27.01.2026

Shpejtë e shpejtë

Reeagim ndaj një komenti të zonjës Alma Lama

Opozita e pati mundësinë të krijonte qeveri.
E pati mundësinë të zgjidhte kryetarin e Kuvendit.
E pati mundësinë ta votonte Konjufcën dhe e deshi vetë datën 28.12.
Tash ankohen se iu imponua, sepse paskan ardhur armiqtë e Kosovës.

Pushteti nuk u mbajt me forcë, as kundër ligjit, por u mundësua nga opozita.
Ajo jo vetëm që e mundësoi, por e prodhoi dhe e stabilizoi atë gjendje.
Në Kosovë nuk ka autokraci. Te opozita ka mungesë dije.
Opozita nuk guxon të premtojë shtet ligjor, as Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, as veting.

Ajo premton vazhdimin e politikave të Thaçit dhe Mustafës.
Po t’i kuptonin LDK-ja dhe opozita gabimet e veta,
do të kishin ende një shans për t’u korrigjuar, për t’u përmirësuar.

Por ata ndihen rehat duke u shtirur si viktima dhe po dëshmojnë se nuk kanë as subjektivitet politik, as individual, as intelektual, por janë spektatorë të dështimit të vet. Domethënë, njerëz pa aftësi për veprim dhe ndryshim.
Pa vullnet, pa guxim dhe pa aftësi për vendime reale, vetjake, nuk ka as ndryshim e as përmirësim.

Prandaj i përsëritni gabimet. Prandaj degradoheni vetë. Prandaj LDK-ja përfundon si bisht politik i PDK-së dhe i AAK-së.

Është tragjike që në LDK nuk mbeten as pesë veta që e shohin realitetin me sy.
Gjoja mburren me Rugovën, por kryetar nderi e kanë Isa Mustafën, patericën e Thaçit.

E morën në dorë një parti me vlera historike dhe e shndërruan në një klub makiavelistësh provincialë, pa vizion e pa parime, që ushqehen me intriga dhe mbijetojnë duke u zhytur në viktimizëm të rremë.

Një parti që dikur udhëhiqte procese, sot kënaqet duke u ankuar dhe duke u shkarravitur në debilitetin e vet. Kryesia e sotshme, e mbushur njëkohësisht me krenari të djeshme dhe viktimizim të rremë, të sotshëm, po shkruan vetë kronikën e dështimit dhe të zhbërjes historike.

Duke refuzuar çdo vetëreflektim, ajo e kërkon dhe e gjen fajin gjithmonë jashtë vetes, kurrë brenda saj. Pikërisht për këtë arsye, kjo parti është e dënuar të shuhet: jo nga Kurti, diaspora, e armiqtë, por nga vetvetja.

Imazhi IA

Keine Kommentare: