Mos voto më kurrë atë
politikan të votuar nga populli, i cili braktisë zyrën e vet, ku e
ka dërguar populli, me një makinë dhe shofer të paguar nga
populli, që shkon te një klerik i pa votuar për t' i uruar një
feste fetare. Mos e votoni atë sepse ai po zhvleftëson pozitën,
degradon pushtetin e besuar nga populli dhe po i nënshtrohet një
kleri që nuk propagandon dashurinë në mes njerëzve pa dallim
religjioni, race, ngjyre apo kombi.
Mos voto kurrë këtë
politikan i cili faktorizon religjionet, sepse Europa ka dëbuar ato
nga shteti, si pasojë e mësimit të madh që ka marrë gjatë
historisë. Vrasjet shkaktuar nga religjioni, me motivim nga
religjioni, nuk di t' i tregojë as historia saktë; kanë ndodhur,
po ndodhin dhe do të ndodhin, nëse u jepet hapësirë. Edhe lufta e
sotshme mes hebrenjve dhe palestinezëve burim kryesor ka dy
ektstremizme fetare, dy urrejtje reciproke. Europa këtë mësim të
gjenocideve në mes protestantëve dhe katolikëve e ka paguar me
miliona njerëz. Sot kjo luftë po përsëritet në mes fraksioneve
muslimane dhe duke i referuar të njëjtin zot, si edhe tek
krishterët dikur.
Mos voto kurrë një politikan i
cili edhe pse i zgjedhur nga populli, për t' i shërbyer popullit,
merret me promocionin e religjioneve. Në Europë politikanët nuk i
nënshtrohen klerit, por urimet fetare i bëjnë nga zyra ku i ka
veshur populli me pushtet dhe me flamurin e kombit pas shpine.
Mos voto kurrë një politikan i
cili gjunjëzohet para njerëzve që kanë studjuar një libër, që
thonë se njeriu u krijua nga balta apo dheu, e jo si e dëshmon
shkenca me fakte, me mijëra libra se: bazat substanciale të
ndërtimit të gjallesave, edhe bimëve janë: proteinat, yndyrat dhe
karbohidratet, e jo dheu, siç shkruan në revistën gjermane
“Focus.” Vetëm skulptorët ndërtojnë njerëz nga dheu...
Mos voto kurrë atë politikan që
merret me faktorizimin dhe ngritjet e klerikëve. Me vizitat që ata
u bëjnë prijësve fetar, po i përgatisin nesër për ta marrë
pushtetin dhe po shërbejnë si aktorë publiciteti për ta. Ata po u
falin atyre besueshmëri dhe pranueshmëri politike.
Mos e voto dhe mos i fal
rrëshqitjet. Demokracia përforcohet nga ndryshimi i politikanëve,
jo nga ndërtimi i despotizmit. Toleranca fetare rrezikohet sepse
religjioni nuk po trajtohet si në Europë si çështje private e
njeriut, por po shfaqen tutorë, që nga pagat e tyre, nuk u falin as
dhjetë për qind të varfërve, por u marrin duke
i mbushur njerëzit me krenari dhe mosdurim ndaj religjionit
apo kombit tjetër.
Mos voto ata politikan që
përkulen para rregulloreve dhjetëra shekuj të vjetra, por voto atë
politikan që përkulet para kushtetutës. Aty janë rregullat dhe
përkufizimet si jetohet jeta sot. Nëse dëshiron të jetosh dje,
atëherë voto ata politikan dhe prijës fetar, është e drejta jote
elementare në demokraci, por imponimi i dhunshëm nuk lejohet në
demokraci, sepse ky rend ka edhe rregullat e përkufizuara mirë si
të mbrohet nga teokracitë dhe diktaturat. Edhe pse sot tek ne nuk
funksionojnë.
Pra mos voto kurrë atë
politikan që përziejnë religjionin me politikën, sepse nga kjo
përzierje kanë vdekur dhe janë shituar miliona familje. Sikur të
ishte e mirë simbioza, do ta bënte këtë edhe Europa. Mos lejo
askush të të interpretojë religjionin,
ai nuk është shkruar për filozof dhe interpretues, por për
popullin që nuk dinte shkrim lexim.
Nëse përcjell rënien dhe
ngritjen e politikanëve shqiptarë, atëherë kupton mirë pse kemi
pasur aq shumë Qesarë në Perandorinë Romake, pse aq shumë vezirë
e guvernatorë në Perandorinë Osmane dhe pse edhe sot kemi
ambasador shqiptar të Kosovës akredituar në Çeki nga Serbia.
Nëse nuk ka politikan që
meriton të votohet, atëherë mos voto fare, kështu ndihmon në
krijimin e partive të reja, që merren me problemet e jetës dhe me
lumturinë e njerëzve derisa të jenë gjallë. Asnjë religjion nuk
është universal. Vlerë universale është vetëm ajo që pranohet
dhe besohet nga të gjithë popujt e kësaj toke: që është i mirë
dhe i pranueshëm për të gjithë. Religjionet e sotshme janë vlera
fragmentare dhe me përkrahje të kufizuar...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen