05.03.2026

Vetëdëmtimi

Liderët politikë shqiptarë nuk e pritën mirë suksesin e presidentes. Kosova, edhe pse ende nuk është e njohur nga të gjitha shtetet dhe edhe pse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, u ftua të marrë pjesë në Bordin për Paqe, si ide e presidentit amerikan.

Për takimin në Davos, liderët politikë shqiptarë mezi u deklaruan ose u përmbajtën. Ata, të gjithë, ndiheshin në gazep. Pak më vonë, vizita e presidentes në Uashington dhe përfshirja e Kosovës si themeluese e atij bordi kaluan me mërmëritje apo edhe pa to nga liderët politikë shqiptarë.
Mund të ishte aty Serbia, por jo Kosova. Kjo mundësi ekzistonte.

Sjellja e tyre tregoi se kapitalin politik dhe diplomatik të presidentes nuk i pëlqeu asnjë lideri politik. Përkundrazi, ata e ndienin veten të rrezikuar, të mënjanuar dhe të zvogëluar nga ky sukses.

Nga ana tjetër, partitë opozitare që e akuzonin Albin Kurtin për antiamerikanizëm, kur panë se Kosova dhe përfaqësuesja e saj po pranoheshin seriozisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e mbyllën gojën. Madje nuk flisnin më as për aleatin tonë të madh.

Gati pesë vitet e fundit Serbia u trajtua me shumë mirëkuptim nga Perëndimi, ndërsa Kosovës iu vendosën sanksione nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse Serbia e sulmoi Kosovën ushtarakisht dhe më pas provoi sërish akte sabotimi, duke tentuar të hedhë në ajër me dinamit infrastrukturën e ujit në veri.

Dhe, për terroristë u mbajt ditë zie, kurse të tjerët janë ende në liri.

Me gjithë ato veprime destruktive dhe luftënxitëse të Aleksandar Vuçiqit, Perëndimi tregoi tolerancë ndaj tij. Tani, kur duket se Perëndimi po e korrigjon qasjen dhe po afrohet më shumë me Kosovën, ne – në vend se të veprojmë në atë drejtim – po e shpërfillim apo dëmtojmë këtë proces.

Sot kemi një situatë paradoksale: një grua me profil të lartë intelektual, juriste që ka përfunduar studimet në Amerikë dhe mban titullin doktor, nuk votohet për shkak të aftësive të saja. Sepse ata mund t’i falin asaj çdo gabim, por kurrë jo suksesin.

Ata nuk duan që kontributi i saj diplomatik të kapitalizohet për shtetndërtimin e Kosovës dhe për forcimin e pranimit ndërkombëtar. Përkundrazi, preferojnë një figurë më të dobët, një kryetar inferior në natyrë dhe dije, një kryetar metaforik, simbolik.

Metafora është e thjeshtë: mosvotimi i kryetares është si të përjashtosh portierin më të mirë nga skuadra dhe pastaj të presësh fitore jashtë… madje edhe kur luan kundër Serbisë.

Liderët kosovarë në radhë të parë vendosin vetveten dhe nderin, në të dytin partinë, në të tretin shtetin. Kjo renditje e lëndon rendin demokratik dhe e dëmton shtetin, sepse është kulturë tribale e bajraktarizmit kategorik që nuk mund t’i përshtatet sistemit. Bota na ndihmoi kur na shkatërronte Serbia, por nuk mund të na ndihmojë kur, me pasion të madh, dëmtojmë vetveten.

Por kjo është një shfaqje tashmë standarde në Kosovë. PDK, LDK dhe AAK, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës, u zvogëluan edhe si parti dhe e ndihmuan Vetëvendosjen. Tani, pas një ngjitjeje të madhe, Vetëvendosja rrezikon ta ndihmojë opozitën.

Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se, në rast zgjedhjesh, Vetëvendosja dhe Albin Kurti 51% nuk i arrijnë më. Prandaj, për ta, zgjedhjet janë rrezik politik.

Të rrezikohet mandati i sigurt nuk është mençuri. Në politikë, pushteti humbet më shpesh nga vetëdëmtimi sesa nga kundërshtari.

Kurti duhet ta ruajë mandatin e vet. Presidenca nuk duhet të jetë shkak për zgjedhje. Kjo nuk është strategji politike – kjo është entropi. Ose, thënë më thjesht: harakiri politik.

Keine Kommentare: