15.10.2016

Oficeri gjerman për trimërinë shqiptare, Zëri


Albanologu Robert Elsie paska përkthyer një raport të oficerit nazist August Schmidhuberit i shkruar më 2 tetor 1944 në Bavari. Aty flitet për mungesë disipline te shqiptarët, për ikje nga fronti, për uri për municion, për mungesë respekti ndaj eprorit dhe se për të mbajtur 20 ushtarë shqiptarë të disiplinuar, duheshin dy oficerë gjermanë. Përkthimin e albanologut Rober Elsie kanë publikuar shumë gazeta shqiptare, pa asnjë vërejtje, pa asnjë kritikë! Domethënë e kanë besuar të gjitha! Çfarë thotë “Duden” për nazizmin: “Lëvizje ekstreme politike, nacionaliste, imperialiste, raciste e themeluar pas LDB dhe e pranuar në Gjermani!”
Atë denigrim nacional shqiptar, gazetat tona kishin përkufizuar si : “Rrëfimi brilant i oficerit gjerman...!”

Ja mendimi i oficerit Schmidhuber përkthyer nga albanologu Elsie:

“Për shqiptarët disiplinë do të thotë kufizim i lirisë… Ata kanë kohë. Nuk duan të luftojnë në formacione luftarake, por në bandat e tyre…Kur nis të bjerë shi, shqiptari e braktis pozicionin e tij. Kur errësohet ai ikën dhe shkon në fshat për të pirë një gotë raki. Kur ka kaluar 12 ditë në detyrë, ai kthehet në shtëpi për 4-5 ditë pa pyetur e pa marrë leje e mandej edhe mund të kthehet, por edhe jo… Shqiptari nuk e pëlqen stërvitjen dhe qitjen. Ajo çfarë ai do më shumë është thjesht të qëllojë me armë kurdoherë që kjo është e mundur, i fshehur duke qëlluar i lumtur në ajër. Uria shqiptare për shumë e më shumë municion nuk ka kufij...”

“Kurajua dhe heroizmi i shqiptarëve është një tjetër mit. Ti mund të vësh përpara dhe ta ndjekësh një shqiptar përgjatë rruzullit me një mortajë të lehtë. Ndërkohë që në sulm, ai nuk shtyhet shumë, deri aty ku gjen diçka për vjedhur apo plaçkitur. Sapo ka kapur dhinë, plugun apo rrotën e një makine qepëse, lufta për të ka mbaruar dhe ai kthehet në shtëpi. Sa për mbrojtjen shqiptarët janë ekstremisht nervozë nga zhurma e mortajave. Në kushte të tilla, është absolutisht thelbësore që korpusi i oficerëve drejtues të jetë i madh.
Për 20 shqiptarë të duhen dy oficerë gjermanë: një që t’i drejtojë dhe një tjetër që të hedhë sytë e t’i ruajë”

Nuk ka asnjë dyshim se ka shqiptarë siç portretizohen nga oficeri fashist. Nuk ka asnjë dyshim se te çdo komb ka njerëz të tillë. Nuk ka asnjë dyshim se krejt shqiptarët nuk janë të tillë, siç i vizaton një oficer, që ka ardhur nga Bavaria i armatosur dhe i cili atyre ushtarëve u ka pushtuar vendin. Po a ishin vërtetë ata shqiptarë trima apo frikacak, siç mendon ai oficer fashist, sa qenka aq e rëndësishme të përkthehet mendimi tij?

Trimëria shqiptare

T'ia nisim nga lartë:„ Shqiptarët disiplinën përjetojnë si kufizim lirie...“ Nuk mund të besohet se ka qenie e gjallë, e cila i nënshtrohet një komandimi, pezullimit të vullnetit të lirë, mundësisë për të marrë vendime për t'u lëvizur, që nuk do ta kishte përjetuar si kufizim lirie. Edhe kafsha e mbyllur në stallë përjeton mbylljen si kufizim lirie dhe shfaq shenja depresioni. Domethënë është e qartë se liria kufizohet, kur njeriu është është ushtarë, por liria kufizohet edhe në punë, edhe në rrugë dhe njeriu mund ta përjetojë edhe si stres.

E dyta: Nuk duan të luftojnë në formacione luftarake, por në bandat e tyre…” Formacione luftarake nuk ishin ato. Ato ishin banda naziste, formacione pushtuese dhe se shqiptari nuk dëshironte të luftojë në atë përbërje, tregon vetëm trimërinë e tij dhe gjakimin ndaj lirisë. Bandat e tija, nuk ishin banda, por formacione çlirimi, kurse ato të oficerit gjerman nga Bavaria, ishin banda terroriste, që atij shqiptari, i kishin pushtuar atdheun. Pra, ishte trimëri e madhe të refuzohej pjesëmarrja në atë zogori nazistësh. Trimëri e madhe ishte refuzimi i urdhrit, zbatimi tij, ishte pasojë e frikës dhe indoktrinim radikal fashist.

E treta: “Kur ka kaluar 12 ditë në detyrë, ai kthehet në shtëpi për 4-5 ditë pa pyetur e pa marrë leje e mandej edhe mund të kthehet, por edhe jo...”

Se shqiptari braktis ushtrinë pushtuese pas 12 ditëve, tregon se ai nuk ndjehej i obliguar të veprojë në një armatë naziste dhe se pas 12 ditëve, ka kuptuar se ka bërë atë që nuk duhej dhe pasi i kujtohet atdheu, ai largohet dhe një ikje e tillë e pa leje, që kudo konsiderohet si dezertim, nuk bëhet kurrë nga frikacaku, por vetëm nga trimi. Ikja nga një ushtri terroriste duke ditur pasojat, nuk është frikë, por është trimëri e madhe. Për të marrë atë vendim duhet guxim tepër i madh.

E katërta: “Kurajua dhe heroizmi i shqiptarëve është një tjetër mit. Ti mund të vësh përpara dhe ta ndjekësh një shqiptar përgjatë rruzullit me një mortajë të lehtë...”

Heroizmi dhe guximi shqiptar, i ravijëzuar nga një fashist, është si kur sot të shkruante një oficer i kalifatit, mercenar, për mitin e trimërisë te sirianët. Ata nuk duan trimin e huaj në shtëpi dhe nëse nuk mund ta luftojnë, arratisen. Kjo është ecuri njerëzore dhe logjike. Trimëria e një populli nuk vihet në peshore objektive dhe nuk ka asnjë vlerë, kur ajo shkruhet nga pushtuesi. Aq më pak kur ajo shkruhet nga një oficer i ideologjisë ndër më sataniket, që ka zbuluar në historinë e tij njerëzimi.

Oficeri fashist gjerman ka njohur atë brigadë që ka pasur nën pushtet të vetin, por ai nuk flet vetëm për ata ushtarë viktima, ai flet për krejt popullin shqiptar dhe thotë:” heroizmi i shqiptarëve.” Për nga natyra e detyrës dhe vullnetit për ta përmbaruar atë, kuptohet se oficeri gjerman nuk ishte asgjë tjetër, pos një psikopat nazistë, i cili dinte të shkruajë.

Po, a duhej përkthyer mendimi i një oficeri dhe kujt i nevojitej ai? A duhet përkthyer mendimet e Arkanit për shqiptarët? A është i rëndësishëm për një popull që jeton në paqe, t'i sillen mendimet e barbarëve për ta? Kujt i nevojiten dhe çfarë rëndësie ka ajo? Ai artikulim racist, në Gjermani, nuk do t'ishte bërë publike, sepse është shkrim shovinist dhe jo i një dijetari, por i një oficeri frikacak gjerman, që nuk ka pasur guxim ta braktisë armatën kriminele, armatën e plojave, armatën barbare. Edhe sot ka njerëz që braktisin formacionet e Kaliftatit, por asnjë njeriu nuk i shkon mendja t'i quajë ata frikacak dhe askujt nuk i bie ndërmend të përkthej teoritë e oficerëve të Kalifatit për popullin sirian.

Vijimisht ai oficer ka qenë frikacak i madh, jo mirëpo krejt gjermanët, sado shumica që i janë nënshtruar atyre urdhrave, ishin frikacakë, por malësori shqiptar, nuk ia ka palluar fashizmit dhe ka strehuar hebrenjtë duke rrezikuar jetën e vet. Ata oficerë ishin frikacak gjermanë, që zvogëluan Gjermanin për 100.000 km katror. Dhe, ishte trimëri e madhe të refuzohej urdhri tij, sepse paguhej me jetë, me ekzekutim.

E pesta: “Ndërkohë që në sulm, ai nuk shtyhet shumë, deri aty ku gjen diçka për vjedhur apo plaçkitur. Sapo ka kapur dhinë, plugun apo rrotën e një makine qepëse, lufta për të ka mbaruar dhe ai kthehet në shtëpi...”

Këtu kemi inversion të normave morale, çfarë ishte normale për nacional-socializmin. Plaçkitës nuk ishte shqiptari në tokën e vet dhe ai oficer, nuk mund të dinte a ishte dhia apo lopa e tij, por plaçkitës ishte ai që kishte ardhur i armatosur nga nga një vend i largët dhe priste pasion mazohist për pushtimin! Apo jo zoti Robert Elsie?

Ai oficer gjerman ka ditur se në anën tjetër, kishte shqiptarë të disiplinuar që po luftonin pushtimin e vendit. Që luftonin atë oficerë dhe ideologjinë e tij koloniale dhe raciste. Aty mund të lexohej trimëria shqiptare. Nuk mund të shkruhet për trimërinë shqiptare në cilësinë e kolaboratorit, madje edhe të pritet pasion për ta shtypur vetveten dhe vrarë formacionet e rregullta shqiptare, që luftonin ideologjinë e atij oficeri nazist.

Përfundim: Nuk ia vlen të humbet kohë më tepër me hartimin e një oficeri fashist. Nuk ia vlen sepse pushtuesi nuk mund të flasë në mënyrë objektive për të pushtuarin dhe revolta shqiptare, liria tij për të refuzuar ato urdhra, është tregues i pa kequptime se shqiptari nuk trembej, nuk kishte frikë dhe se do të kishte ndjekur fashizmin me një mortajë rreth e rrotull botës. Se miti i trimërisë shqiptare është shkruar nga ata që kanë parë si mbron shqiptari atdheun, jo si ndihmon pushtimin e vet zoti albanolog Elsie! Në Gjermani konsiderohen heronj ata që kanë pasur guxim të refuzojnë urdhrat naziste. Në Gjermani nderoheshin dhe dekoroheshin ata njerëz largpamës, që ishin aq trima sa të dezertonin nga një bandë terroriste, që quante veten formacion i rregullt me Vlad Draculea të Austrisë në krye.

Zakonisht në Gjermani, nuk riprodhohen mendimet fashiste, sepse ishin pikëpamje të një epoke primitive njerëzore. Nuk nxirren jashtë konstatimet e tyre, por citohen një apo dy fjali. Pse? Sepse nuk janë shkencore. Nuk mund të jenë objektive! Janë raciste! Janë idioteske dhe gjermanët turpërohen! Mendimet e tyre janë dhunimin i civilizimit, dhunim i arsyes dhe janë skica të një epoke me të cilën Gjermania skuqet. Zoti Elsie, ashtu siç është sot Gjermania, do të kishte dekoruar ata shqiptarë që kanë pasur guxim të ikin dhe kështu të dobësojnë lukuninë naziste. Ju dini këtë shumë mirë! Se oficeri nazist i ka parë shqiptarë si më turq se turqit, ishte plotësisht normale, pas 500 viteve pushtim. Pas 500 viteve pushtim një pjesë bukur e madhe e Europës, u asimilua dhe romanizua, jo ne. Sepse ishim trima. Pas një pushtim shumë më të shkurtër, vendet e Magrebit gati u asimiluan dhe edhe sot flasin dendur frëngjisht! Ne ishim trima zoti Elsie dhe trimëria jonë shihet në mbijetesën tonë! Këtë si studiues duhej ta kishit parasysh. Ne jemi akoma trima dhe nuk kemi vrarë njëri tjetrin për religjion, siç kanë bërë katolikët dhe protestantët në Europë apo siç bëjnë sunitët dhe shiitët në Azi!

Zoti albanolog, zoti shkrimtar dhe studiues, Ju duhej ta dinit se raportet e pushtuesit janë gjithmonë denigruese! A keni lexuar raportet e tyre për hebrenjtë? Nëse po, a keni ndërmend t'i përktheni ato në gjuhë të huaja dhe të bëheni portparol i ri i ideologjisë fashiste në botë? Jeni i sigurt se do të duartrokiteni nga partitë radikale në Gjermani dhe të tjerat në Europë! Nuk mund të kuptohet qëllimi i përkthimit, siç nuk mund të kuptohet brohoritja atij raporti nga mediat shqiptare. Me emrin Tuja në fillim dhe me raportin e një terroristi nacist, i jepeshin atij mendimi konotacione shkencore dhe objektive, por në fakt, mund të krahasohen me mendimet e rrugaçëve në një pijetore.

Albanologu ka bërë një gabim të madh që ka publikuar atë shkarravinë naziste, atë bërllok- gjykim pa i bërë një vështrim kritik në fund. Atë përkthim kanë publikuar shumë gazeta shqiptare dhe e besojnë shumë mediokritete shqiptare. Një albanolog që merret me përkthimin e mendimeve të Arkanit, për shqiptarët, len të nënkuptohet edhe një mungesë subtile të respektit ndaj sedrës nacionale të një populli.

Ai hartim nazist, nuk flet për një brigadë, të cilën mund ta njihte, por me zell raporton se populli shqiptar ishte i tillë, të cilin nuk e njihte, të cilin nuk mund ta njihte, por duke u bazuar në disa veta, parapëlqente të përkufizojë ashtu një komb. Çfarë në fakt neve na nderon. Siç nderon sot një njeri dezertimin nga formacionet e Kalifatit. Qëllimi tij ishte të rrënojë sedrën, integritetin dhe dinjitetin e shqiptarëve si komb, por në fakt, përkthimi Juaj, edhe pse pa dashjen Tuaj, flet për trimërinë shqiptare për ta refuzuar ideologjinë shtazarake!

Nuk ishte i mjerë vetëm ai raport, vetëm ai përkthim tendencioz. Mjerimin intelektual treguam, dëshmuam, kur nuk doli asnjë akademik shqiptarë ta hedhë poshtë atë shkarravinë naziste, raciste dhe jo humane! Sigurisht ju ka pëlqyer kjo heshtje kolektive e akademikëve shqiptarë, ndoshta edhe e keni pritur, por merrni guximin dhe përktheni edhe raporte antishkencore mbi hebrenjtë dhe publikoni në faqen Tuaj! Nuk keni guxim? E di! Nuk do të keni! Jo pse ju mungon trimëria, por sepse dini shumë mirë se nuk është e moralshme dhe nuk është shkencore. Nëse keni dinjitet, atëherë kërkoni shqiptarëve ndjesë pse i keni përplasur në surrat një gjykim fashist pas asnjë kritikë shkencore, por ua keni ofruar si studim me vlerë!


E ka publikuar madje edhe RTK, pa asnjë vërejtje...

Libra nga Lis Bukuroca:


Shtatë parimet e dashurisë (dashuria në shumë versione, nga lindja deri në vdekje dhe parakushtet e lumturisë)

Ngjyrat e dashurisë (roman me Kanun erotik, vetëm për lexues të moshës madhore)


Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë


Shtatë parimet e dashurisëbotimi i parë qershor 202

Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )