e vërtetuar ligjërisht, e kërkon qartë, dhe gjithmonë me kushtin e një kompensimi të drejtë dhe paraprak.
Ps. Në internet shkruan se ekzekutua më 03.11.1793, por te Asambleja Nacionale Franceze shkruan 06.11.1793. Shqipërimi i neneve me pak shkurtime. Lis Bukuroca
Origjinali gjendet te Asambleja Nacionale Franceze:

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen