27.03.2017

Fjala TOKË 50.000 vjet e lashtë

Çfarë “Uaa, uaaa”: “Aja” quhej sipas gjuhëtarit amerikan Merrittt Ruhlen, “Nëna”, “Mano” quhej burri. Dhe “TIKA” në proto gjuhën, pra në gjuhën e parë të homo sapiensit, quhej TOKA!
Linguist amerikan Merritt Ruhlen është i mendimit se të gjitha gjuhën e sotshme janë zhvilluar nga një gjuhë e përbashkët. Tezën e tij nuk e argumenton vetëm me argumente linguistike, por gjenetike dhe arkeologjike.
Ai ka gjetur 27 fjalë themelore që janë jo vetëm fonetikisht gati te të gjitha familjet e gjuhëve, por edhe semantikisht. Sipas tij sot në botë ekzistojnë 5.000 deri në 7.000 gjuhë. Varet nga ajo se si përkufizojmë fenomenin 'gjuhë'. Nëse gjuhët kanë më shumë se 70 për qind të leksikut të tyre të njëjtë, atëherë është fjala për dialekt dhe ai këto nuk i ka përfshirë në numrin e gjuhëve të veçanta.

Teza e tij për një gjuhë të përbashkët është ngritur për herë të parë nga linguisti italian Alfredo Trombetti, i cili në vitin 1905 kishte konstatuar se të gjitha gjuhët e botës kanë një origjinë të përbashkët. Në fillim të viteve të 90 Merritt Ruhlen me kolegun e tij John Bengston publikon librin "Global Etymologies", ku janë sjellë 27 fjalë të pranishme në shumicën familjeve të gjuhëve.

Në intervistën e tij për NTV gjermane, ai përmend fjalët “TIK” dhe “PAL”. TIK ka kuptimin e GISHTIT, ose të numrit NJË, kurse PAL të numrit DY! Nuk është vështirë të kuptohet se atë numër e kemi në gjuhën shqipe. Kur bëjmë fjalë për një gjësend që kemi vetëm një, atëherë themi TEK. Nuk është çift, por TEK. Të shohim Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe:

TEK mb.: Që është për një njeri a për një send; që përbëhet nga një pjesë a nga një njësi e veçantë, që përmban a që nxë vetëm një pjesë, një njësi etj.; që është një i vetëm. Krevat tek. Dhomë teke. Xhezve teke. Valle teke. Kobure teke kobure me një fishek. Këpucë teke. 2. mat. Që nuk plotpjesëtohet me dy; kund. çift. Numër tek. Që shënohet me numrin një ose me një numër tjetër jo çift; kund. çift. Radhët (dhomat) teke radhët (dhomat) me numër tek. 
  1. 4. si em. ~, ~U m. vet. nj. Një i vetëm, një i veçantë. “
Për TEK tashmë është e qartë, të shohim numrin dy, që para 50.000 viteve qenka quajtur PAL. Ne nuk quajmë sot numrin dy PAL, por kuptimi tij ekziston edhe sot në gjuhën shqipe dhe prandaj nuk themi kam blerë dy këpucë, por një palë këpucë. Këtë dimë të gjithë, por të sjellim edhe përkufizimin e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe:

PALË II f. 1. Dy sende të një lloji dhe të një madhësie që shkojnë e përdoren bashkë.Një palë këpucë (çizme, sandale, opinga). Një palë çorape (doreza). Një palë shtiza. 2. Veshje, vegël a diçka tjetër që ka dy pjesë të njëjta. Një palë pantallona (mbathje, pizhame). Një palë gërshërë. Një palë darë. Një palë syze.  3. Një numër a sasi e caktuar sendesh të njëjta që merren së bashku si një e terë. Një palë letra. Një palë ndërresa. Një palë domino. Ngjiti një (dy) palë shkallë.

Sipas linguistit amerikan ato fjalë janë hasur në familjet e gjuhëve në Afrikë, Euro-Azi, Australi, Amerikën e Jugut. Ai kundërshton ndikimin apo huazimet, sepse popujt nuk kishin kontakt me njëri tjetrin dhe ishte e pamundur të barteshin fjalën me kuptim dhe shqiptim të njëjtë dhe se kjo dëshmon origjinën e përbashkët të gjuhëve.

Sipas studimeve gjenetike, thotë autori, popullsia e sotshme ka origjinën nga një popullsi e vogël e Afrikës Lindore. Para 50.000 viteve pjesërisht ata kanë braktisur Afrikën dhe popullzuar krejt botën. Këta njerëz në aspektin anatomik ishin gati të njëjtë me njerëzit e sotshëm.

Teoria "Out of Africa" tanimë është dokumentuar mirë. Njeriu modern është shfaqur për herë të parë para 200.000 viteve. Edhe pse ai kishte anatominë tonë, ishte tepër primitiv, si për shembull neandertali. Para 50.000 viteve gjendja ndryshon shpejt. Njeriu i kësaj epoke nisi të sillet ndryshe dhe krijoi gjëra, që njerëzi para tij nuk i njihnin. Veglat e tyre ndryshuan befasisht, ishin më komplekse, kemi gjurmët e para të artit dhe nis peshkimi. Se ka ndodhur kjo më herët, nuk kemi fakte. Shpjegimi i linguistit dhe shumë linguistëve tjerë, është se ky ndryshim ndodhi te njeriu, sepse ishte krijuar gjuha moderne, Proto Sapiens.

Me përjashtim të krahasimit me fjalët shqipe, teksti është parafrazim i një interviste dhënë televizionit gjerman NTV. Për ne do t'ishte interesante të krahasohen me shqipen edhe ato 24 fjalë tjera.

Kush është Merritt Ruhlen? I lindur në vitin 1944 në Washingotn D.C. Fokusi i punës së tij është klasifikimi i gjuhëve të botës dhe evolucioni i njeriut në bazë të aftësisë së tij për të folur. Ai ka studiuar në Paris, Illinois dhe Bukuresht. Në vitin 1973 ka doktoruar në Stanford.
Punime nga autori amerikan:
  • A Guide to the World's Languages. 1987. Edward Arnold, London, Melbourne, Auckland 1991.
  • On the Origin of Languages: Studies in Linguistic Taxonomy. Stanford University Press, 1994.
  • The Origin of Language. Tracing the Evolution of the Mother Tongue. John Wiley, New York 1994.

Keine Kommentare: