30.07.2019

Populli nuk e meriton as qeverinë, as kryetarin, Gazetaexpress


“Çdo popull meriton qeverinë që ka!” Këtë mendim e ka thënë Joseph Marie de Maistre në vitin 1811. Ai ishte shkrimtar francez, diplomat, përfaqësues filozofisë katolike shtetërore dhe njëri ndër themeluesit e sociologjisë. De Maistre ishte kundër Revolucionit Francez dhe mbrojti me përkushtim të madh themelet e “ancien régime”, absolutizmin dhe rrihte mendimin se monarkia ishte një rend i legjitimuar nga zoti, prandaj i nevojitej ai postulat fatalist. 

De Maistre ishte kundër ideve të iluminizmit vajtonte jo vetëm absolutizmin, por edhe inkuizicionin dhe pat shprehur keqardhje, pse shtjellimet iluministe nuk qenë ndaluar. Mendimi tij ishte se Papa është i pagabueshëm. 

Pra, mbronte atë qëndrim, që ishte bërë conditio sine qua non, nga zyrtarizmi i krishterimit, deri te Martin Lutheri, që tronditi poseduesin e së vërtetës në Vatikan dhe me shfaqjen e Descartit në shekullin vijues, u rilind filozofia, që kishte dhënë shpirt me shenjtërimin e së vërtetës kishtare në Romë. 

De Maistre shkruante: „Iluminizmi ishte shkaktar që Luigji i XVI humbi fronin dhe jetën. Librat kanë ushtruar këtë ndikim thotë Voltaire. Pa dyshim, sepse i lanë librat të bëjnë gjithçka, madje ai (Voltaire) ishte qesharak, sepse ai besonte se një komb pa një teatër dhe pa një observator, nuk është i denjë për të marrë frymë." 

Kam gabuar edhe unë me kritikat ndaj popullit. Kritika ndaj popullit u bëhet të gjithëve dhe askujt. Isha gabim. Ai është i pafajshëm. Kjo ndodh kur besohen mendimet e huaja dhe i jepen baza faktike pa u shqyrtuar se ai reziston nje shqyrtimi serioz sot. Mendime të tilla përsëriten për komoditet sepse vetë nuk duhet të lodhim kokën.

Kur të kuptojmë se unë, ti, ajo, ai, jemi populli, nuk do t’i mbanim popullit ligjërata plot patos e oratori, por do të viheshin në krye të tij! Ne presim ai të veprojë si pajisjet digjitale, autonome. Për t‘u ngritur populli, duhet një lider, që shfaqet si alternativë sipërore e aleancës së arrivistëve, që defaktorizoi shtetin dhe rrënoi imazhin e vendit. Pa lider popujt janë masë jo aktive, jo vetëm te ne, por kudo në botë.

Popujt nuk meritojnë qeveritë që i kanë, sepse ato janë pasojë kompromisi, imponimi; herë trashëgohen, herë imponohen me dhunë, herë me manipulime. Asnjë popull nuk meriton njerëz si Hitleri, Stalini, Enveri, Kim Jong-un e shumë të tjerë. Një popull do të meritonte qeverinë, nëse pjesa dërmuese e tij e ka votuar! Diku mbi 90 %, ose sipas parimeve demokratike, së paku 51 %. Çdo popull meriton qeveri të mirë, sepse ai paguan.

Si mund të thuhet populli meritoi Thaçin kur dihet se kalkulimet egoiste të Isa Mustafës, sollën atë në krye të vendit pa pyetur popullin? Si mund të thuhet se populli meritoi Ramushin, kur me votë e ka refuzuar atë kategorikisht?!

Për të qenë korrekt duhet thënë: Thaçin e meriton ajo pjesë e popullsisë që ka votuar LDK-në dhe PDK-në. Edhe votuesit e të parës nuk janë pyetur fare. Vendimi është marrë nga një narcist patologjik, për një narcist tjetër patologjik, por që kanë një ideal të përbashkët: të vdesin në karrige!

Duke pohuar e përsëritur se populli ka qeverinë që meriton, po i shfajësojmë, po  shpallim të kotë ndryshimin, sepse meqenëse populli meriton këta që kemi, si mund nesër po ky popull, të meritojë të tjerë, të mirët dhe të drejtët?

Me atë mendim se i meritojmë, po përligjim injorancën e tyre dhe fajësojmë popullin e pafajshëm të cilin me eksperimente, me debate e shkrime, ia përsheshëm edhe kulturën, edhe identitetin, edhe shëmbëlltyrat, edhe historinë edhe sedrën. Asnjë popull në botë nuk meriton rrjet mafioz në krye, as psikopatë, as kriminelë, por kjo herë pas here nuk mund të mënjanohet. Nuk mund të mënjanohet jo pse populli nuk e dëshiron, por sepse mungon udhëheqësi, lideri i madh!

Në periudhën amorale popujt sillet sipas modeleve që i ofrojnë ata që i ka në krye dhe mbi krye! Populli nuk jeton në nje planet tjetër dhe kur sheh si sillen politikanët ndaj shtetit, kur shohin si vjedhin, kur shohin punësimet, atëherë abuzimet dhe krimet humbin vlerën amorale dhe shtrihen në të gjitha sferat e jetës administrative. Vjedhja nuk habit më, por mosvjedhja! Mosdija nuk tmerron, por dija! Aty e tuje ka vetë improvizime, fshehje të veprave penale, ose arsyetim të dëmeve.

Sa here të qortojmë popullin, pse duron aq shumë padrejtësi, si punësime farefisnore, korrupsionin dhe mosfunksionalitetin e sistemit administrativ, kryesisht prokuroritë dhe gjykatat, ku nisë rrënimi i shtetit të së drejtës, mendojmë: “Pse nuk po i lufton dikush tjetër ato që unë i shquaj dhe konstatoj si të rrezikshme për shtetin ligjor? Unë jam ai që duhet të mendojë, por të veprojë, duhet të tjerët! Ata duhet vetëm të vihem në lëvizje, të organizojë revolucionin dhe të shembin kleptokracinë! Populli duhet të ngrihet, jo unë, sepse unë nuk jam populli. Unë jam mendimtar dhe nuk kam kohë!”

Ata që mendojnë kështu vihen mbi popullin, mu si edhe shtresa sunduese, që ata duan ta shembin, apo burgosin. Tani ai i quajtur popull nuk ka vetëm një klasë politike mbi vete, por edhe një shtresë qortuese, që e shanë për mungesë ndjesie, dinjiteti, inteligjence dhe perceptimi. E pikërisht ai popull pa kokë, duhet të zbatojë udhëzimet e një analisti, publicisti, moderatori, shkrimtari, apo të një intelektuali tjetër në përgjithësi.

Kush është populli? Kosova në janarin e vitit 2017 kishte 1,783,531, por për zgjedhjet e po këtij viti, qenë ftuar 1.900.000 veta. Më shumë se 30 % e atij populli janë të mitur. Nja 500.000, apo më shumë. Na mbetet si popull i moshës madhore diku një milion e 300 mijë veta. Gjysma prej tyre gra. Kur kritikojmë popullin zakonisht nuk mendojmë se gratë duhet të na çlirojnë, apo jo?

Koalicioni PAN kanë votuar diku 240.000 gra dhe burra, apo  34,07 për qind e votuesve. Nëse këta kanë nga tre anëtarë të familjes të moshës madhore, do të rezultojnë 720.000 veta, që mbështesin këtë elitë idiokratike. Kur t’i shtojmë atij numri edhe diku 50. 000 veteranë të shpifur dhe nëse themi se ata i kanë nga tre anëtarë të familjes, zbardhen edhe 200.000 veta, që mbështesin hajninë institucionale, sepse edhe ata vjedhin muaj për muaj. Kur t’i shtohen atij numri edhe punësimet tribale atëherë mbështetësit e vjedhjes aktive industriale, mund të arrijnë në 800.000 persona. Po falja e milionave bosëve nga kryeministri?

Në Kosovë nuk jetojnë më shumë se 1.200.000 banorë. Kjo domethënë se 400.000 veta mund të konsiderohen popull, që do të dëshironin të rrëzojnë milionerët e sotshëm. Gjysma e tyre janë gra. Na mbeten 200.000 veta që duhet të revoltohen, por pa lider. (Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 2013 numri i kosovarëve emigrantë nëpër botë ishte 550 mijë. 59 % në vitin 2017 nuk kanë votuar!)

Kur çdonjëri prej nesh të mos lejojë të nxjerrë veten nga ai popull, që e konsiderojmë kope, atëherë përgjegjësia për mosveprim dhe durimin e padrejtësive marramendëse do të binte në rend të parë mbi ne që i shohim ato abuzime dhe që i kritikojmë. Ne kryesisht vëmë gishtin mbi plagë, por nuk ofrojmë alternativë dhe me mendimet tona, me fjalimet tona oratorike, me debatet tona, përpiqemi të ngremë popullin në këmbë, por pa udhëheqës, sepse “mendimtarët” nuk kanë kohë të dalin në krye të popullit. Ata, sipas vendimit hyjnor, duhet të shkruajnë, jo të dalin në rrugë! Duhet të udhëzojnë, jo të veprojnë. Ose, të përtypim një mendim tendencioz të njërit nga kundërshtarët e ashpër të iluminizmit.

Kjo gjendje faktike ka krijuar dhe stabilizuar tri shtresa, ose më saktë, tri kasta në shoqëri, dhe tre sisteme, që bashkëjetojnë në harmoni të plotë të papenguar me profit të ndërsjellë.

Grupi i parë janë narcistët patologjik, që konsiderojnë veten të pagabueshëm dhe nuk kanë ndërmend të tërhiqen, nëse nuk i mënjanon i lumi. Ata bëjnë çdo gjë për interesa vetjake, sepse sukses për ta nuk është kontributi, sovraniteti, por aftësia për të mbijetuar në karrige, qoftë edhe me kacavarje, si tani kryeministri.

Shtresa e dytë janë gazetarët, publicistët, opionistët, moderatorët, shkrimtarët dhe të gjithë ata që shprehin mospajtimin me statuse në platforma sociale për gjendjen dhe imazhin e vendit.

Kritikat apo kallëzimet penale që behën publike, që prokuroria i shpërfill me heshtje stoike, grupi i parë, pushtetarët, i degradojnë ato në liri të shprehjes, që ata e garantojnë dhe i durojnë për hir të demokracisë duke mbështjellë veten me një brerore prej demokrati. Kjo domethënë: “Ju lejoj të shani, por më lejoni të pasurohem!”

Organi i akuzës nuk mund të luftojë bosët e vet, sepse ata tok me gjykatat, janë pjesë e rrjetit mafioz, që  garantojnë paprekshmërinë dhe mbijetesën kleptokracisë.  Aty ndiqen dhe burgosen kryesisht ata që nuk gjenden nën çadrën e mafisë politike, ose që nuk mund të blejnë prokurorin e gjykatësin!

Shtresa e tretë është populli. Ajo masë që si nga grupi i parë, ashtu edhe nga i dyti, përjetohet si kope e butë, si lopë për t‘u mjelë.

Kasta e parë, apo shtresa sunduese mashtron me premtime, e dyta e sulmon për injorancë dhe e ushqen vazhdimisht me skandale dhe kështu përjashton veten nga populli, ku realisht dhe objektivisht ka vendin. Në këtë makiavelizëm të kristalizuar përfitojnë mediat, pra kasta e dytë, me lajme e bujshme, me të cilat u drejtohet emocioneve të popullit. Akoma pa mbaruar një skandal, zbulohet tjetri dhe populli nuk çuditet më, por argëtohet dhe nëse i mungojnë, i kërkon nëpër portale „kazan“ që merren me sensacione. Elita e korruptuar deri në palcë, nuk tmerrohet, por gëzohet se për skandalet e tyre, për vjedhjet, po diskutohet, po shfryhen dhe po harrohen.



Keine Kommentare: