Kosova është ndër vendet themeluese të një OKB-je të vogël me një lider të madh. Aty subjektiviteti i Kosovës u theksua dhe u përforcua botërisht. Ftesa nuk ishte formale; ishte një akt politik. Dëshmi shtetësie dhe ne, më mirë të gjendemi në një Bord Paqeje me SHBA-në sesa pa Amerikën në OKB. Serbia duhet ta ketë marrë mesazhin.
Qëndrimi i Trumpit ndaj presidentes ishte i përzemërt, i drejtpërdrejtë me respekt, dhe pritet të jetë i favorshëm për Kosovën. Sjellja e tij mund të lexohet edhe si porosi për liderët partiakë në Kosovë: për ata që nuk e duan Vjosa Osmanin, jo sepse ajo e ka përfaqësuar Kosovën keq, por përkundrazi, sepse e ka përfaqësuar shumë mirë. Prandaj ata nuk pajtohen me rizgjedhjen e saj.
Albin Kurti është personaliteti që di dhe ka guxim ta ndërtojë shtetin juridik. Vjosa Osmani e plotëson dhe e ndriçon atë shtet.
Bordi i Trumpit është një ide shumë e dobishme, sepse Organizata e Kombeve të Bashkuara është shndërruar në një teatër burokratik interesash, ku fuqitë e mëdha shpesh bllokojnë njëra‑tjetrën, prandaj nuk ka arritur të zgjidhë asnjë konflikt si duhet.
Në botë ka shumë padrejtësi dhe popuj të shtypur. Shqiptarët e Luginës, shqiptarët e Iliridës, shqiptarët në Greqi, të gjithë janë dëshmi e gjallë e atij dështimi ndërkombëtar. Europa e di, por nuk ndryshon gjë. As OKB‑ja.
Për shqiptarët, të qenit pjesë e një organizate të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është privilegj i madh. Është garanci për siguri, për shtetësi dhe për orientim civilizues.
Sa për Europën: po të vareshim vetëm prej saj, sot do të ishim ende nën Serbi. Historia e Kosovës është dëshmi. Amerika mendon dhe vepron. Europa bën deklarata dhe shkruan rezoluta. Edhe OKB‑ja. Të tjerët komentojnë apo heshtin.
Të kërkosh një kryetar tjetër, në vend të një figure të vlerësuar ndërkombëtarisht, do të thotë t’ia heqësh Kosovës lidhjen e saj më të fortë me Trumpin pikërisht në çastin kur i duhet vendit më shumë. Kjo domethënë t’i sillet Kosovës në krye një anonim pa kontakte dhe pa asnjë simpati jashtë vendit.
Ja një shpjegim i thjeshtë, për të kuptuar më lehtë liderët e opozitës, por edhe një fillorist, se çfarë do të thotë mosvotimi i Vjosës:
Domethënë, të marrin vendime të këqija, por të presin rezultate të mira. Ose si në futboll: me lojtarë të ligës së tretë të presin fitoere në ligën e parë. Ose edhe më thjesht: të fikin dritat në presidencë dhe pastaj të ankohen se nuk po shohin, se nuk po e gjejnë derën apo dritaret.
Kush e mohon këtë realitet, thjesht i fik dritat vetvetes dhe pastaj do të çuditet pse Serbia nuk gjendet në terr!
Opozitës nuk i rritet vlera duke refuzuar apo duke kushtëzuar, por duke kuptuar peshën e institucionit dhe mundësinë e kandidatit për kontribut: dijen e tij. Duke vepruar për interesat e shtetit, e jo, si deri tani, vetëm të partisë. Pra, duke e mbështetur më të mirën që kemi në skenën politike. Vjosën. Ky është patriotizëm.
Me kryetar pa autoritet të pranueshëm ndërkombëtar dhe pa besueshmëri te aleatët, Kosova do ta përjashtonte vetveten nga tryezat ndërkombëtare, ose do të mbetej një figurë simbolike. Anësore.
Vjosa Osmani nuk është e rëndësishme vetëm pse çmohet brenda Kosovës, por sepse për aftësitë e saj diplomatike njihet, respektohet dhe pranohet jashtë saj. Dhe pikërisht kjo i tmerron kundërshtarët e saj.
Të zëvendësosh një figurë të tillë me një emër të padëgjuar, vetëm për pazare të brendshme politike, do të thotë ta dobësosh shtetin me vetëdije. Qëllimisht. Dhe kjo nuk mund të quhet politikë opozitare; është një akt kriminal që dëmton drejtpërdrejt shtetin.
Dhe në fund, një këshillë liderëve të opozitës, por edhe kësaj here me zë të ulët, që të mos e dëgjojnë të gjithë: mos e mashtroni veten as në ëndërr se mund të luani me shtetin e Kosovës dhe të prisni që Trumpi të dorëzohet para jush.
Uleni bishtin, për Kosovën, përndryshe ju shkurtohet.
Kosova ka nevojë për vazhdimësi, stabilitet dhe figura me peshë ndërkombëtare; ajo nuk ka kohë për të përmbushur epshet absurde dhe lakmitë e disave, apo t’i trajtojë komplekset e tyre të vogëlsisë.
Hamzë, Lumir apo Avdullah, mos e harroni këtë: Vjosa nuk u ftua në Bordin e Paqes vetëm që shteti i Kosovës të ishte njëri nga themeluesit e tij, por u ftua edhe për t’ju treguar juve se ku e ka vendin ajo. Kaq për sot.
Imazhi IA
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen