Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore
Korniza ligjore
1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe ligjet e Kosovës.
2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret të aplikueshëm drejtpërdrejtë, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet juridik, i definuar me Statutin e tij, që do të përmbajë së paku elementet e mëposhtme:
3) Statuti do të aprovohet nga kuvendi themelues të cilin e përbëjnë anëtarët e zgjedhur me vota nga radhët e kuvendeve të komunave pjesëmarrëse.
Objektivat
4) Në përputhje me Marrëveshjen e Parë, objektivat kryesore të Asociacionit/Bashkësisë do të jenë ofrimi i funksioneve dhe shërbimeve publike për:
a) fuqizimin e demokracisë lokale;
b) ushtrimin e vështrimit të plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale;
c) ushtrimin e vështrimit të plotë në fushën e arsimit;
d ) ushtrimin e vështrimit të plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjes sociale;
e) ushtrimin e vështrimit të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural;
g) aprovimin e masave për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë;
h) zhvillimin, koordinimin, dhe lehtësimin e veprimtarive kërkimore dhe zhvillimore;
i) promovimin, afirmimin, dhe avokimin e çështjeve me interes të përbashkët për anëtarët e tij dhe përfaqësimin e tyre, përfshirë tek autoritetet qendrore;
j) ofrimin e shërbimeve për anëtarët e tij në përputhje me ligjet e Kosovës;
k) vlerësimin e ofrimit të shërbimeve publike për anëtarët e tij dhe për banorët e tyre me qëllim të përkrahjes së Bashkësisë/Asociacionit për formësimin e qëndrimeve me interes të përbashkët lidhur me pjesëmarrjen në punën e autoriteteve qendrore;
l) monitorimin sipas nevojës të zbatimit të objektivave të tij;
m) vendosjen marrëdhënieve dhe hyrjen ne aranzhime bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare.
5) Bashkësia/Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca tjera shtesë, të cilat mund t’i delegohen nga autoritetet qendrore.
Struktura organizative
6) Asociacioni/Bashkësia do t’i ketë këto organe:
a) Kuvendin, si trup më të lartë, të cilin e përbëjnë përfaqësuesit e emëruar nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse, nga anëtarët e tyre të zgjedhur. Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë amendamentet e Statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret dhe udhëzimet tjera administrative në pajtim me Statutin dhe ndërlidhur me objektivat e tij.
Të gjitha amendamentet e Statutit, rregullorja e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme si edhe vendimet të cilat i miraton Kuvendi do të jenë të zbatueshme për anëtarët e tij, përveç në rast se ndonjëri nga anëtarët paraqet formalisht vendim tjetër.
b) Kryetari, i cili do ta përfaqësojë Bashkësinë/Asociacionin, përfshirë tek autoritetet qendrore dhe jashtë Kosovës. Kryetarin do ta ndihmojë nën-kryetari. Kryetarin dhe nën-kryetarin do t'i zgjedhë Kuvendi, nga radhët e anëtarëve të Kuvendeve Komunale pjesëmarrëse, dhe të kryetarëve të komunave.
c) Këshilli i përbërë nga më së shumti 30 anëtarë, banorë të komunave pjesëmarrëse, përfshirë të gjithë kryetarët e këtyre komunave; Këshilli është trup këshillëdhënës, i cili jep udhëzime për punën e Asociacionit/Bashkësisë.
d) Bordi, i përbërë nga 7 anëtarë, të zgjedhur me votë nga Kuvend, nga radhët e kryetarëve dhe banorëve të komunave pjesëmarrëse, përbërja e saktë e të cilit do të definohet në Statut, do të ketë të drejtë të marrë vendime të nevojshme për menaxhimin ditor të Bashkësisë/Asociacionit. Anëtarët e Bordit, gjatë punës së tyre, do të përkrahen nga kolegjiume profesionale të përbëra nga ekspertë të fushave përkatëse që përkojnë me objektivat dhe detyrat e Asociacionit/Bashkësisë. Statuti do të definojë numrin e kolegjiumeve profesionale dhe përgjegjësitë e tyre ndaj anëtarëve të Bordit.
e) Administrata, e udhëhequr nga Shefi i Administratës, i cili emërohet nga Bordi dhe i raporton Bordit, për të ndihmuar punën e Bashkësisë/Asociacionit, në veçanti Bordit dhe Kryetarit. Stafi i administratës do të përfitojë nga statusi i të punësuarve, në përputhje me ligjet e Kosovës, duke përfshirë Ligjin e Punës dhe Ligjin mbi Shërbimin Civil, të cilat ua mundësojnë të ushtrojnë detyrat e tyre administrative. Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë mund të vendosin të përdorin një numër të të punësuarve për të përkrahur Bashkësinë/Asociacionin në përmbushjen e objektivave të tij.
f) Zyra e ankesave, me mandat që të shqyrtojë ankesat që kanë të bëjnë me objektivat e tij.
7) Selia e Bashkësisë/Asociacionit do të përcaktohet me Statut.
Marrëdhëniet me autoritetet qendrore
8) Asociacioni/Bashkësia do të punojë me autoritetet qendrore sipas parimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të informatave.
9) Asociacioni/Bashkësia do të promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës në raport me autoritet qendrore.
10) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të propozojë, në përputhje me ligjet e Kosovës, amendamentet e legjislacionit dhe rregulloreve tjera relevante për përmbushjen e objektivave të tij.
11) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të iniciojë apo të marrë pjesë në procedurat gjyqësore në gjykatat kompetente, përshirë Gjykatën Kushtetuese, kundër çfarëdo akti apo vendimi të cilitdo institucion që ndikon në ushtrimin e kompetencave të Asociacionit/Bashkësisë, në përputhje me Statutin e tij.
12) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të nominojë përfaqësues në organet/trupat kompetente të qeverisë qendrore, përfshirë Këshillin Konsultativ për Komunitete. Me qëllim të përmbushjes së funksionit monitorues, të paraparë me Marrëveshjen e Parë, përfaqësuesi i Asociacionit/Bashkësisë do të ketë të drejtë të ketë qasje në informatat e autoritetet qendrore, në përputhje me ligjet e Kosovës.
13) Në emër të Asociacionit/Bashkësisë, katër kryetarët e komunave veriore do t'i ofrojnë Ministrisë së Brendshme një listë të kandidatëve për emërim si komandant i policisë rajonale, siç përcaktohet në Nenin 9 të Marrëveshjes së Parë.
Kapaciteti ligjorë
14) Asociacionit/Bashkësisë do ti ofrohet hapësira e nevojshme ligjore, sipas ligjeve të Kosovës, në mënyrë që të përmbushë objektivat e tij, përfshirë të drejtën e posedimit të pronës së luajtshme dhe të paluajtshme, të bashkëpronësisë së kompanive që ofrojnë shërbime lokale në kuadër të fushëveprimit të Asociacionit/Bashkësisë dhe të lidhë kontrata, përfshirë kontrata pune.
15) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, Asociacioni/Bashkësia konsiderohet i themeluar, pas miratimit të dekretit, për përmbushjen e objektivat e tij.
Buxheti dhe përkrahja
16) Asociacioni/Bashkësia do ta ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies si dhe me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik.
Këto parime posaçërisht do të vlejnë për dedikimin e fondeve, përfshirë ato të përshkuara në pikën 17d.
Do të ketë auditim të shpenzimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm.
17) Asociacioni/Bashkësia do të financohet nga: a) kontributet e anëtarëve të tij;
b) të hyrat dhe të ardhurat nga shërbimet që i ofron Asociacioni/Bashkësia, kompanitë e tij, apo që do të burojnë nga asetet e tij të luajtshme dhe të paluajtshme;
c) transferet nga autoritet qendrore;
d) kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare e asociacioneve dhe organizatave tjera, vendore dhe ndërkombëtare, si edhe nga Republika e Serbisë; Bashkësia/Asociacioni do të lirohet nga detyrimet dhe taksat për përmbushjen e objektivave të tij, sipas të njëjtit model me komunat pjesëmarrëse.
Dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare
18) Asociacioni/Bashkësia do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër, me kusht që të pajtohen anëtarët e tij.
19) Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Kuvendit të tij, të miratuar me shumicë prej 2/3 e anëtarëve të tij.
20) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë t'i ketë simbolet zyrtare të tij (stemën dhe flamurin), në përputhje me ligjet e Kosovës.
21) Statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do të prezantohet në Dialogun e Nivelit të Lartë, brenda 4 muajve nga data e arritjes së marrëveshjes për këto parime/elemente, sipas nevojës, me lehtësimin e Ministrisë së Qeverisjes Lokale. Statuti do të konfirmohet me dekret, pas marrëveshjes në Dialog. Secili amendament do të prezantohet nga Asociacioni/Bashkësia, do të konfirmohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
22) Brenda një viti nga aprovimi i Statutit të Asociacionit/Bashkësisë do të bëhet shqyrtimi i implementimit të tij, përfshirë çështjet që burojnë nga Neni 5 i Marrëveshjes së Parë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen