25.01.2026

Deklaratë zyrtare, Bota sot

 Ne, deputetë që kemi marrë më shumë vota sesa na takonin, nga dashuria e madhe për atdheun, paqen dhe mirëqenien, njoftojmë formimin e fraksionit parlamentar, i cili më vonë do të regjistrohet si parti, me emrin:

Lista e Marrjes Demokratike (LMD), e cila deri më tani ka funksionuar si asociacion nën hije i politikanëve të ndershëm të opozitës.
Lista jonë synon legalizimin e marrjes (që në mënyrë poshtëruese quhet “vjedhje”) dhe përfaqësimin e politikanëve që tash e 25 vjet kanë garantuar stabilitet, përparim, pasurim, paqe, siguri dhe liri në marrje, pa ia kufizuar këtë të drejtë asnjë politikani të rëndësishëm.

Motoja jonë është: “Nëse ke kontribuar dje, marrja të lejohet sot dhe do të jetë legale. Legjitime. Mos u tut! Vepro!”

LMD përshëndet angazhimin e prokurorisë dhe thekson se marrja në pyetje e 109 komisionerëve shihet si interesim i madh për anëtarësim dhe pjesëmarrje aktive në jetën e Listës. Kosovës nuk i duhen prokurorë e gjykatës që luftojnë personalitetet e popullit tonë shumë të përvuajtur.

I ftojmë edhe gjykatësit dhe prokurorët t’i bashkëngjiten partisë sonë, e jo të veprojnë si deri tani, të shpërndarë. Vetëm bashkimi prodhon forcë aktive dhe efekt.

Thirrje për anëtarësim u drejtohet edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pa këta të fundit, veprimtaria jonë për atdheun tonë shumë të dashur, Kosovën, mund të rrezikohet dhe penalizohet.

Meqë jemi shumë, na nevojiten edhe kryetari, edhe rregulli normativ.

Statuti i përkohshëm i LMD-së:

Neni 1:
Kuvendi i Listës përbëhet nga 109 komisionerë heroikë dhe fisnikë, të cilët, si autorë dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të procesit zgjedhor, kanë të drejtë të propozojnë kryetarin e LMD-së, pesë nënkryetarë dhe tre kryetarë nderi, si kontribuues të dëshmuar në të kaluarën për shtetndërtim.

Funksioni i arkëtarit nuk parashihet, pasi kjo kompetencë u lejohet të gjithë anëtarëve të kryesisë, e cila do të përbëhet nga shtatë anëtarë.

Neni 2: Empatia:
Autoritet i fundit mbi votën është numëruesi. Vetëm atij i lejohet të ndihmojë analfabetët dhe t’ua korrigjojë votën destabilizuesve të atdheut: hajvanatit.

Neni 3:
Zhvendosja: Rishpërndarja e votës bëhet ekskluzivisht në shërbim të atdheut tonë.

Neni 4 Liria:
Ndalohet ndalimi i marrjes, pasi ajo përbën trashëgimi politike dhe praktikë tradicionale të stabilizuar. Politikani gëzon imunitet të plotë në këtë veprimtari fisnike dhe atdhetare.

Neni 5 Transparenca:
Transparenca garantohet përmes konsensusit të heshtur institucional, ku gjithçka dihet, por asgjë nuk hetohet.

Neni 6 Mirënjohja:
Çdo politikan që ka marrë, fiton statusin e veteranit, pasi marrja shoqërohet me trauma të dokumentuara: pagjumësi, drojë dhe çrregullime të tjera psikike.

Neni 7: Përndjekja
Përgjegjësia është kolektive dhe, si e tillë, nuk i takon askujt veç e veç. Ndalohen hetimet individuale, pasi cenojnë dinjitetin e politikanit që ka kontribuar dje ose‚ 'flijohet‘ sot për atdheun tonë të shtrenjtë.

Neni 8 Presidenca:
LMD nuk do të pajtohet kurrë me zonjën Osmani si presidente, pasi kjo rrezikon stabilitetin dhe mund të nxisë një luftë qytetare. Ftohen edhe partitë e tjera që t’i bashkohen kësaj bindjeje, pasi refuzimi i saj përbën akt të lartë atdhedashurie.

(Kryetarja është e lidhur me Trumpin; Trumpi është njeri i Rusisë; kryetarja e mbështet Kurtin; Kurti është njeri i Serbisë; pavarësia është në rrezik.)

Kjo deklaratë hyn në fuqi menjëherë. Statuti do të plotësohet pas themelimit formal të partisë. Ftojmë edhe gazetarët, analistët dhe të pasurit e tjerë që ndihen të rrezikuar nga Vetingu apo nga Byroja Serbe për Sekuestrimin e Pasurisë të anëtarësohen zyrtarisht dhe të përkushtohen me dinjitet dhe pasion për ruajtjen e demokracisë, lirisë dhe moscenimin e dinjitetit të njeri
ut.

Të luftojmë me protesta, me mosbindje qytetare, me debate televizive, shkrime, statuse në Facebook dhe konferenca për shtyp kryeministrin dhe kryetaren, të cilët, sipas njohurive tona, i kanë shpallur luftë elitës politike dhe mediatike, pa e kuptuar se, pa këtë elitë, Kosova humb pavarësinë.

Nëse sot nuk e luftojmë, diktatura komuniste vjen.
Të veprojmë së bashku, jo të degdisur si deri tani, si bagëtia e bujqësia e Çajupit.
U miratua njëzëri, pa kundërshtime dhe pa procesverbal.

Në emër të Këshillit të Komisionerëve
Grupi Themelues i Listës së Marrjes Demokratike (LMD)
Kryetari i përkohshëm, anonim (shpallet me 31 janar)

[Vula e LMD-së, nuk është gati]
Selia, përballë Gjykatës Kushtetues, kati i parë

Prizren, 25 janar 2026

Bota sot
#highlights

Keine Kommentare: