"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

30.04.2015

Republika e Rrugaçëve, gazeta SOT


Nxënësja kërkon sqarim për testin e historisë, arsimtari e rrah brutalisht. Po pasojat, po prokuroria? Nuk ka pasoja në Kosovë, i është ndërruar vetëm vendi i punës arsimtarit dhe paska kërkuar falje. Merreni me mend, ta rrahë një arsimtar fëmijën, një arsimatar që duhet t'ua mësojë mos ushtrimin e dhunës, dhunon nxënësen dhe kërkon falje. Kaq. Në vend se të përjashtohet nga arsimi ai dhunues, Drejtoria e Arsimit dërgon atë mujshar në një shkollë tjetër. E shpërblen. Nxëneset thonë se nuk ishte hera e parë.

Nuk është çudi. Kosova është bërë sallamadi republikë e rrugaçëve. Në kohën e Serbisë ka qenë e ndaluar rrahja në shkolla, në kohën e patriotëve shqiptarë, qenka e lejuar dhe arsimtarit dhunues, i falet një vend tjetër i punës, pa dhënë asnjë sqarim, a ishte ai vend i zbrazët, apo e punësuan pa pasur nevojë.
Nuk meriton shkarkimin nga detyra vetëm arsimtari dhunues, por edhe Drejtori i Arsimit, që fliste në tv, sikur të shpjegonte një gazmore, jo një rrahje brutale nga një njeri, që paguhet për të edukuar, jo për t' u sjellë si polic i Millosheviqit. Ai paguhet edhe për atë orë deri sa ka rrahur nxënësen.

Njeriut duhet kërkuar falje, kur pa dashje i shkelet këmba, por jo kur e godet me shqelma vajzën e përplasur në dysheme nga shuplaka. Ky rast tregoi se fëmija në Kosovë nuk ka të drejta elementare dhe se rrënimi, poshtërimi i dinjitetit të tij, nuk mbrohet me ligj. Zhvendosja e arsimtarit nga shkolla në shkollë, nuk është metodë, që mund të parandalojë dhunën kundër nxënësve, por është motivim. Kosova ka edhe Ministër të Arsimit sa për sy e faqe. Në një shtet normal, heshtjen e tij do ta kishte paguar me dorëheqje. Ai dëshmon në fakt se nuk është Ministër i Arsimit dhe arsimtarëve, por i rrugaçëve. E kush është Ministër? Arsim Bajrami dhe tek faqja e Kryeministrisë nuk ka as dy rreshta biografi, si edhe tek shumë ministra tjerë: nuk dihet kur dhe ku kanë lindur, cilin fakultet kanë studjuar, çfarë kanë studiuar. Biografitë e ministrave janë sekret, ashtu si mafiozët në detyrë, që nuk publikojnë biografitë e veta para popullit.

Në Republikën e Rrugaçëve, prokuroria është organ humoristik, që shkokëlohet së qeshuri me ngjarjet në popull. Zbatimi i ligjit, konsiderohet shtirje, tradhti, jo atdhetarizëm. Në Republikën e Rrugaçëve, nuk dihet kush çfarë ka studiuar, kush ka blerë diplomë, kush ka blerë doktoraturë, kush është vërtetë edukator, e kush çoban. Në Republikën e Rrugaçëve, nuk jetohet konform ligjeve, por sipas bindjeve fikse. Aty nuk dinë as sa banorë kanë brenda, as sa kanë jashtë. Aty ka vetëm fjalë, pallavra dhe vetpasurim. Në Republikën e Rrugaçëve, nëse nuk je rrugaç, je i pamoralshëm dhe të han dreqi. Aty përfitohet vetëm me servilizëm. Vend ideal për puthadorët. Aty nuk duhet dija, por aftësia zvarritëse dhe lëpirja. Aty politikanë kanë këshilltarë më idiot, më injorant se vetja.

Rrahja e asaj nxënëse tregon se sa vlerë ka gjinia femërore në Kosovë. Si mund ajo të trajtohet edhe në shkollë, edhe në vend të punës, edhe në shtëpi. Arsimtarët e tillë janë duke shkatërruar edukatën e fëmijëve dhe krijojnë njerëz, që nesër do t' i shohim në politikë pa karakter të vetin, pa dinjitet dhe pa sedër. Rasti i asaj nxënëse tregon se si trajtohet fëmija në Kosovë. Cilat janë të drejtat e tij dhe cilat janë detyrat e edukatorit, të cilin e paguan populli për t' i bërë poçavër fëmijët.

Një vajzë e rrahur në klasën e tetë për tërë jetën ngelet e traumatizuar: e rrahur dhe rrëzuar për tokë nga arsimtari. Në një shoqëri ku fëmija rritet me dashuri, ajo vajzë do të dërgohej tek psikologu për ta përpunuar atë poshtërim shpirtëror publik. Në Kosovë mirëpo fëmija nuk ka dinjitet njerëzor dhe mund të trajtohet me të njëjtët metoda, me të cilat ndalohet të trajtohet kafsha në Perëndim.

Kjo është Kosova e vitit 2015. Nuk dihet kush ha e kush pi. Nuk merret vesh asgjë: as kush është i mirë, as kush është i keq. Të gjithë janë tradhtarë, të gjithë janë patriotë, por kanë harruar një gjë thelbësore: atdhetari jep çdo gjë atdheut, por nuk i merr asgjë. Dhe, desh u bënën të gjithë veteranë. Nuk kuptohet as pse gjykon njëri ashtu, pse tjetri na habit me mutacionin. Pse brenda natës ndryshojnë qëndrime, programe duke shpërfillur interesin nacional dhe arsyetuar vetëm atë vetjak. Sikur Arsim Bajrami të ishte vërtet Ministër i Arsimit, vërtet burrë, do të jepte dorëheqje, sepse nuk është nder të jesh ministër i arsimtarëve, i burrave që abuzojnë me vajza, i arsimtarëve, që janë më rrugaç se rrugaçët: i arsimtarëve, që sillen ndaj xënësve shqiptarë siç sillej dje policia serbe.
Ashtu si ka dëmtuar ata arsimtarë policia serbe, ashtu po dëmtojnë brezin e ri arsimtarët e padijshmëm. Ata po mësojnë nxënësve ushtrimin e dhunës, jo vetëm në shtëpi, por edhe në vende publike.


gazeta SOT
gazeta DITA
gazeta BLIC

Keine Kommentare: