29.03.2014

Liria për të cilën mendoj unë, Erich Fried

Erich Fried


Liria për të cilën mendoj unë

Asnjë Zot, asnjë Qesar
dhe asnjë tribun nuk mund të na fal
neve thjesht lirinë dhe të thotë:
„Merreni dhe silluni mirë me të!“

Nga çdo liri
që ne vetëm e pranojmë
si fëmijët lodrat
mund të shndërrohet në paliri

Sepse liria është vetëm liri
për të pasur mundësinë
më mirë dhe më lehtë
për të luftuar kundër palirive

që dëshirojnë të sundojnë
mbi ne dhe brenda nesh.
Lufta kundër tyre nis
me çdo çlirim

nga gjermanishtja LB

24.03.2014

Si shpërbëhet një komb? Gazeta DITA, TRIBUNA


U ofrohet platformë njerëzve që shkaktojnë huti dhe që thyejnë tabu. Hidhen ide që shtangin. Shahen, kërcënohen, etiketohen pa pushim. Rugova tradhtar, Qosja patriot. Rugova patriot, Qosja tradhtar. Kjo gjendje në shoqëri flet për kaosin në realizim, në përfundim e sipër.
Sot nuk kemi një armik nga i cili ndohemi të rrezikuar, prandaj kemi shpallur armiq kryesor gjuhën shqipe, historinë shqiptare dhe kombin shqiptar. Tre faktorë kryesor, që garantojnë mbijetesën e një shoqërie me tipare të dallueshme nga të tjerët, që ne quajmë komb. Gjuha shqipe nuk qe ndaluar nga Serbia, as nuk kërkonte ta ndryshojmë. Madje gjatë pushtimi serb, respektonim gjuhën më shumë se sot. Për inat të tyre. Historia shqiptare qe ndryshuar apo ndaluar nga Serbia dhe Maqedonia. Emrat Gjergj e Kastriot, ishin në listën e emrave të ndaluar. As osmanët, as serbet nuk kanë kërkuar të mos quhemi shqiptar, edhe pse njëri na quante “arnaut” në gjuhën e vet, tjetri me përbuzje “shiptari.” “Intelektualët” tanë kanë shkuar më larg se ish-pushtuesit. Kanë më shumë guxim sepse njohin kombin nga brenda dhe sulmojnë nga brendësia deri në implozion.
Paragjykimi se shqiptarët kur nuk kanë me kë të vriten, vriten në mes vete, këtyre viteve së paku në aspektin psikologjik, po dëshmohet. Kundërshtarët e historisë, kundërshtarët e gjuhës, ithtarët e kombit kosovar, nuk marrin parasysh pasojat e kësaj përçarje, por destruksionin e tyre e cilësojnë si akt patriotik. Për të ndërtuar një ndjesi kombëtare me vlera tërësore, të përbashkëta, një identitet kolektiv, nevojiten disa dekada, ose shekuj, për ta rrënuar, më pak se një dhjetëvjeçar. Çdo komb ka kodet e veta dhe një tërësi vlerash, që konsiderohen si të shenjta. Ato mund të rrahen nga të gjitha anët nga specialistë të fushave përkatëse: analizohen, bëhet debat, polemizojnë në mes vete derisa të kristalizohen mendimet në dobi të një etnie, që pastaj në trajta të ngurtësuara, na shfaqen në librat shkollorë.
Disa paradigma konsiderohen të shenjta dhe nuk prashiten as nga ekspertët e atyre fushave, aq më pak nga gazetarë e publicistë. Kjo bëhet për të shmangur çrregullimin e plotë në ndërgjegjen e një kombi, kur mund të zhbëhet dhe degradohet sedra kolektive, që mban një shoqëri të njësuar. Si tabu konsiderohen në Europë ndryshimi i emrit të kombit dhe nuk gjendet asnjë etni, që do ta bënte këtë. Aq më pak, të krijojë komb duke u bazuar në një etnonim me zanafillë nga gjuha e ish-pushtuesit. Në Kosovë janë disa dashnorë të pasionuar të kësaj ideje. Tito nuk mundi të ndërtojë komb jugosllav, as Bossi në Itali kombin padanez. Disa kosovarë, shpresojnë. Shpresojnë sepse në emër të demokracisë banale, u falet hapsirë, dëgjueshmëri dhe shikushmëri.
Nuk u kursye as gjuha. Gjuha ka një dinamizëm të brendshëm dhe është në gurgullimë të vazhdueshëm qoftë në fonetikë, qoftë në morfologji, sintaksë ose në leksikun e përgjithshëm. Mund të pasurohet, por jo të ndryshohet. E treta që fut në një kornizë një komb dhe e bën të dallueshëm nga tjerët, është historia dhe ndërtimi i së tashmes, si përthyes i së ardhmes.
Kombi shqiptar tek ne sulmohet në substancë: në tërësinë shqiptare, në emërtim, në gjuhë dhe në histori. Heterodoksia duket e shkapërderdhur, sepse protagonistët e saj nuk sulmojnë nga e njëjta  llogore, por rezultatin do ta kenë të përbashkët: rrënimin e sedrës kolektive dhe të mendimit shqiptar. Ata janë shfaqur në të njëjtën kohë dhe ecin paralelisht. Kur ta kenë krijuar kaosin e përkryer, do të shfaqen si klasikët e marksizmit dhe do t’ i grahin tufës skajshmërisht të pëçarë, në drejtimin që dëshirojnë vet. 
Vet fakti se marrin guximin të kërkojmë ndryshimin e emrit të kombit, vet fakti se kërkojnë rrënimin e gjuhës, vet fakti se kërkojmë të ndryshojmë historinë duke u bazuar në gjykimet e sotshme, flet se ne jemi të dominuar nga mendësia fisnore dhe për këtë, shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm, përndryshe nuk do të shpërndanim leksione se si duhet të ndjehen, çfarë duhet të besojnë dhe si duhet të flasin miliona shqiptarë. Tutorizëm të tillë kanë nevojë njerëzit që gjykata u ka pezulluar apo anuluar aftësinë juridike dhe kanë nevojë për kujdestari. 
Në Perëndim zakonisht me sedrën kombëtare, nuk merren gazetarët apo poetët, që nuk kanë shitur as dhjetë libra, por historianët, gjuhëtarët apo Akademia, si në Francë. Me një fjalë, specialistët. Njeriu i qytetëruar para se të kërkojë ndryshimin e tërësisë nacionale, sedrës kolektive, duhet të përpiqet ta ndryshojë veten. Tërësia nuk ekziston për njësinë, por njësia është pjesë përbërse e saj dhe duhet të shkrihet në të.
 Askund në botë gjuhët letrare nuk bazohen në numrin e lokutorëve. Kjo shihet në gjuhën gjermane, në gjuhën italiane, frënge, madje edhe tek serbet dhe maqedonët. Kudo gjuha letrare është imponim jodemokratik. Me të drejtë. Nuk mund të pyeten barinjt si duhet të duket gjuha, por kashta, sana e tërfili i ledinave. Çdo ekspert, në fushën e vet. Çdo gjuhë ka një qendër dhe një regjion, por askund nuk përfshin shumicën, por pakicën e popullit. Madje më pak se dhjetë për qind. Parisi për Francën. Hanoveri me rrethinë për gjermanishten. Italianët nga veriu dhe jugu nuk kuptohen nëse flasin dialektin, por gjuha italiane e bazuar në toskanishten, krijon dhe mundëson një kohezion duke prodhuar krenarinë kombëtare italiane. Në tv perëndimore nuk mund të dëgjohen njerëz, që flasin një dialekt, por ata që zotërojnë standardin dhe fonetikën e gjuhës. I detyron ligji.
 Kakofonia se Enver Hoxha krijoi shqipen, (duhet t’ i përkulemi për këtë me falenderime dhe mirënjohje, sepse bazuar në gjenin tonë të bajraktarizmit, do ta njësonim gjuhën diku në vitin 3972, ashtu siç krijuam alfabetin më shumë se 2000 vite pas fqinjëve tanë romak dhe grek) bëhet për ta bërë gjuhën më të urrejtshme dhe për ta prishur edhe atë që na definon si komb i qytetëruar. Mendësia tribale që kemi dhe zotërojmë deri në përkryeshmëri, na udhëzon të kërkojmë gjuhë sipas dëshirave individuale, histori sipas dëshirave individuale, komb sipas dëshirave individuale, pa menduar se mund të shfaqet grupi tjetër, që nuk pranon ndryshimin dhe përplasemi në një kaos, nga mund të na nxirrte dhe mbushte mend, vetëm një njeri si Enver Hoxha. Ne nuk pranojmë rregulla, normëzime që nuk kanë përfshirë edhe lagjen tonë, fshatin, krahinën. Ata mendojnë se gjuha duhet të jetë rezultat i shumicës, si askund në botë. Sepse për gjuhën vendosin gjuhëtarët dhe shkrimtarët e mëdhenj, jo ata që nuk janë të detyruar ta zotërojnë, që nuk lexojnë, që nuk blejnë libra dhe që nuk merren me shkrime. 
Nëse nuk arrijmë ta ndryshojmë gjuhën, atëherë mund ta korrigjojmë historinë. Ta zëmë se konsiderojmë Skënderbeun tradhtar, e atëherë? Natyrisht se nuk do të ngelemi pa histori, por do të na sillen personalitete të reja, si sulltan Murati, Mehmeti dhe pasuesit e tyre. Pra do të na sillen personalitete që kanë vrarë shqipfolës krishterë – vrasja qenka e mirë në baza fetare, si në një shtet teokratik- por edhe muslimanë në kryengritjet e mëvonshme. A do ta pranojnë këtë shqiptarët ateist, angnostik, ortodoksët, katolikët, muslimanët që nuk mbështesin idetë e tyre,(…këta mund të flasin në emër të vet, por jo në emër të popullit.) Nuk mund të besohet. Pas rrëzimit eventual të Skënderbeut edhe këtu do ta kemi kaosin e përkryer dhe klasikët e kësaj ideje, pas rrënimit, do të shfaqen si shpëtimptarë dhe interpretues dhe shpjegues të rrugës së re duke i grahur tufës pas. A do të pasojë ndarja në kantone apo republika si në Bosnjë, vështirë të parashikohet, por me siguri mund të thuhet se do të krijojë një destabilizim të brendshëm dhe huti dhe kokëvarje kolektive. Një klub, një shoqatë, një fshat, mund të kenë personalitete vetjake, por jo një komb.
Asnjë komb në Europë nuk merret aq intensivisht me çrrënjosjen e vetvetes si tek ne. Skënderbeun duhet ta urrejme pse paska pasur nënën sllave, pra jo gjak të pastër shqiptar (përshëndetje nga arena raciste dhe fashiste), por kombin e ri duhet ta krijojmë me një etnonim serb. Kjo nuk ndodh tek asnjë komb në botë. U bëmë gazi i botës!
Për gjuhën shqipe nuk mund të vendosë populli, sepse gjuha standarde askund nuk i kushtohet shtresave me arsimim inferior, por një shtrese të ngritur, që pranon norma dhe krijon një ndërlidhshmëri nacionale. Çdo njeri mund të shkruajë sot në dialektin e vet, por vetëm gjuhëtarët dhe shkrimtarë e mëdhenj duhet të na mësojnë normëzimin e gjuhës. Shqiptarizmi, sedra kolektive shqiptare, nuk duhet t’ i nënshtohet dëshirave të mia, por unë duhet të pranoj dhe nënshtrohem të mirës së përgjithshm, interesit nacional, për të shmangur zhbërjen e tërësisë shqiptare.
U ofrohet platformë njerëzve që shkaktojnë huti dhe që thyejnë tabu. Hidhen ide që shtangin. Shahen, kërcënohen, etiketohen pa pushim. Rugova tradhtar, Qosja patriot. Rugova patriot, Qosja tradhtar. Kjo gjendje në shoqëri flet për kaosin në realizim, në përfundim e sipër. Nuk është tradhtar as Rexhep Qosja, as Ibrahim Rugova. Janë atdhetarë me vepër, me të meta, si çdo njeri, por personalitete ndër më të mëdhat dhe më të rëndësishmet në historinë shqiptare. Çdonjëri ka dhënë kontributin e vet në mënyrën që ka zotëruar më së miri. Si tërësi shqiptare kemi përfituar nga ekzistenca e këtyre dy personaliteteve.Vlera e njeriut në një shoqëri, nuk mund të matet me bindjet fetare, por me kontributin në sedrën dhe sigurinë kolektive. Për t’ i defaktorizuar rrënuesit, rruga më e mirë është injorimi absolut i tyre. Nëse për gjuhën, për emrin e kombit dhe për historinë, pyeten gazetarët, jo speicialistët, atëherë edhe për terapinë nëpër spitale, le të vendosin ata, jo mjekët.

Gazeta DITA
Gazeta TRIBUNA

21.03.2014

Majmuni monogam

Majmuni i natës është tërë jetën besnik – një përjashtim në botën shtazore

"Derisa të ju ndaj vdekja" – i tillë është premtimi i bashkëshortësisë. Mirëpo, sa shpesh shkilet kjo? Dhe, çfarë njeriu nuk mund të respektojë tërë jetën, edhe shumë lloje të kafshëve
nuk ia dalin të ruajnë besnikërinë e vërtetë.

I Yti përgjithmonë!


Shkencëtarët mirëpo kanë zbuluar tani në Argjentinë një majmun, tek të cilët as majmunët meshkuj, as majmunët femra, nuk tradhtojnë. Ata quhen „Acara – Majmun“, majmunnatës (Aotus azarae) Studjuesit e Institutit të Lajbnicit për studimin e primatëve, kanë ekzaminuar 18 vite 128 lloje të majmunëve në Argjentinë. Në fund ata konstatuan tek 17 çifte të Acara majmunëve, se këta jetojnë së bashku dhe se asnjëri prej të vegjëlve nuk ishte një kopil nga jashtë. Hulumtuesit besojnë se besnikëria është rezultat i kujdesit intensiv të majmunit mashkullor për pasardhësit e vet. Dy javët e para kujdeset nëna për të vegjëlit, pastaj i ati dhe është shembëlltyrë në kujdestari.

16.03.2014

Matoshi mendon se Hitleri kishte polemizuar...Gazeta Express

"...kanë organizuar sulmin me hunj gardhi e "molotov coctail" si në natën e tyre të kristaltë..."
Hali Matoshi

Na kishte sharë përsëri dhe na kishte diagnostifikuar nga larg si të sëmurë "me kartela klinike rehabilituese." Në artikullin "Të kërkosh falje publike" kishte sharë edhe më qartë dhe me më shumë mllef se sa herën e parë. Në fillim ofendoi "ardhacakët, kosovarët e natyralizuar", në mesin e tyre Rexhep Qosjen dhe Hivzi Islamin, si kryesorët. Ardhacakët, me pak përjashtime, tha ai, kanë kontaminuar Kosovën. "Kontaminim" dmth. fëlliqje, pëgërje, ndytje ose ndotje, mund t' i shtohet edhe helmim. Reagoi Xhemail Ahmeti nga Zvicra me artikullin  „Halil Matoshi figurë publike e vetëdjegur, e degraduar dhe raciste“, Uk Lushi nga SHBA, me artikullin "Shkrimi i Halil Matoshit fashizëm gjeografik", Shkëlzen Maliqi në formë bashkëbisedimi me miqt e tij dhe unë nga Gjermania tek gazeta Dita me artikullin Provincializmi i Matoshit, që shkurtimisht qe publikuar edhe tek respublica.

E pata quajtur qëndrimin e tij provincialist duke u bazuar edhe në përkufizimin që i bëhet në gjuhën gjermane: përdoret për njerëz që nuk janë në gjendje të mendojnë më larg se tabela, ku përfundon katundi i tyre, ose jo më lart se kambanorja e kishës së fshatit. Quhen ashtu në popull njerëzit me kulturë inferiore dhe të kufizuar, ndryshe edhe patriotizëm lokal. Patriotizmi tij niste nga veriu i Kosovës tek tabela "KOSOVO" dhe përfundonte tek Hani i Elezit, në dalje, ku shkruan: "KOSOVA-KOSOVO." "Me pak përjashtime", ai stigmatizoi shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe veten konsiderojnë shqiptarë dhe nuk ndjehen aty të huaj.

Shkrova shpejt e shkurt, nga mungesa e kohës, por qëllimi ishte të nënvizohet trash një mospajtim me segregacionin e qytetarëve në të fëlliqur nga jashtë dhe të dëlirë: autoktonët, kosovarët origjinal, brenda. Jo për të mbrojtur akademikët, por i trishtuar nga qëndrimi i një poeti dhe publicisti, poezitë e të cilit i lexoj herë pas here.
Ndjesë kërkoi, por jo atyre që kishte etiketuar rëndë, por miqve të vet, që nuk janë ardhacak dhe që nuk jetojnë në Kosovë, por jashtë saj, madje edhe në mërgim.

Psikoterapia që ai u rekomandonte dy akademikëve, nuk u shqyrtua fare në shkrimet tona. Revolta ishte rezultat i një gjykimit të gabuar brenda artikullit.
Akuza të tilla ndaj mërgimtarëve shpesh bëjnë edhe grupet naziste në Perëndim dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse ne reaguam të tmerruar. Akuza të tilla bënte dikur edhe Serbia duke thënë se Kosova ishte mbushur pas luftës me shqiptarë nga Shqipëria. Matoshi duke u përpjekur të braktisë pozicionin e pandershëm, tërhiqej duke sharë akoma më keq se sa herën e parë. 
Na kishte ngarkuar me faj pse nuk jemi marrë me tërë shkrimin, por vetëm me disa fjali. Një njeri, mund edhe të shkruajë një vepër të madhe, që mund ta meritojë edhe Çmimin Nobel, por nëse brenda atij teksit gjendet vetëm dy fjalë, "Rroftë Fashizmi", vepra e madhe harrohet dhe lexuesi i pezmatuar do të habitet me kundërnjerzoren tek humanisti.

Dihet se H. Matoshi lufton për shtet ligjor në Kosovë, se lufton për komb kosovar, ku do të përfshiheshine dhe serbët. Ai që njeh serbet, din se ata nuk dezertojnë nga kombi, por krijojnë republika e autonomi edhe aty ku nuk ka pasur kurrë dhe me një numër shumë të vogël qytetarësh. Ne luftuam në Maqedoni, luftuam në Luginë dhe nuk fituam gjë, as barazi jo. Në Luginë madje nuk fituam as akusheri për nënat shqiptare. Republika Serbska, Autonomia Serbe në veri të Kosovës janë fakte që flasin për sedrën e dy popujve dhe atdhedashurinë. Matoshi lufton për shtetin ligjor duke shkelur vet ligjin.
Në Kosovën e tij të fëlliqur nga ardhacakët, mund ta bëjë. Mundet sepse atje ofendimi, përgojimi, shpifja, akuza publike, shantazhi, kanosja, konsiderohen liri e shprehjes së mendimit. Dhe, duke i falur vetes këtë liri, na kishte quajtur spiun të vegjël dhe pionier të nacionalisocializmit në shërbim të organizatave paramilitare staliniste në Kosovë. Hunjët dhe koktelet Molotov iu kishin fanitur.

Habia nuk ishte sharja e ulët, që pikaste gjendjen dhe gazepin e tij shkaktuar nga revolta jonë, por si lejoi "Koha Ditore" të publikohet një akuzë e tillë publike kundër katër vetave, pa kërkuar dëshmi mbi spiunazhin.
Përgojimi i keq në Gjermani konsiderohet vepër penale dhe dënohet sipas § 186, ku thuhet se kush përhap lajme në kundërshtim me të vërtetën me qëllim të denigrimit apo poshtërimit të një njeriu, dënohet me gjobë apo një vit burg, nëse kjo bëhet në media dhe me shkrim, gjobë ose deri në dy vite burg. Në Gjermani ai do të gjykohej edhe për shpifje bazuar në paragrafin 187 të Kodit Penal, kur njeriu përhap mendime të rrejshme edhe pse vet din se nuk janë të vërteta dhe bën këtë për të dëmtuar kredibilitetin e dikujt në opinionin publik: për denigrim dhe përulje publike nëpërmjet shpifjes dënohet me gjobë, ose deri në dy vite burg, kur bëhet me shkrim, atëherë gjobë ose deri në pesë vite burg. E tillë është ecuria në një shtet ligjor. Nëse nuk mund ta paguajë gjobën, duhet të shesë edhe shtëpinë.
Çudia akoma më e madhe ishte krahasimi i reagimeve tona me "natën e kristaltë." Ç' është "nata e kristaltë?"

Në nëntor të viti 1938 nazistët nisën gjahun kundër hebrenjve në Gjermani dhe vranë dhe detyruan të vetvriten qindra hebrenj: shkatërruan dhe dogjën shitoret e tyre, banesat, shtëpitë, sinagogat, dëmtuan varret, mijëra dërguan në kampe përqëndrimi, ku mijëra i vranë ose vdiqën nga keqtrajtimet. Ky shpërthim naizist hyri në histori si "Natë e Kristaltë."
Sikur zotriu të jetonte në Perëndim do t' ishte përballur edhe me një akuzë, për banalizmin, minimizim dhe zhvleftësimin e "Natës së Kristaltë", sepse lexuesi i painformuar do të mendote se atë natë të tmerrshme nëntori, Hitleri kishte polemizuar me hebrenjtë në disa gazeta dhe kishte shkruar disa artikuj. Ja, pra, si krahasohen vështrimet tona duke besuar se ne po bënim gjah kundër kombit kosovar, me hunja, koktel Molotov dhe vrisnim kosovarë. Edhe atë, duke i mbushur mendjen vetes se reagimet tona, i ngjanin natës fashiste dhe meritonin të krahasohen me të. I vetmbushur me plot urrejtje dhe përbuzje, Matoshi i madh, na quajti edhe spiun. Spiun të vegjel. Ai ndjente veten në pozitë të një hebreu, ne të nazistëve, domethënë të persekutorëve, edhe pse ne po kundërshtonim një analogji naziste në gjykimin e tij.

Ndoshta do t' ishe e udhës që ne "spiunët", të ngremë një akuzë kundër shpifjeve dhe përgojimit. E para për t' i provuar se shteti ligjor ka mundësi të veprojë dhe e dyta, për t' i treguar se demokracia nuk është Sallamadi Sistem, siç kuptohet në Kosovë.
Por a ka spiun në Kosovë? Po, ka edhe atë jo pak. Po a deklarohen ata publikisht? Jo. Spiunët e Kosovës bëjnë vepra në dobi të Serbisë dhe paguhen pres saj. Shihen çdo ditë. Spiunët duhet kërkuar brenda, jo të bashkëjetohet me ta dhe të etiketohen tjerët pse nuk pajtohen me një krahasim fashist. Nuk është vështirë të identifikohen. Spiunët zbulohet tek vepra. Ai që pret që ata të deklarohet publikisht, ai është vërtetë i retarduar. Në shkrimin e parë iu luta të kërkojë ndjesë. E bëri. Kërkoi ndjesë selektive. Sot nuk kërkohet ndjesë shtesë prej tij, por publikimin e fakteve për spiunazh dhe për bashkëpunimin tonë me organizatat paramilitare staliniste në Kosovë. Dhe natyrisht, edhe provat se ne jemi "pionierë të nacionalsocializmit." Duhet ta bëni këtë zoti Matoshi, sepse lexuesit e "Koha Ditore" besojnë se ju keni njohuri se Kosova po dëmtohet nga shqiptarët, që jetojnë në Perëndim dhe njëri në Shqipëri me një detyrë edhe delikate...

11.03.2014

Letër nga një nënë emigrante, Gazeta Dita

Ashtu si m’ u dërgua, ashtu ia përcjell gazetës DITA. Letra është shkruar nga një nënë emigrante, që dëshiron të mbetet anonime:
“…Nuk je vetëm në atë dhimbje, edhe shumë gra e nëna, motra po numërojmë ditët e vetegzekutimit. Vërtet një tragjedi e vërtetë e për të ardhur keq për qytetërimin modern, emancipimin bashkëkohor jo vetëm të shoqërisë por edhe të institucioneve që e mbrojnë e vihen në shërbim të tyre. Lajmi i tragjedisë në Itali, ku nëna vret tre fëmijët e saj por dhe një dëshmi e gjallë për t’ u treguar qeverive të vendeve “mikpritëse” me ligjet e tyre të emigracionit, gjendjen e rëndë psikologjike, shpirtërore të Femrës emigrante. Përgjithësisht ligjet e emigracionit nuk kanë qenë e nuk janë në mbrojtjen e vërtetë të jetës dhe të të drejtave të femrës emigrante në vendet europiane, ku ato jetojnë e punojnë prej më tepër se 20 vjet. Aq më tepër ligji i “bashkimit familjar” jo vetëm nuk bashkoi familjen por përkundrazi e vuri nën tutelë jo vetëm të ligjit por edhe të bashkëshortit, femrën emigrantë, duke qenë e varur kryekëput prej ligjit e bashkëshortit, pa patur lirinë e punës, të fjalës dhe të jetës.
Pasiguria e qëndrimit, shqetësimi deri në tmerr, ankthi për të ardhmen si i familjes, të jetës së fëmijëve, por edhe pamundësia për të qenë e lirë të punojë, të jetojë pa ato “copa letre” të “lejes së qëndrimit” që na e morrën shpirtin çdo dy vjet, edhe pse kanë kaluar 20 vjet, krijuan pak nga pak atë gjendje të rëndë psikologjike e shpirtërore plus edhe faktorëve të tjerë ekonomikë, acarimi i mardhënieve burrë – grua në familje, indiferenca e institucioneve përkatëse, e organizatave dhe shoqatave të ndryshme në mbështetje të femrës emigrante. Mos të fshihemi pas justifikimeve të zakonshme, “ishte psikopate” “debile”,” injorante” e plot të tjera si këto që shoqërojnë e pasojnë pas çdo akti të tillë makabër.
Në asnjë mënyrë nuk e miratoj dhe as nuk pajtohem me aktin makabër jo të asaj nëne por të asnjë njeriu, por le t’ i lëmë sharjet, e justifikimet e të shohim se çfarë fshihet pas këtij akti, kush janë rrënjët, kush është shkaku real i gjendjes. Shumë lehtë ndonjë nga ju do shprehet: Budallaçka, pse nuk rrëmbente fëmijët e të kthehej në Shqipëri. Pse duhet t’ i vriste fëmijët e saj që i bëri dhe i rriti me aq lodhje e mund. Po ku do shkonte një femër e vetme me tre vajza? Kush po e priste krahëhapur?! Familja e saj në Shqipëri ku me zor po nxjerr bukën e gojës ?! Po kush e qan se u shtuan dhe tre gojë, po turpi që do e mbulonte atë vetë, familjen e saj dhe vajzat ?
Po fjalët nga pas, po gjuhët e pista që nuk do pushonin së vjellë vrer për atë nënë me tre vajza. Apo po e pret dhe po e merr në mbrojtje ligji dhe drejtësia shqiptare, ku bëhen gjygjet fallco, pa fakte, pa qenë vetë gruaja e pranishme në këmbim të një tufë eurosh ? Kam lexuar një vendim gjyqi shqiptar para një jave.Ja kush ishte vendimi:” Gjykata në bazë të një ligji Nr ….. vendos shkurorëzimin, pasi e pandehura kishte sjellje dhe një edukatë jo të hijshme me bashkëshortin si dhe brenda në familje si dhe nuk ka qenë e ndershme …
Gjykata vendos që fëmijët të jenë nën kujdesin e nënës sepse janë të mitur si dhe babai i fëmijëve duhej të jepte 60 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë, gjë që edhe pse kanë kaluar dy vjet, kjo shumë nuk është marrë nga familja e mbetur në emigracion, jo vetëm pa punë, pa mjek familjar e ilaçe, po më kryesorja pa dokumenta, meqënëse ishte me lejen e bashkimit familjar.
E pandehura nuk u paraqit në gjyq për shkak të mungesës së dokumentacionit. Gjyqi nuk kërkoi asnjë fakt, asnjë dëshmimtar, thjesht vendosi. Sëmuren emigrantët dhe fëmijët e tyre, por kur nuk ka librezë shëndeti, siguracione, detyrohen “të arratisen “nga spitali apo klinika ku shtrohen në rast urgjence, pa këshillat e mjekut e pa terapinë e duhur, në pamundësi për të paguar shumën e të hollave, që vetëm të holla nuk janë. Pra ku do të shkonte ajo femër me tre vajza ?! Cila gjykatë, e cili ligj do ta përkrahte, po ja dhe u paraqit në gjyq për shkurorëzim në Shqipëri, si do të kthehej prapë në vendin “‘mikpritës’” atje ku ka jetuar e krijuar familjen e saj për 20 vjet rrjesht ???  Ajo s’ është as e para dhe as e fundit grua emigrante që ka arritur në atë moment çmendurie. 
Nuk u kujtohet ??? Njerëz të gjallë jemi dhe kemi prindër, motra e vëllezër, që sëmuren, martohen,gëzohen ,….por edhe ndrrojnë jetë… Sa motra kanë “vdekur shpirtërisht” për humbjen e motrës apo vëllait të tyre, sa bija kanë “vënë kokën” për vdekjen e nënës apo babait të tyre pasi ato nuk kanë qenë të pranishme të paktën në aktin më njerëzor, t’ u hedhin një grusht dheu të lehtë e për t’ u thënë lamtumirë njeriut më të dashur e më të shtrenjtë në jetë. 
Rrofshin e qofshin ligjvënësit bashkë me njerzit dhe të afërmit e tyre, po kur larg qoftë të bije zija në shtëpi, nuk ke kohë e mendje të bredhësh nëpër zyra e policira të nxjerrësh një dëshmi që do largohesh për çështje të rënda e të veçanta, apo të paguash gjobën pse ke kaluar afatin e qëndrimit. Ligjet e emigracionit ishin e mbetën ligje enkas për emigrantët, po jo ligje njerëzore dhe në shërbim të njerëzimit. Edhe pse pas 15 apo 20 vjetësh disa shtete europiane nuk u bënë dhe nuk u bënë dot vend pune e jetese për emigrantët, mbetën vetëm vende “mikpritëse”. Në pamundësi për të shkruar fjalë të tepërta po e përsëris edhe një herë titullin e shkrimit: Nuk je vetëm në atë dhimbje, edhe shumë gra e nëna,  motra po numërojmë ditët e vetegzekutimit tonë…”

DITA

10.03.2014

A është Skënderbeu hero? GAZETA DITA

Nëse sot vjen Kina dhe na imponon bindjet e veta fetare si budizmin, shenizmin etj. e ne i bëjmë rezistencë, atëherë gabojmë shumë. Nëse ajo këmbëngulë herë me shpërblime, herë me gozhdime, herë me pozita - me pozita do të kenë më shumë efekte- dhe na motivon, detyron të konvertohemi, atëherë në vitin 2412 gati të gjithë shqiptarët do të kenë përqafuar masovikisht kulturën kineze.

Në vitin 2514, njëqind e dy vite pas largimit të tyre, do shfaqet një shqiptar para një tempulli, që do të quhet Çen Cung Firi Fiu dhe thotë: "Shqiptarët që luftuan budizmin, shenizmin dhe konfucianizmin, kanë qenë tradhëtarë dhe duhet t' i përjashtojmë nga historia, sepse ata kanë prodhuar karmë të keqe në mes të tjerash. Ne sot jemi ndryshe. Stërgjyshërit tanë qenë barbarë dhe idiotë!"

Historia dëshmon se religjionet kanë afat skadimi. Në lashtësi askush nuk kishte besuar se politeizmi do të zëvendësohej nga monoteizmi, por ja ku e kemi, ndonëse i dëbuar nga shteti dhe me reduktim të shumë kompetencave, akoma përpiqet të jetë kryefjala e botës dhe shkencës.

Në fillim religjioni shpjegonte të gjitha fenomenet në natyrë dhe shoqëri, sot ka braktisur shumë fusha dhe me yjet nuk merret më ai, por astronomia. Me shërime dhe ekzorcizëm nuk merret kleri, por spitali dhe psikiatria. Njeriu nuk vdes pse vendosi Zoti, por se kishte tymosur shumë dhe e katapultoi tejpërtej kanceri. Të gjitha fatet njerzore, që dikur i atribuoheshin Zotit, sot për to akuzohet njeriu. Njëriu vdes në komunikacion jo pse Zoti kishte dashur, por sepse kishte ngarë makinën 200 km në orë. Makina mund të rrëshqas me 200 km në orë edhe nëse është e mbushur me engjuj. Në vende ku ka pak makina, njerzit nuk vdesin aq shumë rrugëve, rrëzohen nga gomari apo kali, thyejnë një dorë apo këmbë apo fare dhe vazhdojnë jetën. Në Gjermani në vitin 1980 kanë vdekur në komunikacion 15.719 veta. Në vitin e kaluar 3340. Kontrollimi i shpeshtë, kufizimi i shpejtësisë, rripi, autostradat, kanë ndikuar në rënie të fatkeqësive dhe natyrisht edhe modelet më të mira të makinave. Në vendet ku mjekësia është e zhvilluar, njerzit jetojnë më gjatë pa marrë parasysh a besojnë në religjon apo jo, se sa popujt e varfër, që i besojnë monoteizmit apo politeizmit.

T' i kthehemi temës. A është Skenderbeu hero kombëtar? Nëse themi se nuk duhet të jetë sepse paska masakruar musliman, atëherë kjo është e barabartë me një ftesë një pushtuesi me bindje fetare muslimane. Nuk duhet ta mbrojmë lirinë tonë dhe pavarësinë shqiptare, por duhet t' i nënshtrohemi menjëherë. Nëse nesër na sulmon Afganistani apo Arabia Saudite, ne atëherë duhet të vrapojmë me lule para tyre. Ky qëndrim do të ndikonte edhe tek fqinjët tanë për të na parë dhe cilësuar si kolaboracionist potencial, që mezi presin çastin për t' i shtypur edhe ata. Në paqe do të izolohemi, në kohë lufte, do të na copëtojnë.

Disa që kundërshtojnë Skënderbeun si hero kombëtar, kanë motivuar dhe manipuluar të rinjt shqiptarë për të shkuar në Siri dhe luftuar kundër muslimanëve. Atje nuk por vriten muslimanët në mes vete, pse nuk janë musliman të mirë, por po vriten për bindje politike dhe madje shpresojnë të aterrojnë në parrajsë pse ka vrarë shumë musliman. Muslimanët u vranë nga muslimanët në Egjypt, në Libi dhe tani edhe në Siri po vriten. Kalifati Osman pat vrarë arabë myslimanë. Sot vriten kurdë mysliman.

Është tragjike, por kështu ka ndodhur edhe në vendet krishtere, kur me bindje fetare shkojnë njerëzit në luftë, kur një grup është i bindur se tjetri e ka gabim.

Disa po e quajnë Skenderbeun edhe serb, duke u përpjekur për të shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe disponimin e sotshëm, për ta hequr qafe Skenderbeun një herë e përgjithmonë. Po të kishte qenë Skënderbeu serb, nuk do të vinte në Shqipëri, por do të shkonte në Serbi dhe çlironte atë. Përmendorja e Skenderbeut, e Nënë Terezës flasin për qytetërimin shqiptar, sepse vendet perëndimore nuk gjykojnë personalitetet e veta nga bindja private fetare, por vlerësohen për imazhin e krijuar ndaj atdheut. Në anën tjetër, kleri musliman dhe katolik, nuk mund t' u referohen përqindjeve në popull, por vetëm atyre njerëzve që kanë para vete në faltoret e tyre. Në emër të popullit mund të flasë vetëm Qeveria e votuar.

Po pse Ferid Murad nuk përmendet si Skenderbeu dhe Nënë Tereza. Edhe ky ka merita për krenarinë shqiptare? Ferid Murad nuk shpërfillet pse ka mbiemër turk dhe me religjion krishter episkopal, por sepse është vështirë t' u shpejgohet njerëzve në rrugë pa u skuqur pse ky qytetar i madh amerikan me origjinë gjysmë shqiptare, fitoi Çmimin Nobel. Ja një citat nga autobiografia e Ferid Muradit: (This was also applied to our religious choices as my father was Muslim, my mother Baptist and we were raised in a Catholic community. Subsequently, my brothers became Catholic when they married Catholic wives and I was baptized Episcopalian in college. My wife of more than forty years is Presbyterian, two of our daughters married Jewish men and one married a Catholic man.)

Në vendet perëndimore mund edhe të ndërtohet një përmendore e Ferid Muradit, por tek ne vështirë të merret me mend, sepse edhe gratë do të kërkonin shpjegime. Fundi i fundit, ai nuk është hero i të gjithëve, por i atyre në gazep. Në demokraci ka të drejtë çdo njeri të madhërojë religjion e vet, por kurrë të shajë të tjetrit. Demokracia nuk merret me bindjet e njerëzve, as fetare, as ateiste. Në demokraci ka vend për gjithë ata që dëshirojnë jetën në paqe.

Në Kosovë është imponuar një debat, që çoi në harrimin e krimeve serbe. Në Kosovë shahen, kanosen, kërcënohen dhe shteti nuk tregon prezencën e vet, për t' i treguar popullit se në demokraci, lejohet mendimi i lirë, por jo kanosja, jo kërcënimi, jo fyerja, jo idetë raciste, jo ofendimi i religjionit që beson dikush. Ne kemi brenda mijëra ushtarë të huaj, që na mbrojnë nga ripushtimi dhe kanë respekt edhe për ato ato personalitete, që këta shajnë. Dhe, nuk erdhën pse na njihni si fetarë të mirë, por pse ishim shembullor në tolerancë fetare dhe treguam epërsi civilizuese me luftën paqësore.

Kosova në vend se të merret me grumbullimin e materialit për ta akuzuar Serbinë, siç bëri Kroacia me akuzën për gjenocid; Kosova në vend se të merret me ndërtimin e shtetit ligjor; Kosova në vend se të brengoset për papunësinë e madhe dhe braktisjen e madhe të nënshtetësisë së Kosovës nga qytetarët e saj jashtë, ajo merret me korrigjimin e historisë. Me fragmentarizimin dhe satanizimin e saj. Në Afganistan talebanët rrëzuan përmendoret e Budës edhe pse ishin në listën e UNESCO, si pasuri kulturore botërore. Tek ne rekomandohen personalitete historike vetëm duke u bazuar në bindjet fetare.
Duke u bazuar në bindje fetare, otodoksët quhen serb, duke u bazuar në bindje fetare, katolikët quhen kroat, duke u bazuar në bindje fetare, boshnjakët quhen musliman. Nëse shqiptarët durojnë ndarjen, grimcimin, ronitjen, në bindje fetare, atëherë nuk do të kemi një komb, por së paku tre. Ja pse feja e shqiptarit është shqiptaria dhe duhet recituar çdo ditë, para se të stigmatoizojmë njëri tjetrin për religjionin e gabuar apo mungesën e tij.

Sikur zoti të ishte religjioz, do ta kishte dërguar vetëm një fe dhe vetëm një profet e jo ta korrigjojë vetveten. Sikur në vendet perëndimore të pytej kleri, nuk do të kishin lejuar ndërtimin as të sinagogës, as të as xhamisë, as të tempujve budist. Se Perëndimi toleron ndërtimin e tyre, flet për qytetërimin e saj. Se populli shqiptar duron përmendore duke shpërfillur bindjet fetare, flet për qytetërimin e lartë shqiptar. Ata me sharjet e tyre, më shumë po largojnë njerëz nga feja, se sa që po afrojnë.

Nëse i ndërtojmë Dalai Lamës një përmendore, akush nuk do të na qortonte, por do të na çmonte si njerëz me një qytetërim të lartë. Nëse Italia do të gjykonte në këtë mënyrë, atëherë do të rrëzonte të gjitha përmendoret e perandorëve romak deri në shekullin katër. Ata që sot turpërohen me stërgjyshërit e tyre, nesër do ta rrëzojnë edhe Rugovën edhe përmendoren e Bill Clinton, sepse edhe ky i fundit, derisa qeveriste, ka urdhëruar vrasje në Irak apo Afganistan.
Sikur të isha serb nacionalist, do t' isha kënaqur me gjendjen e Kosovës, por meqenëse jam shqiptar, ndihem shumë i zhgënjyer me mënyrën si ndërtohet shteti dhe si perceptohet demokracia. Me historinë shqiptare duhet të merren historianët: jo hoxhallarët, priftërinjt, dërvishët dhe shamanët. Këta nuk punojnë për përparimin dhe bashkëpunimin e popujve, por për ndarjen e tyre. Sepse, sipas Schopenhauer, "Religjionet janë sikur xixëllonjat: për të shndritur, kanë nevojë për errësirë."  

Nga Gazeta DITA e kanë marrë:
Reporteri
Telegrafi

09.03.2014

Gruaja dhe burri

Burri në mërgim, gruaja në shtëpi, pas dhjetë viteve burri i
shkruan letër: „E dashur, më vjen keq, por nuk duhet më të jetojmë
me iluzione.Në këto dhjetë vite shumë herë të kam tradhtuar.
Më mirë është të përfundojmë lidhjen tonë, se sa të jetoj kështu
ndërgjegjevrarë. Të lutem më kthe prapa fotografinë time në adresën e mëposhtme.“
Shoqja ku merr letrën zemërohet shumë, sepse ajo kishte pritur me vite t'i bashkangjitet burrit dhe pas shumë bisedave me shoqe dhe të afërme, u kërkon atyre fotografi të vllezërve, të burrave, kështu grumbullon 64 fotografi dhe
i shkruan një letër:
„I nderuar, letra është e trashë, këtu keni 64 fotografi, ju lutem gjeni fotografinë tuaj
sepse mua nuk më kujtohet kush ishit dhe një gjë mos harroni,
fotografitë tjera m' i ktheni në adresën time.
Miqësisht XY“

Gruaja zgjohet në mëngjes dhe nuk gjen burrit në shtrat. E brengosur ngrihet
dhe gjen atë të dëshpëruar në tryezën e kuzhinës. Ajo ulet pranë tij dhe e pyet
pse ishte aq i zymtë.
Të kujtohet e dashur takimi jonë i parë?
Po, thotë ajo.
Të kujtohet kur bëmë dashuri në makinë dhe na zuri yt atë?
Natyrisht, thotë ajo.
Të kujtohet se ai më tha ose duhet ta martosh bijën time ose të dërgoj
për njëzet vite në burg?
Po, më kujtohet edhe kjo. 
E dashur, tha ai me lot në sy, sot do të kisha dalë nga burgu.

shqipërim nga italishtja

08.03.2014

Na thirrën, Gazeta Dita

Përligjjet e pushtimit rus, i kemi përjetuar edhe në Ballkan dhe kryesisht në politikën serbe. Edhe rezistenca serbe kundër shtetit kroat arsyetohej me rrezikimin e serbëve, me vetëroganizmin, vetëmbrojtjen dhe se Millosheviçi nuk kishte ndikim. Kështu qe shpejguar edhe armatimi i serbëve në Bosnjë. Kështu u intepretua edhe përzierja e Serbisë në veri të Kosovës dhe kjo këmbëngulje, u shpërblye me autonominë serbe në Kosovë.
Në fakt me strategji të tillë Serbia ka pushtuar tokat hungareze në veri, toka bullgare në lindje të vendit, në kët mënyrë ka pushtuar dhe zaptuar pjesë të Sanxhakut dhe Luginën shqiptare dhe gjithmonë janë parashtruar argumentet të njejtë, madje edhe fjalitë: popullësia po ndihej e kërcënuar, e rrezikuar dhe se ishte ftuar për ta mbrojtur, edhe pse askush nuk kishte rrezikuar ata.
Edhe Putini rezonoi në këtë mënyrë. Na thirrën, nuk mundëm ta shpërfillim kërkesën e tyre, edhe pse askush nuk kishte sulmuar rusët e Krimesë. Për t’ i dhënë arsyetimeve të tija ngarkesë argumentative, shton edhe mendimin tjetër se presidenti është rrëzuar në mënyrë kundërligjore dhe se është ftuar prej tij për të siguruar rendin. Mirëpo pyetja do t’ ishte shumë e thjeshtë: pse Rusia i jep vetes të drejtë ta quajë jolegjitime rrëzimin e një despoti ukrainas?
Perëndimi pragmatik po sillet ashtu siç sillen të mëdhenjtë, kur kanë kokëçarje me një shtet që nuk u konvenon përplasja ushtarake. Sanksionet e UE, do ta dëmtonin edhe ekonominë europiane dhe kërkohet prej tyre edhe vetëmohim. Sanksione do të ketë, por jo aq sa të dëmtohet vet Perëndimi. Putini krenar me një zanafillë jo të zakonshme politikani, nuk do të tërhiqet. Reagimi i tij i shpejtë, stacionimi, paralelet që ngrit, flasin për këmbënguljen dhe ndryshimin e integritetit territorial të Ukrainës. Ligji i forcës do të fitojë edhe këtë herë.
Politika ndërkombëtare duke dashur ta ruajë një paqe të padrejtë është ngurtësuar aq shumë, sa ka duruar kufinj të padrejtë në Europë, Azi dhe tragjikisht janë vizatuar kufinjt në Afrikë. Nëse një ditë njerëzit vetëdijësohen dhe kuptojnë se nuk mund të shpallen vende strategjike tokat e huaja, atëherë do të lejohej një referendum ashtu siç kërkojnë rusët e Krimesë dhe kështu korrigjoheshin shumë kufinj në Ballkan që nuk janë rezultat i dëshirës së popujve, por pasojë e forcës dhe diktatit të të mëdhenjve.
Brenda dy javëve Perëndimi do të vendosë disa saknksione, pa guxuar t’ i acarojë shumë mardhëniet me Rusinë dhe Krimeja do të shkëputet nga Ukraina dhe brenda dy javëve ky intervenim do të zhduket nga tryezat e bisedimeve.
Tërheqja ruse vështirë të imagjinohet: e para, atje jeton popull rus, diku 60 për qind, e dyta, do t’ i nënshtrohej trysnisë së Perëndimit dhe e treta, si pasojë e së dytës, do të tërhiqej e turpëruar.
Putini nuk do ta bënte këtë. Ai nuk përkulet para Perëndimit. Referendumi është vetëm një farsë, sepse rezultati mund të merret me mend. Edhe ky rast do të tregojë se se e drejta ndërkombëtare vlen për të dobëtit, por jo për ata që kanë armatë të fortë pas vete. Tani, këto superfuqi, kanë ndërmend të bindin Thaçin për të krijuar Gjykatë kundër UÇK-ës, ku nesër do të mund të ulej edhe ai si i akuzuar. Për t’ u ulur edhe ai aty, do të kujdeset Serbia dhe Rusia. Të hetohen për krime gjatë luftës shqiptarët, do t’ ishte e barabartë me hetimet ndaj hebrenjve, që mund të kenë vrarë ndonjë ushtar nazist gjetë vetëmbrojtjes…
Qëndrimi rus ndaj Ukrainës mund të ilustrohet me përrallën e Ezopit dhe përpunuar më vonë nga Jean de La Fontaine. Ujku gjithmonë ka të drejtë dhe gjithmonë arsyeton kur i turbullohet uji, edhe nëse qegnji pi ujë poshtë, e ai lart.
Ukraina ka probleme me shtetin ligjor, me ankorimin e demokracisë dhe ujku që gjendet në breg thotë se po rrezikohet dhe nxiton të ndihmojë ata që realisht nuk kanë nevojë, sepse nuk sulmohet prej askujt, por ujkut i nevojitet argumenti për ta copëtuar apo ngrënë qengjin e pafuqishëm.
Perëndimi ka punët ters me dy despot: i pari është Putini dhe i dyti Erdogani. I pari përpiqet ta rikrijojë Bashkimin Sovjetik duke pushtuar toka të reja sa herë destabilizohet një vend nga brenda dhe i dyti, ka nisur rindërtimin e Perandorisë Osmane dhe përforcimin e kultit të personalitetit siç e njihnim në komunizëm. Pas zgjedhjeve vendore ka ndërmend të ndalojë edhe faqet e internetit pa vendim gjykate, edhe ato sociale, nëse shkruajnë kundër tij. Perandorinë Osmane përpiqet ta krijojë me “cyber imam”, mënyrë më moderne se sa Homeini, por sigurisht shpreson në rezultat të njëjtë.
Perëndimi vështron duke rezignuar dhe dërguar apele, por për despotët, thirrjet janë shprehje e pafuqisë dhe mungesë e guximit dhe vendosmërisë.
Pas Osetisë Jugore dhe rrënimit të integritetit territorial të Gjeorgjisë, nuk është më pyetja a do të shkëputet Krimea, por cilit vend Putini do t’ i shkëpusë ndonjë regjion. Nuk i mjafton thertorja e ndihmuar prej tij në Siri, por për të treguar forcën dhe stërvitur Perëndimin me oreksin rus, i duhen edhe tjera…
Gazeta Dita

05.03.2014

Provincializmi i Matoshit, gazeta DITA

Është e çuditshme se pikërisht ata që krijojnë opinion publik dhe merren me ngritjen dhe iluminimin e popullit, pikërisht tek ta, në shkrimet e tyre, vërehet një racizëm latent, një mosdurim kombëtar; sulmojnë racizmin, me qëndrime raciste. Sulmojnë fashizmin me ide fashiste, luftojnë abuzimet duke abuzuar vet. I tillë ishte edhe artikulli i fundit i Halit Matoshit i cili mund të renditej tek shumë artikuj tjerë ektremist, që mund të lexohen vetëm në shtypin kosovar, në atë Sallamadi -Sistem ku kanosja, kërcënimi, ofendimi, racizmi dhe idetë ekstremiste, shpallen si e drejtë e shprehjes së mendimi të lirë dhe si rezultat i demokracisë, pa pasur idenë se demokracia me shtetin ligjor, ndalon më shumë se sa diktatura komuniste: demokracia mbron dinjitetin e njeriut me ligje dhe ai nuk guxon të preket, të shahet apo mëpërkëmbet.

Në një vend ku kanosen të rinjët e manipuluar në Siri me 15 vite burg, por ku motivuesi i tyre është në krye të Bashkësisë Islame. Në një vend ku profesorët e universitetit i ngjajnë matrapazëve dhe tregtarëve të kafshëve në pazarin e hajvanëve. Në një vend ku patrioti bëhet milioner. Në një vend ku edhe ushtria nuk guxon të quhet armatë, por Forcë. Në një vend, ku nuk ka shenja të një shteti modern, por të një shteti jo urban, fisnor, ku gati nuk mund të dallohet intelektuali nga rrugaçi.Në një vend ku nuk do t' ishte i tillë, sikur të mos ishte edhe angazhimi i atyre shqiptarëve jashtë saj, jashtë Ballkanit dhe mu në atë vend, ngrihet Matoshi në këmbë dhe sulmon ardhacakët, që qenkan natyralizuar në Kosovë dhe paskan përparuar pikërisht aty.

Këtë mendim e thotë pjesëtari i një populli që ka mbi 30 për qind të popullsisë jashtë vendit nga mbahet edhe populli gjallë. Nuk fshihet aty mosdurimi dhe mungesa e tolerancës ndaj një të huaji, por ndaj shqiptarëve që nuk paskan pasur fatin të linden në atë Kosovë parrajsë, ku njerzit prosperojnë. Ai shte ai qëndrim kseonofobik? Jo vetëm. Ai ishte edhe qëndrim provincialist fund e krye. Mendim me baza të forta tribale. Pa marrë parasysh a pajtohemi me mendimet e Qosjes dhe Hivzi Islamit, duhet thënë e vërteta: Kosova nuk do t' ishte sot aty ku është sikur të mos ishte ndihmuar nga të gjithë shqiptarët. Dhe ne, jashtë atdheut, edhe pse nuk jemi nga Kosova, me vite të tëra kemi dhënë kontributin tonë, e tani shpallemi në Kosovë: ausländer, stranieri, étranger.

Nëse Halil Matoshi nderon veten dhe nuk është i obsesionuar nga idea e kombit kosovar dhe nuk është i detyruar të urrejë shqiptarë të “natyralizuar”, atëherë do t' ishte shumë e moralshme të kërkonte ndjesë të gjithë atyre që nuk janë nga Kosova, madje edhe neve që nuk kemi pasur fatin të natyralizohemi dhe nuk kemi vjelur gjë nga ajo parrajsë kosovare, por edhe sot, mbrojmë interesat shqiptare në çdo rast dhe në çdo çast kur e kërkon nevoja.

Gazeta DITA
Respublica